Komuniteti Mysliman i Shqiperise

Aktualitet

article thumbnailMbahet mbledhja e pare e Keshillit Botues te KMSH-se
Në ambientet e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë u mbajt sot mbledhja e parë e Këshillit Botues të KMSH-së.

Aktivitete

article thumbnailPuke, simpozium per netet e medha
Në prag të ardhjes së netëve të mëdha, Myftinia Pukë organizoi simpoziumin “Mirësitë e netëve të mëdha Regaib, Beraet dhe Miraxh”.

Aniversari i ditelindjes se Muhamedit (a.s.)-1938

Aniversari i ditëlindjes së Muhamedit a.s.

Këtë ditë në çdo portë myslimani troket ditëlindja e të madhit Profet, H. Muhamedit (a.s.), që përsëritet plotësisht 1410 herë. Në këtë ditë madhështore, në këto orë të larta e në këtë çast gazmor, Meka e uruar, djepi i Arabisë natën e Hënës së 12 Rebiul Evvelit, me 20 prill 571 mbas K., i fali krijesës më të zgjedhur drejtuesin e mëshirën e gjithësisë, që ishte destinuar qysh në Amshim për të qenë pionier i njerëzimit në lëmin moral e në rrugën e mbarë e shpëtimtare të Zotit të Vërtetë.

Sot gjithë bota myslimane e feston këtë ditë me solemnitetin më të madh, duke pasur në gojë frazën e lartë: “Es-selamu alejkum ja Resul-Allah!”

Nderimin e kësaj dite ia kanë borxh Hz. Muhamedit jo vetëm myslimanët, por gjithë bota mbarë, pa ndryshim feje e sekti, klase e rendi, kur të marrim parasysh me paanësi dhe pa egoizëm kuptimin e lartë që kumbon në versetin hyjnor: “Nuk të dërguam veçse mëshirë për gjithë botët” e bashkë me këtë edhe shërbimin që i bëri njerëzimit si një tërësi e vetme e si bijtë e Ademit.

Sikur të zbatoheshin këshillat e parimet e Hz. Muhamedit bota sot do të shpëtonte njëherë e përgjithmonë nga vampirët e gjakpirësit që i ka verbuar e tërbuar materializmi dhe që kërcënohen e përgjojnë se kush po turbullon ujin.

Do t’iu ziheshin rrugët bishave të majme me sy të pangopur në kurriz të të varfërve, zënë në Japoni, Kinë e Palestinë e gjer në Spanjë. Do t’iu thyheshin dhëmbët gjarpërinjve helmues vetëm me një verset të Kuranit të shenjtë: “Më i ndershmi i juaj para Zotit është ai që ka veprat më të mira e më të respektueshme”; V. 13 = 49.

Ka të drejtë gjithkush ta kremtojë me bujë ditën që solli “Njeriun” më të lartë, madhërinë e lartësinë e të cilit dijetarët më me famë të botës kah dija e kultura-qysh kur është ndriçuar gjithësia me dritën e tij- janë përpjekur e munduar për ta marrë vesh si duhet dhe janë orvatur për të kuptuar përmbajtjen e tipareve që manifestohen në mendje, në moral e në dijen e tij e, me gjithë se kanë mundur të mbërrijnë deri në njëfarë caku, prapë se prapë kanë mbetur larg dhe duarlidhur përpara këtij problemi të madh.

Ndonëse Muhamedi është më i madhi person që çmon historia e Kurani i shenjtë e, megjithëqë është më i pari dhe i më prapmi që ka vënë dorë mbi të gjitha dikasteret e botës, prapë se prapë akuzohet; është për të ardhur keq se ky ndër të gjithë profetët e botës, është i vetmi që i bëhen atakime e shpifje nga më shëmtuarat e më të turpshmet.

Të gjitha këto ofendime i janë bërë nga ata zemërgurë e shpirtligë vetëm e vetëm për të shfryrë mëritë e ambiciet e tyre kundrejt këtij trupi të pastër e të lartë, që me egoizmin e tyre të ndryshkur kanë pandehur se do ta turpërojnë H. Muhamedin përpara botës, duke e rrëshqitur nga kupat e ngushta të tyre se pozita e Profetit Islam nuk është me fitim as me përpjekje, por dhuratë që ia fal Zoti kujt të dojë prej robërve të Tij.

