Ambasadori i ri i Kuvajtit visiton KMSH-në

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, priti sot në një vizitë kortezie Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin e Shtetit të Kuvajtit në Shqipëri, z. Mohsen Obaid Alajmi, në vizitën e tij të parë zyrtare në selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë pas marrjes së detyrës diplomatike në vendin tonë.
Fillimisht, kryetari Spahiu i uroi ambasadorit suksese në përmbushjen e misionit të tij diplomatik. Më pas, ai u ndal në marrëdhëniet e mira që karakterizojnë dy vendet tona, Shqipërinë dhe Kuvajtin, si dhe në bashkëpunimin e vazhdueshëm në fusha me interes të përbashkët.
Nga ana e tij, ambasadori shprehu vlerësim për rolin dhe kontributin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në ruajtjen dhe promovimin e harmonisë ndërfetare dhe të vlerave të bashkëjetesës në shërbim të shoqërisë shqiptare.
Më tej, të dy krerët shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe komunikimit të ndërsjellë në të ardhmen.
Gjatë këtij takimi, ambasadori i ri i Kuvajtit në vendin tonë shoqërohej nga z. Adnan Al-Ghunaim, i Ngarkuar me Punë pranë Ambasadës së Kuvajtit, ndërsa kryetari Spahiu shoqërohej nga z. Jamal Alsafarti, këshilltari i kryetarit për marrëdhëniet me vendet arabe, drejtori i kabinetit, z. Aurel Çani, dhe Myftiu i Gjirokastrës, z. Ermir Gjana.
Galeria e Fotove
