--:--:--
Imsaku--:--
Lindja--:--
Yleja--:--
Ikindia--:--
Akshami--:--
Jacia--:--
10 tetor 2026Lajme

Instituti i Studimeve Islame “Hafiz Sabri Koçi” çel vitin e ri akademik 2026–2027

#KMSH#lajme
Instituti i Studimeve Islame “Hafiz Sabri Koçi” çel vitin e ri akademik 2026–2027

Instituti i Studimeve Islame “Hafiz Sabri Koçi”, organ i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, çeli këtë fundjavë, në ambientet e Medresesë së Tiranës, vitin e ri akademik 2026–2027 të programit njëvjeçar të njohurive bazë fetare. Ky është viti i gjashtë i zhvillimit të këtij programi, i cili këtë vit ka mbledhur rreth 50 pjesëmarrës, burra dhe gra të moshës 15 deri në 45 vjeç, nga qytete të ndryshme të vendit.

Programi do të zhvillohet në mënyrë të kombinuar, me pjesëmarrje fizike dhe online, duke lehtësuar ndjekjen e mësimit edhe për studentët nga zonat e largëta.

Në fjalën e hapjes, drejtori i Institutit, Dr. Elton Karaj, theksoi se nisja e një viti të ri akademik përfaqëson ripërtëritjen e përgjegjësisë për kërkimin e dijes, formimin e karakterit dhe shërbimin ndaj fesë e shoqërisë me urtësi dhe përkushtim. Duke iu referuar ajetit kur’anor “O Zoti im, më shto diturinë!”, ai nënvizoi se kërkimi i dijes është një rrugëtim i vazhdueshëm, që kërkon përulësi, këmbëngulje dhe sinqeritet.

Dr. Karaj bëri të ditur se, gjatë pesë viteve të mëparshme, Instituti ka certifikuar mbi 180 studentë. Ai i ftoi pjesëmarrësit ta shfrytëzojnë çdo mundësi mësimi, të pyesin pa hezitim dhe ta shoqërojnë dijen me moral të mirë.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, uroi studentët për fillimin e këtij rrugëtimi dhe vlerësoi kontributin e Institutit në edukimin fetar. Ai theksoi rëndësinë e përvetësimit të njohurive të sakta islame dhe të pasqyrimit të tyre në sjelljen e përditshme, në marrëdhëniet me të tjerët dhe në shërbimin ndaj shoqërisë. Në këtë drejtim, i nxiti studentët ta shoqërojnë mësimin me përkushtim, sinqeritet dhe përgjegjësi.

Studentët i përshëndeti edhe drejtori i Arsimit pranë KMSH-së, Dr. Surja Shehi, i cili theksoi se kërkimi i dijes nuk njeh moshë dhe nuk përfundon me marrjen e një diplome. Ai e vlerësoi programin si një mundësi për thellimin e njohurive dhe shkëmbimin e përvojave, duke nënvizuar se, veçanërisht për imamët dhe myezinët, dija e fituar i shërben një udhëzimi më të mirë dhe një kontributi më të dobishëm ndaj besimtarëve dhe komunitetit.

Në këtë aktivitet foli edhe Dr. Xhemal Saferti, përgjegjës i Departamentit të Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër. Ai u ndal te përgjegjësia e imamëve, myezinëve dhe predikuesve në xhami, duke theksuar se roli i tyre shkon përtej kryerjes së detyrave fetare. Si edukatorë dhe udhërrëfyes moralë, ata kanë një rol të rëndësishëm në formimin e ndërgjegjes fetare dhe qytetare të shoqërisë, çka kërkon dije, përkushtim dhe shembull të mirë personal.

Programi përfshin lëndë themelore si Kur’an, Hadith, Tefsir, Fikh, Hitabet, Moral Islam, Akide dhe Histori Islame, të cilat do të zhvillohen nga myftinj dhe pedagogë të fushës.

Në përfundim të programit, pjesëmarrësit që përmbushin kërkesat mësimore do të certifikohen për njohuritë e përvetësuara, duke hedhur një hap të rëndësishëm në zhvillimin e tyre fetar dhe intelektual.

Galeria e Fotove

Gallery Image 1
1 / 21