--:--:--
Imsaku--:--
Lindja--:--
Yleja--:--
Ikindia--:--
Akshami--:--
Jacia--:--

Historiku i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

Rrugëtimi historik i KMSH-së

1923
Themeluar 1923

Shpallja e pavarësisë i gjeti udhëheqësit e dijetarët myslimanë shqiptarë në krye të momenteve historike të vendit tonë dhe ishin pikërisht këta prijës, të cilët do të unifikonin institucionet islame në vendin tonë nëpërmjet zhvillimit të disa kongreseve kombëtare. Ai që shënoi edhe pikënisjen drejt institucionalizimit të Bashkësisë Islame, ishte Kongresi i Parë i mbajtur më 24 shkurt deri më 12 mars 1923, që hodhi edhe themelet në formimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. 

Nismëtarët, organizatorët dhe pjesëmarrësit e Kongresit qenë veprimtarë të dalluar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në periudhën e fundit të sundimit osman. Ata kishin marrë pjesë aktivisht në lëvizjen për organizimin e klubeve atdhetare, për hapjen e shkollave kombëtare, për përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe me alfabetin latin. Për të ilustruar sa u tha më sipër, mjafton të kujtojmë qëndrimin atdhetar dhe të vendosur që Haxhi Vehbi Dibra, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu e të tjerë mbajtën në Kongresin e Dibrës, të vitit 1909.[1]

Nga gjysma e dytë e dhjetorit 1922, Haxhi Vehbi Dibra, i paraqiti qeverisë për miratim projektin e statutit të Xhematit Mysliman Shqiptar, për hartimin e të cilit kishte punuar nën kryesinë e tij, një komision i posaçëm i përbërë nga intelektualët më në zë të drejtuesve fetarë.[2]

Gjyqi i Naltë i Sheriatit i drejtohet Kryeministrisë me një shkresë nr. 51, datë 28.01.1923 dhe e njofton se, meqë e shikon të nevojshme një Këshill të Myslimanizmës (Xhema’ati Islamije), për të cilin është folur e kërkuar shumë herë verbalisht edhe nga ana e popullit mysliman, ka caktuar që të bëhet një mbledhje për formimin e këshillit në fjalë me 20 shkurt 1923.[3] Këshilli Ministror me vendim nr. 57, datë 29.01.1923 i jep lejen e kërkuar Gjyqit të Naltë të Sheriatit për të bërë mbledhjen e përgjithshme më 20 shkurt 1923 për formimin e Këshillit të Myslimanizmës (Xhema’ati Islamije) e kërkuar shumë herë prej popullit shqiptar mysliman.[4]

Gjyqi i Naltë i Sheriatit u dërgon më vonë letër Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bashkisë së Tiranës dhe shoqërisë Djelmnia Dibrane, ku u bën të ditur që mbledhja e planifikuar për datën 20 shkurt do të shtyhet në datën 24 shkurt në orën 09.00, për arsye se disa delegatë nuk arrijnë dot në kohë. Kongresi i filloi punimet në Tiranë, më 24 shkurt 1923, në ndërtesën e shoqërisë “Djelmnia Dibrane”, kryetar i së cilës ishte patrioti Dervish Hima.[5] Aty morën pjesë 36 delegatë nga i gjithë vendi.

Kongresi u përgatit dhe u hap me fjalën e H. Vehbi Dibrës, kryemyftiu i parë i Shqipërisë, emëruar nga qeveria e Ismail Qemalit menjëherë pas Shpalljes së Pavarësisë. Në fakt, pavarësia e xhamisë shqiptare fillon qysh me këtë vendim, me idenë e qeverisë së Ismail Qemalit për ta emëruar vetë (pa marrë pëlqimin e Stambollit) kryemyftiun e vendit. Kongresi vetëm do t’i jepte karakter traktateve të kësaj pavarësie.

