Sot është përkujtimi i asaj dite të madhe e të bekuar, në të cilën, sipas dokumenteve historike më të sakta, Zotëria i Gjithësisë ra në botën lëndore dhe ndriçoi këtë jetë.
Sot ka lindur më i madhi Profet që lavdërojnë myslimanët; sot ka lindur më i madhi njeri, i cili me madhështinë që pati, habiti çdo mendje dhe tërhoqi admirimin e jomyslimanëve të urtë e të arsyeshëm.
Sot ka lindur ai njeri i lartë, të cilit i zbriti më i përsosuri libër qiellor që ka caktuar e garantuar të drejtat jo vetëm të njerëzve, por edhe të shtazëve.
Po, zotërinj të ndershëm, sot ka lindur ai Profet i madh, të cilit i erdhi prej Perëndisë Kurani që çmohet edhe më tepër sa më shumë që kalon koha dhe zhvillohet shkenca.
Sot ka lindur më i madhi Resul, që, sikur na dëshmon verseti i naltë: “Ne të kemi dërguar (o Muhamed) për njerëzimin mbarë...” është dërguar prej të Madhit Zot për t’i mësuar jo vetëm një fisi, as një kombi, por mbarë njerëzisë parimet e dobishme të bashkimit, të drejtësisë, të barazisë, të respektit, të moralit e të virtytit.
Sot ka lindur burimi i begatshëm i të gjithë virtyteve që çmohen e shenjtërohen në pikëpamje të diturisë.
Shpallja e deklaratës të të Drejtave të njeriut nuk është vepra e shpikur prej këtij ose atij, por është reflektimi i asaj Drite të Hyjnizuar.
Sot ka lindur ajo Dritë e Botës që na ka treguar se errësira e mohon të vërtetën, kurse drita tërheq kah e vërteta.
Shkenca e njeriut është përpjekur e po përpiqet pa ia ndarë për të zbuluar rregulla të reja për jetën shoqërore, që është mjeti i gjallërisë; mirëpo sistemet e diktuara deri më sot nuk kanë mundur me e përcjellë njerëzimin në breg të shpëtimit, por edhe nëse njerëzia ka nuhatur ndonjë aromë të shpëtimit, edhe kjo gjë është vërtetuar se ka kundërmuar prej shkëndijës që ka shkrepur dekreti i lartë: “Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi...”, të cilin i Madhi Zot ia kumtoi asaj drite të së Vërtetës. Qe kjo dritë e madhe ka lindur sot: Sot ka lindur më i madhi Hakim i Botës. Fjalën Hakim është bërë zakon për ta përshtatur në shqip me fjalën filozof, porse kjo fjalë nuk i përgjigjet plotësisht qëllimit. Filozof do të thotë ta duash e ta kërkosh të Vërtetën, kurse Hakim do të thotë ta dish-ta njohësh të Vërtetën.
Pra, kur themi “sot ka lindur më i madhi Hakim i Botës” e kuptoni vetë, zotërinj të ndershëm, se çfarë njeriu ka qenë Ai që ka lindur sot!
Sot ka lindur ai Hakim i Madh që ia mësoi njerëzisë barazinë me urdhrin hyjnor: “O njerëz, vërtetë Ne ju kemi krijuar prej një mashkulli dhe një femre, pastaj ju bëmë popuj e fise ... që të njiheni ndërmjet jush...” Në vijim të këtij verseti vjen fraza: “e s'ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat)”. Kjo pjesë na vërteton se nuk ka barazi midis virtytit e vesit.
Pra sot ka lindur më i Madhi Hakim që na ka mësuar se “barazia absolute” i sjell shkatërrimin njerëzisë.
Sot ka lindur më i Madhi Sociolog i botës, i cili i mësoi njerëzisë se Hyjnia i përket Krijuesit, adhurimi dhe të luturat duhet t’i bëhen vetëm Perëndisë e me këtë i dëftoi botës se të gjithë njerëzit janë të barabartë e të lirë midis tyre, me qenë se janë robër të krijuar prej një Zoti të vetëm e të vërtetë.