Ata që nuk kanë pasur fatin ta njohim mirë lartësinë e këtij Profeti, jetën dhe biografinë e tij le ta studiojnë një herë me duar në zemër dhe le t’i analizojnë vetë jashtë kanalit të imitacionit e të përshtypjes së të tjerëve, se vetëm atëherë kanë për ta kuptuar se kush është Hz. Muhamedi (a.s.).

Kjo është “Shkëndija Hyjnore” që për një kohë të shkurtër, një komb i cili duke qenë i zhytur në idhujtari e duke qenë që nuk kishte as më të voglën rëndësi në botën politike e qytetërimore, e transformoi në unitet, prej adhurimit të idhujve në atë të Hyut, prej përçarjes e shkatërrimit në bashkim; prej dekadencës në lartësi dhe prej injorancës në përparim, lartësim e qytetërim që u shpërnda në mbarë botën.

Edukata islame e shembi në themel jetën e Arabisë e vendin e saj e zunë besimi e adhurime të reja, ligji e politika e re bashkë me disiplinën morale. Islami e rrënjosi në shpirtrat e arabëve bindjen e Zotit dhe të Lajmëtarit të Tij, me të cilat kishte për qëllim të krijojë prej tyre një komb të gjallë me qëllime të larta që u plotësuan në kohën e Profetit Muhamed (a.s.). A na dëshmon historia një të tillë vepër si kjo?

Një popull i shpërndarë e i humbur, pa qeverisje, pa kryetar e pa disiplinë, brenda një periudhe të ngushtë, bëhet komb i gjallë, i kulturuar e i drejtuar drejt një organizimi të mrekullueshëm dhe bëhet udhëheqësi i kombeve. Me zakonet, imitimet e me moralet e kohës së kaluar nuk kishte më asnjë lidhje e as një marrëdhënie, por ishte thjesht një krijesë e re e futur në formë moderne.

Transformimin e këtij korrupsioni e vërtetojnë fjalët e disa filozofëve socialistë që thonë se temperamenti i kombeve të zgjuar nuk mund të ndryshojë veçse me kalimin e shekujve dhe shpirti i popujve nuk ndërron përnjëherë, mirëpo transformimi i Hz. Muhamedit në shtetin arab e kishte zhdukur shpirtin e vjetër bashkë me dispozicionet e këtij kombi të pazhvilluar duke ngjallur shpirt të ri e me shpresa të reja.

As një reformator nuk ka ardhur deri sot në këtë botë sikurse erdhi Hz. Muhamedi në shtetin arab. Me të vërtetë mund të bëhet e mund të krijohet një transformim në kombet tashmë, por i kufizuar vetëm në disa degë të jetës. Një transformim i përgjithshëm kërkon që të vërë dorë mbi të gjitha degët e jetës, mbi ato të sjelljeve të moralit, të zakoneve, të ligjeve, të politikës, të shpresave dhe të modeleve të larta. Punë kjo që nuk e njeh historia kurrkund veçse te Muhamed bin Abdullahi (Paqja e Zotit qoftë mbi të!).

Hz. Muhamedi praktikojë fenë islame, mësimet e përgjithshme të njerëzisë me sjellje e me këshilla që përfshijnë gjithë bijtë e Ademit. Solli barazi në mes të popujve, shumica e të cilëve iu nënshtruan disiplinës së qeverisë islame. Islami thotë: “Perëndia s’ju ndalon t’iu bëni mirë e të silleni drejt me ata që s’ju luftojnë në fenë dhe s’ju nxjerrin prej truallit tuaj; se Perëndia i do të drejtët.”

Islami detyron pasuesit e tij që t’iu bëjnë mirë edhe atyre që s’janë myslimanë dhe kërkon të respektohen të drejtat e tyre. Relacionit në mes të një myslimani e jo myslimani i ka vënë për bazë “të mirën” e “drejtësinë”. Gjithashtu kjo fe vuri poshtë fanatizmin duke shtënë në dashuri myslimanëve bashkimin e shoqërimin me jomyslimanët.

