Komuniteti Mysliman i Shqiperise

Aktualitet

article thumbnailMbahet mbledhja e pare e Keshillit Botues te KMSH-se
Në ambientet e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë u mbajt sot mbledhja e parë e Këshillit Botues të KMSH-së.

Aktivitete

article thumbnailPuke, simpozium per netet e medha
Në prag të ardhjes së netëve të mëdha, Myftinia Pukë organizoi simpoziumin “Mirësitë e netëve të mëdha Regaib, Beraet dhe Miraxh”.

Esat Myftia – drejtues i shquar arsimor, fetar, bamires e kulturor

Esat Myftia ka qenë një drejtues i shquar arsimor, fetar, bamirës e kulturor në qarkun e Shkodrës e në shkallë kombëtare, ka pasur merita të shumta dhe me veprimtarinë e tij të gjithanshme e ka dhënë një ndihmesë në punë e vyer e të efektshme në këto fusha. Për prejardhjen, arsimimin, për llojin e punës e për rezulatet e saj, për karakterin e personalitetin e tij është folur e shkruar pak, nga moshat e ndryshme ai nuk njihet në përmasat e duhura nderuese e vlerësuese.

Ky ishte vazhdues i denjë i familjes së njohur e të përmendur të Këlliçëve të Tabakëve e të Myftive të Shkodrës, që lidhet njushtë me ngjarjet e lavdishme historike të këtij qyteti të Shqipërisë, me veprimtarinë atdhetare të Lidhjes së Prizrenit, me mbledhjet e gjera qytetare për të drejtat kombëtare e njerëzore e me komisionin humanitar për ndihmën e refugjatëve ulqinakë. Ajo kishte lidhje me zhvillimin arsimor e kulturor të Shkodrës e më gjerë nëpërmjet medreses e funksionit të lartë të myftiut të vilajetit të Veriut të vendit e në qytete të tjera si familje tradicionale hoxhallarësh prej disa brezash. Ndër ta spikaste Isuf Tabaku si përfaqësuesi më në zë i kësaj familjeje.

Esat Myftia qe nipi i Isuf Tabakut, djali i Abdurrahmanit, lindur më 2.8.1911 në Shkodër. Mësimet e para arsimore e fetare i mori nga xhaxhai i tij, Abdullahi, i biri I Isuf Tabakut, edhe ky i përmendur për veprimtari e funksione të rëndësishme. Më pas vazhdoi e përfundoi medresen e re të Shkodrës në vitet 1025-29 si student i dalluar. Në mjedisin familjar me tradita arsimore, kulturore e atdhetare që fëmijë u edukua për të qenë gjithmonë në kontakt me informacionin shkencor, kulturor e fetar e për të punuar për mësimin e gjuhëve të huaja të lindjes e të perëndimit, duke arritur të zotërojë mirë e me baza gramatikore e me një leksik të pasur, me lehtësi komunikimi e përkthimi gjuhët arabe, turke e persishte, frëngjisht e italisht. Ai i shfrytëzoi këto mundësi gjatë gjithë jetës, në shkollë, në punë e në kohën e lirë për formimin e mëtejshëm, për të mësuar e edukuar nxënësit e studentët e tij, për të bashkëpunuar me kolegët, për të drejtuar vartësit e për ushtrimin e detyrave fetare, humanitare e shtetërore.

Për zgjerimin e horizontit të tij ai u mbështet fuqishëm vetë në një thënie profetike dhe këtë ua këshillonte edhe të tjerëve: “Fitoni dituri sepse ajo ju dallon për të dalluar të mirën nga e keqja, ua ndriçon rrugën për në parajsë; dituria është mik në shkretëtirë, shok në vetmi, prijës në fat, ndihmës në vuajtje; dituria nuk është stoli në mesin e miqve, porse kështjellë kundër armiqve”.

Veprimtaria e Hafiz Esatit shtrihet në katër drejtime kryesore: në atë arsimore, fetare, humanitare e kulturore.

