Kryetari i KMSH-së merr pjesë në aktivitetin ndërkombëtar të ICESCO-s në Rabat, Marok

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu me ftesë të Organizatës së Botës Islame për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (ICESCO), mori pjesë në manifestimin ndërkombëtar për prezantimin e projektit të Jetëshkrimit të Profetit Muhamed (a.s) dhe qytetërimit islam, i zhvilluar në kryeqytetin e Marokut, Rabat.
Ky aktivitet u organizua nga Organizata e Botës Islame për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (ICESCO), në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Jetëshkrimit të Profetit Muhamed (a.s), dhe mblodhi një numër të konsiderueshëm personalitetesh, studiuesish dhe të ftuarish nga vende të ndryshme të botës.
Projekti i prezantuar ofron një vizion bashkëkohor dhe një përvojë njohëse të integruar mbi jetën e Profetit Muhamed (a.s) dhe qytetërimin islam, duke përdorur metoda moderne që pasqyrojnë vlerat dhe mesazhin e tij universal. Që nga hapja, ky projekt ka tërhequr miliona vizitorë, duke u kthyer në një platformë të rëndësishme edukative dhe kulturore.
Pjesëmarrja e Kryetarit të KMSH-së në këtë aktivitet vlerësohet si një kontribut i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në promovimin e vlerave të dialogut, dijes dhe mirëkuptimit ndërkulturor.
Ky aktivitet ndërkombëtar shërben gjithashtu si një hapësirë për shkëmbim përvojash dhe idesh mbi mënyrat bashkëkohore të prezantimit të trashëgimisë islame dhe përçimin e saj tek brezat e rinj.