Në përfundim të punimeve më 12 mars 1923, Kryetari i Kongresit Mysliman Shqiptar Haxhi Vehbi Dibra i drejtoi Kryeministrisë një letër ku e vinte në dijeni se Kongresi i kishte mbyllur punimet me sukses të plotë, duke zgjedhur në bazë të neneve 6 dhe 7 të statutit edhe anëtarët e Këshillit të Naltë të Sheriatit. Zgjedhjet u përfunduan si vijon: Z. Vehbi Dibra, vota 30 – dijetar (zgjidhet Kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar); z. Hafiz Ali Korça, 29 vota – dijetar; z. Vejsel Nailiu 27 vota – dijetar; z. Haxhi Adem Bab 28 vota – tarikat; z. Sheh Ibrahim Karbunara 26 vota – tarikat. Nga civilët: Qamil Bala, vota 28 – civil; Reshat Kokalari 20 vota – civil; Drejtor i Përgjithshëm i Vakfeve u zgjodh z. Salih Vuçiterni me 32 vota.[6] Me vendimet që mori, ai shënon një ngjarje të rëndësishme historike, jo vetëm për besimtarët e fesë islame, por për mbarë popullin shqiptar.

Kongresi hartoi Statutin, u mor me organizimin, caktoi kompetencat dhe të drejtat e tij, në pajtim me ligjet e shtetit në fuqi. Komuniteti doli si ent më vete; organizoi udhëheqësit fetarë, nëpunësit fetarë, shkollat dhe gjykatat fetare, të cilat zbërthenin çështjet me karakter fetar – kurorëzime, divorce, trashëgimi dhe pasojat e tyre si dhe administronin pronat vakfnore.[7]

Administrata e Komunitetit Mysliman është vendosur fillimisht në godinën e Mejtepit në Pazarin e vjetër, tashmë i shkatërruar. Kurse ndërtesa e Komunitetit Mysliman u ndërtua në fillim të viteve 1930-të pranë Xhamisë së Vjetër (Sulejman Pasha), e cila është prishur me ndryshmet urbanistike që ka pësuar Tirana në vitin 1967.[8]

Komuniteti Musliman ka nën kontroll dhe dirigjon të gjithë funksionarët fetarë të Elementit Musliman Shqiptarë, të cilët i udhëheq që, pasi të kryejnë detyrat fetare që kanë marrë përsipër, t’iu japin besnikëve të vet edukatën fetare, paralel me edukatën kombëtare e shoqërore. Veçanërisht i ka dhënë një rëndësi të posaçme propagandës së dashurisë e të vëllazërisë së elementeve. Mjetet me të cilët Komuniteti është përpjekë për t’i vu në veprim këto qëllime janë financiare, administrative e kulturale... Aktiviteti kultural i Komunitetit zhvillohet nëpërmjet institutit të naltë të Medresesë, nëpërmjet vaizëve, hatibëve, mësuesve të besimit, e mbi të gjitha nëpërmjet revistës “Zani i Naltë”. Tashmë në kohët e fundit, u janë shtuar këtyre mjeteve edhe (degët kulturale) të krijuara pranë disa zyrave të Komunitetit...”[9]

Historia e viteve që pasuan me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, e në vazhdim, do të ishte shumë e ashpër me besimin dhe besimtarët. Regjimi fashist kishte grabitur të drejtat legjitime e statusore Komunitetit Mysliman, duke mos lejuar që të zgjedhë vetë parinë fetare. Më 9 qershor të vitit 1942, pushtuesit italianë ndërmorën një riorganizim të fesë islame në Shqipëri, duke zëvendësuar Këshillin e Përgjithshëm të Bashkësisë Islame, me një Këshill të Ulemave, pesë anëtarët e të cilit emëroheshin që të gjithë nga Mëkëmbësi.[10] Kryetari i ri i myslimanëve shqiptarë, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Ulemave, ishte nga 16 qershori i vitit 1942, Hafiz Sherif Langu, me origjinë nga Dibra e Madhe.

Sigurisht që për formimin e Këshillit të Ulemave pati kontestime të forta nga rrethet e Shqipërisë, sepse jo vetëm suprimonte organet më të mëdha drejtuese të Komunitetit Mysliman, por as nuk ekzistonte fare brenda në statutin e këtij Komuniteti, që ishte hartuar duke u mbështetur te konsensusi i arritur nga kongreset e myslimanëve.[11] 

Në dekretin e Mëkëmbësit thuhej se “kemi dekretuar Hafiz Ali Korçën si nënkryetar të Këshillit të Ulemave, por ai deklarohet dorëheqës se nuk është paraqitur në detyrë”, dhe në vend të tij dekretohet z. Dervish Hilmi Islami.[12] Po ashtu, edhe Sheh Qazim Hoxha jep dorëheqjen si nënkryetar i Këshillit të Ulemave sipas lutjes nr. 326. Ferid Vokopola dorëhiqet me datë 10 qershor 1942 si drejtor i përgjithshëm i vakfeve dhe në vend të tij vendoset Salih Vuçiterni.[13] Kështu, Komuniteti Mysliman punoi pa Statut deri në vitin 1945.