Në drejtimin arsimor Hafiz Esati ka qenë mësues besimi në shkollën fillore të Dudasit në vitet 1938-43, drejtor i medreses së Shkodrës në vitet 1944-47 dhe të medreses së përgjithshme të Tiranës në vitet 1952-54. Si mësues besimi në shkollën fillore, ai e vlerësonte edukimin e fëmijëve, përgatitjen e bënte në përshtatje me moshën, mësimin e konkretizonte dhe e bënte interesant me fakte e dukuri nga jeta e përditshme të nxënësve të veçantë, të klasës e të shkollës dhe të familjeve të tyre, duke komunikuar ngrohtësisht me ta e duke u përpjekur të krijonte që në vegjëli të tyre bindje e shprehi të edukimit shpirtëror, sjellje e veprime të pëlqyeshme morale, dëshirë fillestare për dije e kulturë.

Shkodra kishte traditë të vjetër për hapjen e medreseve si atë Bushatllinjve, të Pazarit e të viteve 1925—29. Në një tubim të madh popullor Hafiz Esati shtroi si problem shumë të rëndësishëm domosdoshmërinë e hapjes së një medreseje të re. Për këtë ai tha: Medrese asht një emën i një instituti aq i madh sa edhe nevoja e tij. Ç’prej shumë kohës imagjinohej një iniciativë e tillë; shumë përflitej në mes të popullit ndërmarrja e një nevoje kësisoji, mjaft tentativa erdhën në fuqi për t’ia hye një kësaj vepre të naltë, jo për tjetër por për një të mujtë me evitue nevojën e madhe që kemi për prijsa fetarë, gradualisht e paralel me gjendjen ekonomike e në bashkëpunim me Medresen e Përgjithshme q’e kemi në Tiranë, do të mundohemi me përballue krizën e këtij personeli që dita-ditës vjen e shtohet mungesa e tij. Kjo krizë asht sot, tue u smadhue, po të studiohet mirë, s’do t’u duronte ma. Besimi musliman i lanun amanet nër duart tona duhet përkahë moralisht, tue derdhë të gjitha energjitë t’ona për ta ndihmue kush në nji anë e kush në nji tjetër; Me formue Medrese dmth me mbajt në kambë Ligjin e Zotit, atë ligj, sado që bota të marrë prej tij, s’pushon së buruemi. Për ne mjafton me shpresue se ky Institut ka me kenë venburimi i Fesë, i moralit, i ndërgjegjes së pastër dhe vend edukativ për rininë muslimane”.

Përfundimi i fjalimit të Esat Myftisë u duartrokit nxehtësisht nga pjesëmarrësit, la mbresa të thella, krijoi emocione, ngjalli entuziazëm dhe gjeti miratim të problemit të shtruar.

Caktimi i tij si drejtor i Medresesë së Shkodrës në vitet 1944-47 qe një nderim i veçantë për të, për moshën e tij të re, por njëkohësisht edhe një detyrë me përgjegjësi, si një punë e bukur, por edhe e vështirë, një besim i madh, por që kërkonte një angazhim serioz.

Medreseja i filloi mësimet në vitin 1944 me një klasë përgatitore dhe në vitin 1946-47 përveç këtyre dy klasave dhe me një klasë të dytë, duke arritur 53 nxënës nga qyteti e nga fshati, nga të cilët 23 konviktorë. Nxënësit ishin nga rrethet Shkodër, Koplik, Lezhë, Pukë, Kukës e nga Ulqini i Malit të Zi.

Ky drejtor, me formimin e tij, me mobilizimin dhe mbështetjen personelit arsimor të përgatitur e me autoritet për lëndët e kulturës së përgjithshme e fetare si Haxhi Muhamet Bekteshi, Hafiz Abdulla Neziri, Hafiz Xhevdet Zyla, Osman Met Osja, Hysni Bushati, Sheuqet Kraja, Eljaz Rraboshta, Eljaz Bekteshi e Asim Rusi, arriti t’i japë fizionomi kësaj shkolle nga hiçi me sistemin e lokalit, plotësimin e bazës materiale, pajijsen e nxënësve me tekste, krijimin e konviktit, zbukurimin e mjedisit, gërshetimin e punës në klasë me atë jashtë saj, të cilat së bashku, siguronin kushte për punë normale dhe përparim të nxënësve.

