Kryesia e KMSH-së zhvillon mbledhje pune me Myftininë Tiranë

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, së bashku me anëtarë të tjerë të kryesisë, zhvilloi një takim pune me Myftininë e Tiranës, ku u prit nga Myftiu, z. Gazment Teqja, administratori dhe imamët myftinisë.
Kjo mbrëmje nisi me leximin e disa ajeteve Kuranore nga hafizi Eduart Shtrezi, për të vijuar me fjalën hapëse të Myftiut Teqja, i cili u uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe i njohu ata shkurtimisht me rendin e kësaj mbledhjeje.
Më tej, fjalën e mori Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili theksoi nevojën për forcimin dhe rigjallërimin e institucioneve themelore fetare, duke u ndalur veçanërisht te rëndësia e zekatit dhe sadakasë së fitrit, si dhe te konsolidimi i procesit të anëtarësimeve. Ai vlerësoi gjithashtu rolin e kurseve fetare në edukimin e brezave të rinj dhe nënvizoi përgjegjësinë për një përcjellje të qartë, të matur dhe bashkëkohore të mesazhit islam.
Ndërsa Nënkryetari i Institucionit, z. Lauren Luli, u ndal në mbarëvajtjen e aktiviteteve fetare në xhami, si dhe organizimin e haxhit dhe umres, duke bërë thirrje për bashkëpunim më të thellë në këto aspekte.
Kjo mbrëmje vijoi më tej me fjalën e Drejtorit të Financës në KMSH, z. Edison Hoti, i cili u fokusua në diversifikimin e burimeve financiare dhe ndërtimin e një kalendari pune për fushatat sensibilizuese, me synim rritjen e ndërgjegjësimit dhe përfshirjes komunitare.
Ndërsa Drejtori i Burimeve Njerëzore dhe Kabinetit, z. Aurel Çani, u ndal shkurtimisht në botimin më të fundit të institucionit, me titull: “Zëri që vjen nga minberi, regjistri i emrave të 1732 klerikëve shqiptarë, 1990–2025”, duke u bërë thirrje të pranishmëve të marrin pjesë në eventin promovues të këtij botimi, i cili do të zhvillohet më 22 prill.
Më tej, fjalën e mori Myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja, i cili prezantoi një raport për muajin e Ramazanit që lamë pas, duke evidentuar arritjet dhe sfidat. Ai u ndal po ashtu në studimin e nevojave të kryeqytetit për xhami dhe projektet online që janë vënë tashmë në dispozicion të besimtarëve.
Mbledhja vijoi më tej në formën e një diskutimi të hapur me imamët mbi aspekte të ndryshme të punës së tyre të përditshme, si dhe mbi sugjerime të cilat kishin në fokus përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të përgjithshme të thirrjes në Islam.
Galeria e Fotove