Sot ka lindur ai sociolog i madh i cili na mësoi se liria ka një kufi të caktuar që s’duhet të kalohet; ky kufi është respektimi i të drejtave të tjetrit dhe ai Resul i Madh me dispozitën e lartë kuranore: “Vallë, a mendon njeriu se do të mbetet pa përgjegjësi” i dha shkelmin anarkizmit.
Sot ka lindur njeriu më tejvështrues i botës që me versetin: “Kapuni që të gjithë ju për litarin e Allahut e mos u përçani” e këshilloi njerëzimin për t’u bashkuar me ligjet shoqërore të arsyeshme e me këtë mënyrë siguroi lumturinë e përgjithshme.
Sot ka lindur ai njeri i Madh që i mësoi njerëzisë se organizatat politike që ndjekin udhën e imoralitetit nuk kanë jetë e vazhdim dhe s’mund të qëndrojnë.
Sot ka lindur më i madhi Udhërrëfyes i njerëzisë, i cili e çmoi dhe e deshi virtytin, ia mësoi ndërgjegjes idenë e virtytit e kështu me shumë versete kuranore e me shumë porosi profetike ia ndriçoi njerëzisë udhën që mos t’u shmanget ndërgjegjja nga rruga e drejtë në atë të shtrembrën.
Sot ka lindur gurra e virtytit që me urdhrat profetike: “Jam dërguar për të përsosur moralet e larta”, ia përhapi njerëzisë virtytin e moralin.
Pse me e zgjat fjalën, zotërinj. Ta themi shkurt: Hz. Muhamedi (a.s.) është aq i madh e i lartë, saqë mos ta kishte vendosur unitetin arsyeja, ndjenjat njerëzore, të habitura përpara madhështisë së Hz. Muhamedit, këtë personalitet të lartë do ta lartësonin deri në divinitet. Mirëpo, qoftë bekuar Islami, që e ka pranuar arsyen si dominues mbi ndjenjat dhe nuk i la me rrëshqit.
Prandaj, zotërinj, ne sot këtu nuk do të flasim as për mrekullitë e veçanta që u shfaqën në rastin që lindi kjo fytyrë e shkëlqyer, e as për historinë e jetës së shkëlqyer të këtij Profeti të Madh.
Vetëm një gjë do të themi: Gjithsecili, individ ose grupim qoftë, që dëshiron të jetë i lumturuar në dynja e në ahiret duhet të ndjekë për model të jetës së vet, jetën e shkëlqyer të Hazreti Muhamedit; në atë tabelë të pastër e të qartë, në atë libër të shenjtë do të gjejë një pasqyrë për të gjitha fazat e jetës.
Aty do të shohë se si durimi i bën ballë ngushticave më të vështira të vobektësisë; aty do të shohë se pasuria e lumturia nuk mund të kenë marrëdhënie me egon e me kryeneçësinë; aty do të shohë se si pajtohen e akordohen midis tyre jeta e pamartuar me pastërtinë morale, virgjëria me frenimin e ndjenjave epshore. Në këtë pasqyrë të shkëlqyer njeriu sheh se sa çerdhe e lumtur është martesa.
Te Hazreti Muhamedi sheh begatinë e lumturinë që mund të sjellin tregtia, industria edhe bujqësia që praktikohen me drejtësi e seriozitet.
Te Hazreti Muhamedi shohim tipin e Komandantit të madh që me mënyrë të ndershme mbron nderin e fesë e të atdheut. Te jeta e tij shohim rolin që luan gjenia e një diplomati në sigurimin e paqes e të qetësisë.
Ata që duan të mësojnë udhëheqjen e drejtësisë së gjyqeve dhe sekretin e administrimit e të sundimit të mirë që kënaq të gjithë popullin, le të studiojnë sipas aftësive e profesionit të vet të gjithë fazat e ndryshme të jetës së ndritshme të atij burri të madh, ditëlindja e të cilit po festohet me ceremoninë e sotme.
Kurani i lartë me një tok versetesh, e sidomos me versetin: “Ju kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut”, na këshillon e na porosit që të studiojmë jetën e Hazreti Muhamedit (a.s.) dhe të rregullojmë veprimet tona mbas asaj pasqyre të bekuar.
Fjalë e mbajtur prej z. Sali Ferhati me rastin e Mevludit që u këndua në Medresenë e Tiranës me 15 Maj 1938.

