Frytet e besimit ndriçojnë xhaminë Ballie, Elbasan

Në një atmosferë të ngrohtë besimi dhe vëllazërie, Xhamia Ballie në Elbasan mirëpriti mbrëmjen e djeshme ciklin e ligjëratave fetare “Frytet e Besimit”.
Kjo mbrëmje u çel me fjalën përshëndetëse të Myftiut të Elbasanit, z. Agim Duka, i cili vuri theksin në vlerën e duasë si lidhja më e sinqertë mes njeriut dhe Krijuesit, burim paqeje dhe forcë e brendshme e çdo besimtari.
Më pas, Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Taulant Bica, foli mbi rëndësinë e besimit si shtyllë themelore e qëndrueshmërisë shpirtërore dhe morale të njeriut, duke theksuar se ai është udhërrëfyesi që i jep kuptim jetës dhe vlerë çdo veprimi.
Në vijim, z. Erjol Haxhiu, Drejtor i Thirrjes dhe Mesazhit Islam në KMSH, ndau mesazhe të vyera mbi mënyrat e forcimit të besimit dhe pasqyrimin e virtyteve të tij në përditshmëri, si mirësia, durimi dhe ndershmëria.
Në përmbyllje, z. Shpëtim Seranaj, Drejtor i Marrëdhënieve me Besimtarët në KMSH, trajtoi rolin e besimit në ruajtjen dhe forcimin e familjes, duke theksuar se besimi i përbashkët është nyja që bashkon zemrat, ushqen dashurinë dhe mban gjallë mirëkuptimin mes anëtarëve të saj.
Aktiviteti mblodhi besimtarë të shumtë që dëgjuan me vëmendje referimet e ligjëruesve të lartpërmendur.
Galeria e Fotove