Pas çlirimit të vendit, komunizmi filloi të depërtojë në Shqipëri nëpërmjet një propagande të organizuar mirë. Vuajtjet u bënë pjesë e jetës së besimtarëve për më shumë se gjysmë shekulli, sepse më shumë se çdokush tjetër dhe mbi çdo torturë fizike, besimtarëve iu mohua përkujtimi i Zotit, iu ndrydh ndërgjegjja, iu ndalua besimi dhe komunikimi që ata kishin me Krijuesin e tyre. Politika komuniste bëri një propagandë të ashpër përbuzjen e fesë, nëpërmjet shtypit, radios, formave të edukimit, kinemasë, pjesëve të leximeve shkollore dhe edukimit.

Megjithatë, komunistët nuk ndërmorën menjëherë masa të hapura armiqësore ndaj institucioneve fetare, pasi një gjë e tillë do t’i dëmtonte shumë si veprime të parakohshme. Për më tepër, qeveria komuniste e ndjente shumë nevojën e mbështetjes së fesë, dhe mundësisht ta kishte në krah për probleme të mprehta të kohës. Në këto rrethana, regjimi i ri vendosi t’i dobësonte gradualisht institucionet fetare, t’ua nënshtronte ato shtetit, t’i përdorte për sa kohë ato mbështetnin shtetin dhe programin e qeverisë, e pastaj t’i zhdukte.

Këshilli i Përkohshëm, për të kthyer edhe një herë në fuqi dispozitat e statutit të Kongresit të tretë të 1929, ku Këshilli i Përgjithshëm është organi më i lartë drejtues i Komunitetit Mysliman, në mbledhjen e datës 10.03.1945 vendosi, sipas nenit 5 të statutit të KMSH, mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm dhe organizimin e mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm më 1 maj 1945.[14]

Këshilli i Përgjithshëm u mblodh më 2 maj dhe i mbylli punimet më 15 maj 1945. Këshilli i Përgjithshëm me vendimin nr. 1 dt. 02.05.1945, me vota unanime vendosi zgjedhjen definitive të hirësisë së tij Hafiz Musa Basha si kryetar të Komunitetit Mysliman Shqiptar, duke kryer të gjitha formalitetet e rastit, sipas dispozitave të Statutit që është në fuqi. Kurse në mbledhjen e datës 14.05.1945, me vendimin nr. 3, zgjodhi unanimisht anëtarët e Këshillit të Përhershëm zotërinjtë: Muharrem Mullahi - kryemyfti i zonës së Tiranës,  Hamdi Këlliçi, Prof. Sadik Bega - drejtor i revistës “Kultura Islame.”[15]

Reformat juridike dhe arsimore suprimuan arsimin fetar nga shkollat publike. Ministria e Arsimit urdhëroi ndalimin e dhënies së mësimit të besimit, megjithëse ai jepej vetëm një orë në javë që nga koha e monarkisë.[16] Në shkresën e Ministrisë së Arsimit me nr. 203/1 datë 23.03.1946 theksohet: “Mësimi i besimit nuk do të zhvillohet më në shkollat e shtetit dhe kështu, mësuesit e deritanishëm janë larguar nga shkollat ku jepnin mësim.”[17] Për t’u bërë bisht këtyre masave shtrënguese, kleri zgjodhi rrugën e mësimit të fesë në mjedise private të njerëzve të thjeshtë. Mirëpo edhe kjo praktikë u ndalua nga një qarkore e ministrisë në shkurt të vitit 1947. 

