KMSH zhvillon ekskursion me të rinjtë e Kombinatit në jug të vendit

Në vazhdën e aktiviteteve të ndryshme sociale, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, zhvilloi një udhëtim turistik me të rinjtë e zonës së Kombinatit, nxënës gjimnazesh dhe student, të cilët ndajnë rregullisht faljen e përditshme në xhamitë e kësaj lagjeje të kryeqytetit.
Gjatë këtij udhëtimi, grupi i të rinjve u shoqërua nga nënkryetari i KMSH-së, z. Lauren Luli, drejtori i Marrëdhënieve me Xhematin, z. Shpëtim Seranaj, si dhe drejtori i Çështjeve Sociale, z. Edvin Kuçi. Udhëtimi përfshiu qytetet Fier, Sarandë dhe Gjirokastër.
Ndalesa e parë ishte në Fier, ku të rinjtë falën namazin e xhumasë në xhaminë e qytetit. Në ligjëratën e mbajtur me këtë rast, nënkryetari Luli theksoi rëndësinë e një besimi të gjallëruar nga veprat konkrete, përtej fjalëve.
Udhëtimi vijoi më tej drejt Sarandës ku pas namazit të akshamit, nënkryetari mbajti një ligjëratë në xhaminë e qytetit, duke u ndalur te roli i dhikrit në jetën e përditshme dhe ndikimi i tij në forcimin e besimit.
Grupi i të rinjve u mirëprit gjithashtu në Qendrën Kulturore të Sarandës nga Myftiu i qytetit, z. Bledar Mulla, ku qëndruan për dy ditë. Gjatë kësaj kohe, ata morën pjesë në një sërë ligjëratash të zhvilluara nga hoxhallarë dhe vetë myftiu, të cilat trajtuan sfidat bashkëkohore të rinisë, rolin e saj në shoqëri si një forcë aktive dhe produktive, si dhe rrugët e forcimit të identitetit dhe praktikës islame.
Programi përfshiu gjithashtu aktivitete rekreative dhe edukative, si dhe vizita në monumente të rëndësishme kulturore e turistike, ndër to Kalaja, Syri i Kaltër dhe qyteti i Gjirokastrës, duke e bërë këtë përvojë një ndërthurje të pasur mes formimit shpirtëror, kulturor dhe social.
Galeria e Fotove
