Besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin

Besimtarët myslimanë në mbarë vendin kanë festuar që në orët e para të mëngjesit Festën e Kurban Bajramit, një nga festat më të rëndësishme dhe më domethënëse të kalendarit islam, e cila mishëron vlerat e besimit, sakrificës, solidaritetit dhe përkushtimit ndaj Zotit.
Ceremonia qendrore e faljes së Bajramit u zhvillua në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku mijëra besimtarë u mblodhën për të marrë pjesë në këtë aktivitet të rëndësishëm fetar. Një atmosferë e ngjashme u reflektua edhe në qytetet e tjera të vendit, ku sheshet dhe xhamitë kryesore u mbushën me besimtarë të cilët iu bashkuan ritualeve tradicionale të kësaj feste.
Programi i Kurban Bajramit nisi me leximin e disa ajeteve kuranore nga hafizi Enes Hyka.
Në vijim, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, përcolli mesazhin e tij për besimtarët dhe opinionin publik, duke bërë thirrje për më shumë kujdes dhe vëmendje ndaj shtresave në nevojë, të moshuarve, jetimëve dhe të gjithë atyre që përballen me vështirësi sociale apo ekonomike.
“Sot, kur familjet tona mblidhen rreth sofrës së Bajramit, të mos harrojmë ata që nuk kanë një sofër të plotë. Të mos harrojmë të moshuarit që presin një telefonatë, një trokitje dere apo një përqafim. Të mos harrojmë familjet në nevojë, jetimët, njerëzit që përballen me vështirësi ekonomike, me vetmi apo me sëmundje. Vlera e kësaj feste nuk matet me atë që kemi në tryezë, por me atë që kemi në zemër.” – theksoi ai.
Në përmbyllje, ai uroi që Kurban Bajrami të shërbejë si një moment reflektimi, pajtimi dhe afrimi mes njerëzve, ndërsa përcolli lutje për paqe, begati dhe mirësi për të gjithë besimtarët, si dhe urime të veçanta për haxhinjtë shqiptarë që ndodhen në vendet e shenjta.
“Le të jetë kjo festë një moment pajtimi në familjet tona. Një moment afrimi mes njerëzve. Një moment reflektimi për të qenë më të drejtë, më të ndershëm dhe më të dhembshur. Lusim Allahun që ta pranojë adhurimin, lutjet dhe kurbanet tona. Lusim Allahun të sjellë paqe në zemrat tona, në familjet tona dhe në mbarë botën. Një urim të veçantë ua përcjellim edhe të gjithë haxhinjve shqiptarë që ndodhen në Mekë dhe Medinë. Allahu ua pranoftë Haxhin, lutjet dhe çdo adhurim të tyre, i ktheftë shëndoshë e mirë pranë familjeve të tyre!” - përfundoi ai.
Ceremonia vijoi më tej me ligjëratën e Nënkryetarit të KMSH-së, z. Taulant Bica, i cili u ndal te mesazhi i thellë shpirtëror i kësaj feste, duke theksuar se historia e Profetit Ibrahim (a.s.) dhe Ismailit (a.s.) nuk është thjesht një ngjarje historike, por një shembull i besimit, bindjes dhe sakrificës ndaj Zotit. Ai nënvizoi se kuptimi i vërtetë i kurbanit shkon përtej sakrificës materiale, duke i ftuar besimtarët të “flijojnë” veset dhe dobësitë e tyre, si egoizmin, materializmin, krenarinë, urrejtjen dhe padrejtësinë.
Gjithashtu, ai ngriti shqetësimin për ngjarjet e rënda që kanë prekur shoqërinë shqiptare kohët e fundit, duke përmendur rastet e vetëvrasjeve, aksidenteve automobilistike dhe incidenteve që kanë përfshirë fëmijë e të rinj. Në këtë kontekst, Nënkryetari Bica theksoi nevojën për më shumë përgjegjësi në të gjitha nivelet e shoqërisë, si në aspektin institucional, ashtu edhe në atë qytetar e moral. Ai vuri në dukje se jeta është e shenjtë dhe një amanet hyjnor që duhet mbrojtur e respektuar, duke bërë thirrje për ndërgjegjësim, kujdes dhe angazhim më të madh në mbrojtje të dinjitetit dhe mirëqenies së çdo njeriu.
Programi kulmoi me faljen e namazit të Kurban Bajramit, ku mijëra besimtarëve të mbledhur në bulevard u priu Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu.
Pas përfundimit të faljes së namazit të Bajramit, hutben e rastit e mbajti Myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja, i cili u ndal te dimensioni social dhe njerëzor i kësaj feste të madhe.
Duke vënë në pah rëndësinë e kujdesit ndaj familjes, të afërmve, fqinjëve dhe veçanërisht ndaj atyre që përballen me vështirësi, Myftiu Teqja nënvizoi se madhështia e kësaj feste nuk qëndron vetëm te kremtimi, por mbi të gjitha te reflektimi shpirtëror dhe gatishmëria për të shtrirë dorën e ndihmës ndaj tjetrit. Ai bëri thirrje për tejkalimin e mosmarrëveshjeve, zemërimeve dhe hatërmbetjeve, duke theksuar se mesazhi i vërtetë i Bajramit realizohet atëherë kur fryma e tij përkthehet në vepra konkrete mirësie, duke zbutur zemrat dhe duke forcuar harmoninë në shoqëri.
Në përfundim të programit, besimtarët e shumtë të mbledhur me këtë rast shkëmbyen mes tyre urimet më të përzemërta të kësaj dite të mbushur me paqe, dashuri, solidaritet dhe sakrificë.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ju uron të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë e punojnë: Gëzuar Kurban Bajramin!
Galeria e Fotove
