Inaugurohet Xhamia e re e Domjes

Në një atmosferë të ngrohtë vëllazërore dhe me pjesëmarrjen e një numri të madh besimtarësh, ditën e djeshme u inaugurua xhamia e Domjes, një vatër e re besimi dhe adhurimi për besimtarët e kësaj zone.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Kryetari i Bashkisë Vorë, z. Blerim Shera, Myftiu i Vorës, z. Ledian Cikalleshi, donatori kryesor i xhamisë, z. Alush Kola, Nënkryetari i KMSH-së, z. Lauren Luli, Drejtori i Vakf-Investimeve, z. Erlis Mosha, imami i xhamisë, z. Korab Shehu, si dhe besimtarë e banorë të shumtë të Domjes.
Ceremonia nisi me prerjen e shiritit simbolik të inaugurimit, duke shënuar kështu hapjen e dyerve të kësaj xhamie, e cila do t'u shërbejë besimtarëve për faljen e pesë namazeve ditore, si dhe në zhvillimin e veprimtarive të ndryshme fetare, edukative e kulturore.
Në fjalën e tij hapëse, Myftiu i Vorës, z. Ledian Cikalleshi, shprehu mirënjohjen për të gjithë kontribuuesit që përmes përkushtimit dhe angazhimit të tyre, bënë të mundur ndërtimin e kësaj vepre me rëndësi të veçantë për jetën fetare të komunitetit.
Më pas, të pranishmit i përshëndeti Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu. Në fjalën e tij, ai falënderoi institucionet vendore për mbështetjen dhe bashkëpunimin, veçanërisht për krijimin e lehtësirave infrastrukturore dhe administrative në realizimin e këtij projekti. Njëkohësisht, ai u bëri thirrje besimtarëve që ta gjallërojnë çdo ditë këtë xhami me praninë e tyre në namazet ditore, me pjesëmarrjen në aktivitetet që do të zhvillohen dhe me përcjelljen e vlerave të besimit islam te brezat e rinj.
Gjatë përshëndetjes së tij, Kryetari Spahiu u ndal edhe te mirësitë dhe vlera e madhe që mbart ndërtimi i shtëpive të Allahut (xh.sh), duke shprehur në përfundim një falënderim të veçantë për donatorin kryesor të xhamisë, z. Alush Kola.
Në vijim, Kryetari i Bashkisë Vorë, z. Blerim Shera, vlerësoi përfundimin e këtij projekti, duke e cilësuar atë si një pasuri të shtuar për jetën fetare, sociale dhe kulturore të zonës.
Një moment i veçantë i ceremonisë ishte fjala e donatorit kryesor, z. Alush Kola, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ndau me të pranishmit emocionet dhe kënaqësinë e veçantë që përjetonte në këtë ditë të rëndësishme për të dhe familjen e tij, duke qenë dëshmitar i përfundimit të një vepre që do t'u shërbejë brezave të besimtarëve.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të çmuar, Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu, i dorëzoi z. Alush Kola një certifikatë mirënjohjeje në emër të institucionit, me motivacionin: “Për kontributin e vyer, bujarinë dhe përkushtimin e çmuar në financimin e plotë të ndërtimit të Xhamisë së Domjes, nga themelet deri në përfundimin e saj...”.
Programi u mbyll me fjalën e imamit të kësaj xhamie, z. Korab Shehu, i cili njëkohësisht drejtoi edhe programin. Ai shprehu mirënjohjen e tij të sinqertë për donatorin, si dhe për të gjithë institucionet dhe individët që kontribuuan në realizimin e kësaj vepre, duke bërë të mundur ngritjen e një vatre ku besimi, adhurimi dhe vlerat islame do të përcillen ndër breza.
Lusim Allahun (xh.sh.) ta shpërblejë me të mirat e Tij të pafundme donatorin, z. Alush Kola, dhe familjen e tij për këtë vepër të çmuar, si dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e saj. Qoftë kjo xhami një burim i vazhdueshëm mirësie, paqeje dhe bashkimi për të gjithë ne!
Galeria e Fotove
