--:--:--
Imsaku--:--
Lindja--:--
Yleja--:--
Ikindia--:--
Akshami--:--
Jacia--:--
14 shtator 2026Lajme

Fillon viti i ri shkollor 2026-2027 në mbarë vendin tonë

#KMSH#lajme
Fillon viti i ri shkollor 2026-2027 në mbarë vendin tonë

Sot nis një tjetër rrugëtim i bukur drejt dijes në Medresenë e Tiranës dhe mbarë shkollat e tjera të vendit tonë.

Me këtë rast, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, ishte i pranishëm në ceremoninë e çeljes së vitit të ri shkollor në Medresenë e Tiranës, së bashku me Drejtorin e Arsimit në KMSH, z. Surja Shehi, Drejtorin e Medresesë, z. Ardit Dragoti, stafin pedagogjik, nxënësit dhe familjarët e tyre.

Në fjalën e tij, kryetari Spahiu përcolli një urim të veçantë për nxënësit e Medresesë, duke i nxitur që dijen ta shoqërojnë gjithmonë me përkushtim, edukatë të mirë dhe përgjegjësi, ndërsa mësuesve u shprehu mirënjohjen për misionin e tyre në edukimin dhe formimin e brezit të ri.

“Të dashur nxënës, përkushtojuni dijes, kultivoni edukatën dhe mos reshtni së ëndërruari e së punuari për të ardhmen tuaj. Besoj se me punë, vullnet dhe mbështetjen e mësuesve e familjeve tuaja, çdo sfidë do të shndërrohet në një mundësi për t’u rritur dhe për të arritur më shumë. Suksesi juaj është gëzim për familjet tuaja dhe një kontribut i çmuar për të ardhmen e vendit tonë!” – u shpreh ai.

Në fjalën e tij, Drejtori i Arsimit pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Shehi, theksoi rëndësinë e dijes dhe edukimit në formimin e brezit të ri, duke u ndalur te vlerat islame që duhet ta shoqërojnë këtë proces.

Ndërsa, Drejtori i Medresesë, z. Dragoti, i inkurajoi nxënësit që të synojnë lart, të punojnë me përkushtim dhe të mos u druhen sfidave, duke e shoqëruar dijen me karakter, modesti, respekt dhe integritet.

Më tej, nxënësit u shpërndanë nëpër klasa, duke nisur orët e para të mësimit dhe duke filluar kështu ditën e parë të një tjetër viti shkollor në rrugëtimin e tyre të bukur drejt dijes.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ju uron suksese të gjithë nxënësve në vitin e ri shkollor 2026–2027!

Galeria e Fotove

Gallery Image 1
1 / 9