Për t’i vënë fre ndikimit fetar, kleri jo vetëm që u kufizua nëpër xhami e kisha, por edhe në ato mjedise shteti ndërhynte shpesh. Në përpjekje për të shtypur kritikat që mund të vinin nga klerikët, shteti komunist në fillim vuri censurë mbi shtypin fetar, pastaj e ndaloi fare atë me pretendimin se “nuk ka letër”. Edhe për të botuar kalendarin e thjeshtë, që Komuniteti Mysliman botonte çdo vit, i cili tregonte kohën kur duhet të fillonin e mbaronin 5 lutjet e ditës, kur fillonte muaji i Ramazanit, kur binin festat fetare, etj., duhej të merrej leje nga qeveria.[18]

Në Arkivin Qendror të Shtetit, ndërmjet viteve 1947-1949, mësojmë të kenë ndodhur shumë arrestime e burgosje të hoxhallarëve dhe intelektualëve myslimanë si, Drejtori i Medresesë së Tiranës - Hafiz Ismet Dibra, Kryemyftiu i Gjirokastrës, Myftiu i Durrësit - Mustafa Varoshi, Nënmyftiu i Lumës - Sheh Ali Bogdani, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hasan Tahsini, Jonuz Buliqi, Vexhi Buharaja, Shaban Demiraj, Enver Beqiri, Myftiu i Burrelit - Musa Jahjai, Myftiu i Kukësit - Adem Salihi, Zv/myftiu i Tropojës - Agim Jahjai, Kryemyftiu i Korçës - Hafiz Xhafer Aliu, Hafiz Xhemal Mullaj, etj.

Gjatë viteve 1945 – 1966 u shkatërruan apo u tjetërsuan pothuajse të gjitha xhamitë. Kjo ofensivë u kurorëzua në vitin 1967 me shkatërrimin e plotë të institucioneve fetare dhe të bazës së tyre materiale, me persekutimin e të gjithë elementëve fetarë, hoxhallarë, priftërinj e baballarë dhe, shpesh, me vënien e tyre në bankën e të akuzuarve. Kjo luftë u paraqit si një kërkesë e “vetë masave popullore”, veçanërisht e organizatës së rinisë, e cila gjoja ishte ndërgjegjësuar për likuidimin e fesë, se “nuk besonte”.[19] 

Ndalimi i fesë u ligjësua edhe me Kushtetutën e re të miratuar më 28 dhjetor 1976 nga Kuvendi Popullor, duke u bërë kështu vendi i parë dhe i vetëm ateist në botë. Duhet theksuar se në asnjë vend tjetër komunist nuk u veprua me fenë në mënyrë kaq radikale. Përpjekjet që u bënë në Shqipëri për eliminimin e institucioneve dhe praktikave fetare, ishin më të mëdha për nga gama dhe intensiteti, madje, të pakrahasueshme me ato të ndjekura nga Bashkimi Sovjetik, Kina dhe nga shtetet e tjera partiake të Evropës Lindore. 

Duke i ndarë në periudha, mund të themi se deri më 1967 u bë likuidimi fizik dhe organizativ i klerit, ndërsa pas kësaj periudhe u vazhdua programi me likuidimin total të objekteve të kultit, duke mos kursyer as ato që konsideroheshin monumente të kulturës, dhe kjo si rrjedhojë e të ashtuquajturit revolucion kulturor. Predikues të të gjitha besimeve fetare vuajtën fate të përbashkëta, u ndaluan të predikonin, u internuan ose u burgosën për veprimtari kundër regjimit komunist. Qindra prijës fetarë u persekutuan, u ekzekutuan, u vranë apo vdiqën nëpër burgje. Pasuritë e të gjitha bashkësive fetare u konfiskuan dhe një pjesë u shkatërruan.[20]

Kur erërat e ndryshimeve frynë në Shqipëri, në fillim të viteve ’90-të, pati kërkesa për rikthimin e lirisë fetare. Në përgjigje të këtyre kërkesave, qeveria shqiptare, në vitin 1990, pranoi të lejonte praktikimin publik të fesë, të hiqte ndalimin dhe ndëshkimin për botimin e literaturës fetare dhe të lejonte organizatat dhe institucionet fetare të funksiononin lirisht. Këto nisma nga ana e qeverisë shqiptare shënuan fundin e luftës institucionale kundër fesë dhe fillimin e një epoke të re në këtë drejtim.