Feja që predikoi Hz. Muhamedi këshillon ndjekësit e saj për t’u besuar të gjithë Profetëve: “Thoni i kemi besuar Allahut edhe Kuranit që na u ka zbritur neve; u kemi besuar atyre që iu zbritën Ibrahimit, Ismailit, Is-hakut, Jakubit, bijve të tij dhe atyre që u janë dhënë nga ana e Zotit, Musait e Isait; kemi besuar në atë që u është dhënë Profetëve mbarë; ne nuk ndajmë ndonjërin në mes të tyre dhe ne vetëm Perëndisë i bindemi!” v. 136 = 2, thotë Kurani.

Me besimin në të gjithë librat e shenjtë dhe në mbarë Profetët e Zotit, feja islame zhduk kundërshtimin në mes të feve, sepse që të gjitha ato, me të cilat s’kanë mundur të luajnë duart e njeriut, janë të zbritura nga ana e Perëndisë.

Kurani është garantuesi dhe përmbledhësi i tyre. Të besuarit e Kuranit është besimi i librave të shenjtë të kaluar dhe të vërtetuarit e atij që i është ulur Kurani, është të vërtetuarit e të gjithë lajmëtarëve të Perëndisë.

Koncepti i Islamit nuk kufizohet vetëm me një fe ose vetëm në disa profetë, por përfshin brenda periferisë së gjerë të tij të gjithë profetët e të gjithë librat qiellorë. Ky është koncepti dhe ky është parimi i bashkimit njerëzor.

Feja që kumtoi Hz. Muhamedi ushtron idenë e paqes dhe thotë: “Në qoftë se kundërshtarët ju kërkojnë paqe, pajtohuni dhe shpresën vareni te Zoti” v. 61 = 8; atë të vëllazërimit njerëzor na e paraqet verseti: “O njerëz! Ju kemi krijuar prej një mashkulli e prej femre...” v. 13= 49; e sa për atë të drejtësisë thërret verseti: “O ju që keni besuar! Qëndroni të patundur ndaj Zotit, jini dëshmitarët e së drejtës dhe mos t’ju shtyjë armiqësia e ndonjë populli për të mos vepruar drejt. Silluni drejt se kjo është më afër devotshmërisë dhe kini frikë Zotin!” v. 8 = 5.

Me sa thamë deri këtu, kuptohet qartë se principet si ai i drejtësisë, i barazisë dhe i vëllazërimit e që i gëzon e lavdëron sot shteti i Francës nuk qenë pjellë e Revolucionit Francez, por fryte të korrura të një kohe të gjatë e të deklaruara botërisht prej fesë islame 12 shekuj më parë.

S’mund të rrimë pa shtuar se ky “Çast” madhështor, kjo “dritë” e kësaj dite dhe kjo “nënqeshje” e buzës së natyrës së sotme më tepër se çdo send tjetër kërkon prej anëtarëve të tij që të pajtohen me këshillat e larta, me virtytet e rralla dhe me moralet e mëdha të Profetit Islam, sepse, ky është simboli hyjnor, në bazë të të cilit duhet të rregullohet, të administrohet e të civilizohet trupi njerëzor dhe se Hz. Muhamedi (a.s.) është prijësi i kombeve dhe se vetëm Kurani e parimet e tij kanë për t’i sjellë botës lumturinë e paqen që shpresohet.

Suksesi vjen prej Zotit!

Abas H. Xhepay

Kajro

“Zani i Naltë”, Nr. 5, maj 1938, Rebiul Evvel 1357

 

 

 

Lajme nga Bota

article thumbnailAustri, vendoset gurthemeli per xhamine e pare ne Grac
Kanë filluar punimet për ndërtimin e Xhamisë dhe Qendrës Kulturore Islame në Grac të Austrisë. Ashtu siç dhe ishte lajmëruar më 12 Maj është hedhur gurthemeli i xhamisë së parë në...

Opinion

article thumbnailInkurajimi i dimensionit shpirteror ne shkencat humane
E nderuar Kryetare e Parlamentit Znj. Jozefina Topalli I nderuar Rektor i Universitetit Hëna e Plotë – BEDËR z. Ferdinand Gjana Të nderuar përfaqësues të trupit Diplomatik të akreditur...