--:--:--
Imsaku--:--
Lindja--:--
Yleja--:--
Ikindia--:--
Akshami--:--
Jacia--:--
22 prill 2026Lajme

KMSH promovon botimin “Zëri që vjen nga minberi”

#KMSH#lajme
KMSH promovon botimin “Zëri që vjen nga minberi”

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë zhvilloi sot në ambientet e Tirana International Hotel një aktivitet promovues me rastin e botimit më të ri të institucionit, me titull “Zëri që vjen nga minberi”. Ky botim vjen si një databazë e imamëve që kanë shërbyer nga rihapja e besimit në vendin tonë në vitet ’90 e deri në dhjetor të vitit 2025.

Në këtë aktivitet morën pjesë figura të rëndësishme të institucionit, mes tyre Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm, z. Islam Hoxha, nënkryetarët, anëtarë të kryesisë, myftinj, imamë si dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme.

Aktiviteti u çel me leximin e disa ajeteve kuranore nga Hafizi Enes Hyka.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari Spahiu falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe e vlerësoi këtë botim si një kontribut të çmuar në evidentimin dhe vlerësimin e figurës së imamit ndër vite. Ai theksoi se, pas viteve ’90, imamët kanë luajtur një rol thelbësor në rindërtimin e jetës fetare në Shqipëri, duke u shndërruar jo vetëm në udhëheqës shpirtërorë, por edhe në edukatorë, këshilltarë dhe ura lidhëse mes traditës dhe realitetit të ri.

“Imami nuk është thjesht zëri që dëgjohet nga minberi, por ndërgjegjja që orienton shoqërinë drejt së mirës. Ai është ura që lidh besimin me jetën e përditshme, traditën me të ardhmen dhe fjalën me veprën. Prandaj, fjala që buron nga minberi duhet të jetë gjithmonë e matur, e përgjegjshme dhe ndërtuese, në shërbim të unitetit, moralit dhe bashkëjetesës,” – u shpreh ai.

Më tej, ai shtoi se ky botim synon të ruajë dhe përcjellë përvojën, sfidat dhe përkushtimin e imamëve ndër breza, duke shërbyer si frymëzim për të ardhmen.

Në vijim, Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm të institucionit, z. Islam Hoxha, theksoi përgjegjësinë e lartë që mbart imami si amanet hyjnor, duke u mbështetur në mësimet e Kuranit dhe traditës profetike. Ai nënvizoi rëndësinë e drejtësisë, sinqeritetit dhe shembullit personal në ushtrimin e këtij misioni, si dhe evidentoi kontributin e imamëve pas viteve ’90 në ringjalljen e jetës fetare, edukimin e brezave të rinj, forcimin e harmonisë ndërfetare dhe mbështetjen sociale në periudha të vështira tranzicioni.

Më pas, Myftiu i Sarandës, z. Bledar Mulla, mbajti një ligjëratë të shkurtër, ku u ndal në rëndësinë e përcjelljes së drejtë, të matur dhe dinjitoze të mesazhit islam, me një fokus të veçantë tek edukimi i rinisë dhe përballja me sfidat e kohës moderne.

Fjalë të rastit mbajti gjithashtu edhe z. Aurel Çani, Drejtor i Kabinetit dhe Burimeve Njerëzore në KMSH, njëherazi edhe autor i këtij botimi. Ai njohu të pranishmit me procesin e detajuar të punës që ka shoqëruar realizimin e librit, duke u ndalur te mbledhja e informacionit nga myftinitë e vendit, sfidat në verifikimin dhe sistemimin e të dhënave, si dhe puna e kujdesshme në përgatitjen grafike dhe procesin e printimit.

Në përmbyllje të aktivitetit, u shpërndanë certifikata vlerësimi për disa imamë dhe hoxhallarë nga e gjithë Shqipëria, të propozuar nga myftinitë përkatëse, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre të çmuar në shërbim të fesë dhe komunitetit. Certifikatat u dorëzuan nga kryetari Spahiu, nënkryetarët e institucionit z. Lauren Luli dhe z. Taulant Bica, si dhe Myftiu i Tiranës, Gazment Teqja.

Ky aktivitet shënoi një moment të rëndësishëm vlerësimi dhe reflektimi mbi misionin e imamit, duke e vendosur atë në qendër të vëmendjes si një figurë kyçe në ruajtjen e identitetit fetar, moral dhe shoqëror në shoqëri.

Galeria e Fotove

Gallery Image 1
1 / 65