Pas 23 viteve të ndalimit të fesë me ligj, Zoti bëri të mundur që me datë 16 nëntor 1990, të rihapet xhamia e parë në Shqipëri, ajo e Plumbit në Shkodër. Rihapja e xhamisë së Plumbit ishte shkëndija e parë, që dha sinjalin se Islami jo vetëm që nuk ish harruar, por vazhdonte të ishte i gjallë e i freskët në zemrat e shqiptarëve. Një ftesë me foton e Xhamisë së Plumbit qarkullonte në njerëz me këtë tekst: “Me dt. 16.11.1990 ora 12.00 te Xhamia e Plumbit falet dita e xhumasë. Keni nderin të faleni brenda xhamisë.” Komisioni

Gjatë një interviste e pyetën Hafiz Sabri Koçin: “A menduat për pasojat që mund të kishit në drejtimin e kësaj ceremonie?” Ai u përgjigj: “Duke kujtuar të gjitha vuajtjet e mundimet, nuk kisha se çfarë të humbisja. Përkrahur nga djemtë dhe i ftuar nga rinia e mrekullueshme shkodrane, unë e ndjeja veten superior ndaj atyre që duhej të kisha frikë.[21]

Hapi i parë në ringritjen e Komunitetit Mysliman është bërë me datë 16.11.1990, pas mbarimit të ceremonisë së hapjes së xhamisë së Plumbit në Shkodër. Një grup nismëtarësh, i përbërë nga 20 persona, me në krye Hafiz Sabri Koçin, u mblodhën dhe morën tre vendime në këtë drejtim.

Vendimet: 

  1. Krijohet kryesia e përbërë nga këta anëtarë të përkohshëm: Hafiz Sabri Koçi, Xhevdet Lluja, Nut Dragusha, Sheuqet Bushati, Xhevat Myftija, Hamit Lluja, Rifat Berdica, Rasim Sokoli, Daut Logu, Rasim Zekja, Abdyl Sokoli, Mit’hat Myftia, Hamza Cungu, Ferid Lluja, Minir Koçi, Abdullah Myftia, Iljaz Pateriku, Faik Zaganjori, Selim Jakupi, Lutfi Berdica.
  2. Të dërgohet në Ministrinë e Drejtësisë për aprovim. 

a) Krijimi i Bashkësisë, 

b) Programi, 

c) Statuti.

  1. Deri në miratimin zyrtar, përkohësisht, u vendos që kryetar i Bashkësisë të jetë Hafiz Sabri Koçi dhe sekretar Mit’hat Myftia.

Procesverbali është firmosur nga Kryetari Hafiz Sabri Koçi, Sekretari Mit’hat Myftia dhe për komisionin nismëtar nga Ferit Hamid Lluja.[22]

Z. Ferit Lluja paraqitet te Ministri i Drejtësisë, Enver Halili, dhe i dorëzon kërkesën për formimin e Bashkësisë Islamike Shqiptare, statutin dhe programin e saj. Më datë 23.01.1991, Ministria e Drejtësisë, drejtoria e Kodifikimit, lëshon urdhrin nr. 2/1 për miratimin dhe krijimin e shoqatës “Bashkësia Islamike Shqiptare”. Në këtë urdhër thuhet:

Në ministrinë e Drejtësisë është paraqitur kërkesa për miratimin e krijimit të shoqatës “Bashkësia Islamike Shqiptare” dhe për regjistrimin e saj. Kërkesës i bashkëngjitet programi i veprimtarisë dhe statuti i kësaj shoqate.

Mbasi u njoha me këto materiale, konstatova se përmbajtja e programit dhe e statutit të shoqatës pajtohen me përmbajtjen e ligjës “Për organizatat shoqërore që nuk ndjekin qëllime ekonomike”

Urdhëroj

  1. Miratimin e kërkesës për krijimin e shoqatës “Bashkësia Islamike Shqiptare”, regjistrimi i saj u bë në regjistrin përkatës dhe depozitimi i dokumenteve në arkivin e kësaj ministrie.
  2. Kopja e këtij urdhri t’i dërgohet shoqatës “Bashkësia Islamike Shqiptare”.
  3. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.[23]

                                                                                                         Ministri

                                                                                                                 (Enver Halili)

