--:--:--
Imsaku--:--
Lindja--:--
Yleja--:--
Ikindia--:--
Akshami--:--
Jacia--:--
3 qershor 2013Lajme

Inaugurohen dy xhami të reja në Tiranë e Durrës

#KMSH#lajme
Inaugurohen dy xhami të reja në Tiranë e Durrës

Sukth, Durrës

Më 31 maj 2013, në prani të drejtuesve të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, të kryesuar nga Kryetari H. Selim Muça, myftiut të Gostivarit Shaqir Fetahu si dhe besimtarëve e banorëve të shumtë u inaugurua  xhamia e re e fshatit Sukth të Durrësit. Kryetari i Komunitetit Mysliman, H. Selim Muça, në fjalën e tij uroi përzemërsisht të pranishmit për këtë investim të rëndësishëm, duke vlerësuar rolin e xhamisë shqiptare në periudha kyçe të historisë së Islamit dhe kombit shqiptar. Ndërsa për ata që ndërtojnë xhami, kryetari Muça rikujtoi hadithin e Pejgamberit a.s.: “Ai që ndërton një xhami, Allahu do t’i sigurojë një shtëpi në xhenet”. Banorët i përshëndeti edhe donatori i xhamisë i ardhur posaçërisht nga Kuvajti, biznesmeni Es’ad Abdul Aziz Es-Sened, i cili falënderoi Komunitetin Mysliman, drejtuesit e pushtetit lokal dhe çdo person kontribuues në realizimin e saj. Hytben e parë të xhumasë e mbajti nënkryetari i KMSH-së H. Bujar Spahiu, i cili e vuri theksin në rolin dhe rëndësinë që ka institucioni i xhamisë në shoqërinë islame. “Falënderojmë Allahun – tha z. Spahiu – që na ka mbledhur në këtë ditë bajrami të përjavshëm, të përurojmë këtë xhami të re. Allahu i nderoftë dhe i shpërbleftë donatorët dhe ndërtuesit e kësaj xhamie dhe të gjithë ata që kontribuojnë për ndërtimin e institucioneve islame.” Xhamia e ndërtuar në qendër të Sukthit ka si pjesë të saj klasa të posaçme për zhvillimin e kurseve të Kur’anit dhe mësim-besimit si dhe ambiente të tjera shërbimi.

Yrshek, Tiranë

Ndërkohë në të njëjtën ditë u inaugurua edhe xhamia e fshatit Yrshek të komunës Kashar në Tiranë, të cilës i është bërë një rikonstruksion total asaj ekzistueses e ndërtuar që në vitet ’94, ‘95. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Myftiu i Tiranës Ylli Gurra, ambasadori i Kuvajtit në Tiranë Najeeb Abdurrahman Al-Bader, donatorët kuvajtianë, Kryetari i Komunës Yrshek, Besnik Fuçia, si dhe dhjetëra besimtarë të cilët kishin kohë që e prisnin këtë ditë. Në fjalën e tij përshëndetëse myftiu i Tiranës Ylli Gurra, theksoi rëndësinë që ka ndërtimi i një xhamie, vend adhurimi për besimtarët myslimanë të cilët po shtohen dita ditës. Ai gjithashtu falënderoi donatorët për këtë dhuratë që i kanë bërë banorëve të kësaj zone. Inaugurimi i saj përkoi me ditën e xhuma dhe hytbeja e parë u mbajt nga myftiu i Tiranës, i cili u shpreh se xhamitë janë struktura qiellore, vatra dije e adhurimi, ku përgatiten individët nga ana shpirtërore por edhe për jetën e kësaj bote, duke përgatitur një individ për të qenë të dobishëm për veten dhe për shoqërinë. Pjesë e xhamisë së ndërtuar në qendër të fshatit Yrshek ka edhe ambiente ku do të zhvillohen kurse mësim-besimi. Kështu, në një ditë të rëndësishme për besimtarët siç është xhumaja, rretheve të Tiranës dhe Durrësit i janë shtuar edhe dy xhami të reja, që plotësojnë nevojat shpirtërore dhe jetësore të besimtarëve dhe qytetarëve të zonave ku ato janë ndërtuar.

Galeria e Fotove

Gallery Image 1
1 / 2