 

Rihapjet e xhamive anembanë vendit pasuan me hapa të shpejta. Mund të përmendim xhaminë Mbret në Berat, e cila u rihap më 14.12.1990, xhaminë e Plumbit në Vlorë, e cila u rihap më 11.01.1991, xhaminë e Kokonozit (pazari i ri) në Tiranë, e cila u rihap më 18.02.1991, xhaminë Fatih në Durrës, e cila u rihap më 07.03.1991, xhaminë e madhe në Durrës, e cila u rihap më 24.03.1991, xhaminë në qytetin e Fierit, e cila u hap më 12.04.1991, xhaminë në Koplik, e cila u hap më 21.04.1991, xhaminë në Patos, e cila u hap më 07.12.1991, etj.[24] 

Shumë prej xhamive të Tiranës qenë shndërruar ose rrënuar dhe trualli i tyre ishte zëvendësuar me ngrehina të tjera, por, për fatin e mirë, xhamia “Et’hem Beu”, e cila bashkë me kullën e sahatit ishin bërë simbol i kryeqytetit në çdo imazh fotografie apo pikture që përfaqësonte Tiranën, arriti t’i shpëtonte tiranisë së komunizmit, duke u rihap sërish më 18 janar të vitit 1991.

Dr. Shefqet Ndroqi, në bllokun e tij të kujtimeve shkruan: “... mbledhja e parë është bërë në shtëpinë e Iljas Alimehmetit... Mes tjerash u vendos që të thirrej në Tiranë Hafiz Sabriu dhe këtu të krijohej Komuniteti Musliman Shqiptar, mbasi në Tiranë veprimtaria ishte më e madhe, këtu mund të mbaheshin lidhjet me qeverinë, me ambasadat, me delegacionet e huaja. Kjo ishte më e arsyeshme. U caktua një komision që shkonte në Shkodër, të takonte Hafiz Sabri Koçin. U caktova unë (Dr. Shefqet Ndroqi), z. Bardhyl Fico, z. Ramazan Rusheku dhe z. Zyher Naim. Shkuam në Shkodër te Hafiz Sabriu dhe i kemi shtruar kërkesën tonë. Hafizi parimisht ishte dakord, por duhej të merrej mendimi i Këshillit të Përkohshëm me qendër në Shkodër, të krijuar më parë. U vendos që të bëhej një mbledhje e gjerë në Tiranë.

Duke filluar me organizime të vogla, u arrit deri aty ku më 14 shkurt 1991 të bëhej kuvendi i parë islam në Tiranë, në të cilën u miratua Statuti i Komunitetit Mysliman dhe organet përkatëse të këtij Komuniteti. Në gazetën “Drita Islame” të muajit janar 1994 citohet: “Puna organizative u përhap në të gjitha qytetet kryesore të vendit dhe më 14 shkurt 1991 u bë e mundur mbledhja e parë me përfaqësues nga të gjitha krahinat e vendit, që u zhvillua në Pallatin e Kulturës ‘Ali Kelmendi’ në Tiranë. Aty u miratua programi i Bashkësisë Islame të Shqipërisë dhe u zgjodh kryesia e përbërë prej Hafiz Sabri Koçit (Kryetar), Salih Ferhatit (Nënkryetar), Sali Tivarit (Sekretar i përgjithshëm), Ramazan Rushekut (Drejtor i financës dhe vakfit) dhe Ismail H. Muçej (Drejtor i kulturës dhe shtypit).”[25] “Më 14 shkurt 1991 Hafiz Sabri Koçi, për të mirën e Bashkësisë Islame dhe së ardhmes së islamizmit në Shqipëri, u zgjodh kryetar i Komunitetit Musliman të Shqipërisë.[26]

Statuti i Bashkësisë Islame të Shqipërisë (Komuniteti Mysliman) është hartuar fillimisht në Kongresin e Parë Mysliman Shqiptar, në vitin 1923. Një ndryshim i madh, këtij statuti i është bërë në Kongresin e dytë Mysliman Shqiptar, në vitin 1925. Ndërsa në vitin 1929, Kongresi i tretë Mysliman Shqiptar hartoi një statut pothuajse të ri, sipas ligjit të ri të feve në fuqi, i cili zgjati deri në vitin 1942, kur italianët fashistë e pezulluan për të ngritur një strukturë tjetër në Komunitetin Mysliman.

Në vitin 1945, statuti i vitit 1929 hyri përsëri në fuqi, sigurisht i riparë. Me disa ndryshime, ky statut u rihartua në vitin 1950, në bazë të ligjit të ri të feve të vitit 1949. Deri në vitin 1967, statuti u ndryshua disa herë, sipas dëshirave të regjimit komunist.

Pas regjimit komunist, statuti i parë i Komunitetit Mysliman u hartua në vitin 1991. Me kalimin e viteve, në bazë nevoje dhe përmirësimi, statuti i KMSH është ndryshuar përkatësisht në vitet 1993, 1998, 2002, 2005, 2007, 2008, 2010, 2012, 2013, 2014.., ndryshime këto të depozituara në Gjykatën e rrethit Tiranë. 

Sipas statistikave, përpara vitit 1945, në territorin e Shqipërisë ndodheshin 1127 xhami, 17 medrese dhe 1306 hoxhallarë.[27] Numri i xhamive në shkresën e kryetarit të KMSH drejtuar Këshillit të Përhershëm, të datës 10.11.1965, ishte 692.[28] Sipas një bilanci provizor të fundit të vitit 1999, Komuniteti Mysliman kishte rreth 562 kuadro që i prinë popullit për të realizuar ritet fetare në qytete dhe fshatra. Deri në vitin 2000 janë ndërtuar 224 xhami të reja, kryesisht nëpër fshatra. Kështu, duke përfshirë edhe ato të trashëguara apo të përshtatura për vende faljeje, deri në vitin 2000 rezultonin 370 xhami e mesxhide[29] dhe 7 medrese.

Sot, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ndjek veprimtarinë fetare nëpërmjet 35 myftinive. Ai numëron rreth 900 xhami. Në sistemin arsimor të tij, KMSH zotëron 4 medrese që shtrihen në qytetet Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Elbasan, ku mësojnë me mijëra nxënës, vajza e djem, si dhe Institutin e Studimeve Islame “Bedër” në Tiranë. Boton në mënyrë periodike dy revista zyrtare: “Drita Islame” dhe “Zani i Naltë”. Në faqet zyrtare online të KMSH-së (kmsh.al - dritaislame.al - zaninalte.al), si dhe në rrjetet sociale, facebook, X dhe instagram, do të gjeni informacione të ndryshme e të rekomanduara rreth fesë Islame dhe organizimit të KMSH, strukturave të funksionimit të tij dhe aktualiteteve të ndryshme me karakter fetar islam.

 

 

 

 

 

 

 


 

[1]. Gazmend Shpuza (Prof. Dr.), Kongresi i Parë Mysliman Shqiptar (1923), sanksionim i mëvetësisë së Bashkësisë Islame të Shqipërisë dhe themel i zhvillimit kombëtar dhe bashkëkohor të saj, revista “Zani i Naltë”, nr. 26 (179), janar, shkurt, mars 2019, viti VII (XXI) f. 75-76.

[2]. AQSH, fondi 882, viti 1922, dosja 668, fleta 48. Parashtresë e Myftiut të Përgjithshëm Haxhi Vehbi Dibra, dërguar Kryesisë së Këshillit të Ministrave për formimin e Xhematit Mysliman Shqiptar, 16.12.1922.

[3]. AQSH, fondi 482, viti 1923, dosja 4, fleta 2.

[4]. AQSH, fondi 482, viti 1923, dosja 4, fleta 3.

[5]. AQSH, fondi 482, viti 1923, dosja 4, fleta 11. Disa ditë më parë Myftiu i Përgjithshëm Haxhi Vehbi Dibra, i dërgonte Dervish Himës një shkresë ku ndër të tjera e njoftonte se: “Gjyqi i Naltë i Sheriatit, ka pas shpallun për një mbledhje të përgjithshme këtu në kryeqytet prej përfaqësuesve të popullit mysliman, të dërguar nga çdo prefekturë e nënprefekturë. Kjo mbledhje, qe caktuar të hapet me 20 shkurt 1923, por tue mos muejt me mbritë në kohë disa prej delegatëve, u shty dhe u vendos që të hapet me 24 shkurt në orën nëntë, para dite, në ndërtesën e shoqërisë “Djelmnia Dibrane”, e cila kryesohet nga ana e z. suaj. Pra lutemi që ndërtesa në fjalë të stoliset e të rregullohet sikurse duhet, tue caktua posaçërisht vendet e delegatëve, të dëgjuesve, të sekretarisë dhe të përfaqësuesit të qeverisë”.

[6]. AQSH, fondi 482, viti 1923, dosja 4, fleta 28, Letër dërguar Kryeministrisë në Tiranë nga Kongresi Mysliman Shqiptar, nr. 4, datë 12.03.1923; Nasuf T. Dizdari, Njohuri me karakter historik, gazeta “Drita Islame”, nr. 4 (135), shkurt-mars 1998.

[7]. Ali M. Basha. Rrugëtimi i Fesë Islame në Shqipëri (1912-1967), Tiranë 2011, f. 79.

[8]. Roald A. Hysa, Xhamitë e Tiranës, Tiranë 2008, f. 77.

[9]. Dr. Behxhet Shapati (Kryetari i dytë i KMSH), AQSH, fondi 482, viti 1937, dosja 1, fleta 3 – 4.  

[10]. Bëhet fjalë për Francesko Jakomonin që ishte mëkëmbësi i mbretit Viktor Emanuelit III në Shqipëri.

[11]. Dorian Demetja, 100 vjet Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (1923-2023), botim i KMSH-së, Tiranë 2023, f. 97.

[12]. AQSH, fondi 482, viti 1942, dosja 12, fleta 12.

[13]. Ali. M. Basha, Rrugëtimi i fesë Islame në Shqipëri (1912-1967), f. 340.

[14]. Ali M. Basha, Rrugëtimi i Fesë Islame në Shqipëri (1912-1967), f. 437-438.

[15]. Punimet e Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman, revista “Kultura Islame”, nr. 5-8 (65-68), viti i VI i botimit, maj-gusht 1945, f. 8; AQSH, fondi 482, viti 1945, dosja 5, fleta 4, 12 dhe 100. 

[16]. Shyqyri Hysi (Dr.) Histori e komuniteteve fetare shqiptare, Tiranë 2006, f. 196-197.

[17]. AQSH, fondi 482, viti 1946, dosja 67, fleta 5.

[18]. Ali M. Basha, Rrugëtimi i Fesë Islame në Shqipëri (1912-1967), f. 435.

[19]. Ali M. Basha, Rrugëtimi i Fesë Islame në Shqipëri (1912-1967), f. 516.

[20]. Dorian Demetja, 100 vjet Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (1923-2023), f. 107.

[21]. Faik Luli - Islam Dizdari, Një jetë në shërbim të fesë, Tiranë 1996, f. 56. 

[22]. Faik Luli - Islam Dizdari, Një jetë në shërbim të fesë, f. 64-65; Proces Verbal – Krijimi i Bashkësisë Islame, gazeta “Drita Islame”, nr. 19 (80), viti i IV i botimit, tetor 1995; Si u formua Bashkësia Islame e Shqipërisë, gazeta “Drita Islame”, nr. 1 (324), viti i XIX i botimit, janar 2010. 

[23]. Faik Luli - Islam Dizdari, po atyf. 70-71.

[24]. Dorian Demetja, 100 vjet Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (1923-2023), f. 167.

[25]. Sali Tivari, Sekretar i Përgjithshëm i KMSH, Arritjet trevjeçare të Komunitetit Musliman Shqiptar, gazeta “Drita Islame”, nr. 1 (44), viti i III i botimit, janar 1994.

[26]. Përvjetori i lindjes së Hafiz Sabri Koçit, gazeta “Drita Islame”, nr. 12, viti i I i botimit, qershor 1992.

[27]. Nasuf T. Dizdari, Faik A. Kasollja, Persekutimi i klerit musliman shqiptar, gazeta “Drita Islame”, viti i I i botimit, nr. 4, 21.02.1992. 

[28]. AQSH, fondi 482, viti 1964, dosja 3, fleta 5-6.

[29]. Ali M. Basha, Islami në Shqipëri gjatë shekujve, f. 217.