Meritë e kësaj shkolle është edhe se pranë saj u arsimua edhe grup rreth 15 nxënësish të rritur, të cilët pasi kishin marrë njohuri fetare nga dijetarë hoxhallarë të veçantë e të përmendur të qytetit, këtu do të fitonin njohuri shkencore për lëndë të kulturës së përgjithshme, duke arritur kështu një formim të thellë e më të plotë, të dobishëm e të nevojshëm për misionin e tyre. Ishin këta nxënës të rinj e të rritur që do të bëheshin në pjesën dërrmuese mësues e hoxhallarë të ardhshëm, edukatorë e propagandues të fesë, përhapës të arsimit e të kulturës. Ndër ta ishte dhe shquhej dhe Hirësia e tij H. Hafiz Sabri Koçi, kryetar i Komunitetit Musliman të Shqipërisë.

Organizimi i provimeve dhe i ceremonive përfundimtare të viteve shkollore dëshmon se shkolla përparonte nga viti në vit, rriste emrin e mirë të saj. Një organ i shtypit të kohës për këtë shkruante: “Instituti që keni formue asht konform me qytetnimin e kulturën e sotme dhe në përpikmëri me edukatën e naltë islame. Medreseja juej ka plotësisht pamjen e një shkolle me karakteristika moderne, këtu mësohet dituni fetare e dijeni moderne, shkencë.”

Kjo shkollë nuk vazhdoi gjatë, ajo u mbyll bashkë me shkolla të tjera të këtij profili, si rrjedhim i politikës shtetërore ateiste në fushën e arsimit.

Caktimi më vonë i Hafiz Esatit si drejtor i Medreses së Përgjithshme të Tiranës, ishte një vlerësim edhe më i madh për punën, aftësitë dhe cilësitë e veçanta e të përgjithshme të tij. Ai do të ishte një pasardhës i personaliteteve të shquara arsimore, kulturore, patriotike e demokratike që kishin qenë drejtorë të kësaj shkolle si Hafiz Ali Korça, Qamil Bala, Haxhi Ismet Dibra, etj. do të mësonte aty ku kishin dhënë mësim profesorë të njohur e me autoritet të madh në shkallë kombëtare si Qazim Hoxha, Haki Sharofi, Vexhi Demiraj, Hasan Tahsini, etj., do të mësonte dhe do të edukonte nxënës që do të ecnin me traditat e në shembullin e ish nxënësve të kësaj shkolle si Shaban Demiraj, Vehbi Ismaili, Salih Ferhati, Faik Hoxha, Ismail Muçej, etj.

Hafiz Esati përballoi detyrën e re tepër të rëndësishme me përkushtim, me përpjekjeje, me studim e bashkëpunim, duke dhënë shembullin e intelektualit të përgatitur dhe të drejtuesit kompetent.

Krahas drejtorit, ai kreu edhe detyrën e profesorit të lëndës së Historisë së Shenjtë Islame, për të cilën hartoi mësime të veçanta, të mbështetura në një bibliografi të pasur, duke i paraqitur temat me material të bollshme, me interpretim të drejtë, me konkretizim të gjerë, me kronologji historike, me krahasime, me analizë e nxjerrje konkluzionesh për ngjarje e teza filozofike. Këto mësime janë karakterizuar gjithmonë me krijimin e një atmosfere të ngrohtë që shërbenin për formimin e ruanin përshtypjet e kujtimet më të mira për mësuesin e tyre që ishte një model për t’u ndjekur e për t’u imituar.

Me punën e tij në këto shkolla, Hafiz Esati kontribuoi për pasurimin e historikut të medreseve si vatra diturie, kulture e atdhedashurie.

Në drejtimin fetar Esat Myftia pati një larmi detyrash që gjithnjë vinin duke u ngritur e që e ngarkonin me përgjegjësi më të madhe.

Fillimisht, duke qenë nxënës në medrese, në moshën 16 vjeçare, u caktua imam i xhamisë së Tabakëve, ku për 2 vjet u priu besimtarëve në kryerjen e riteve fetare nga 1927-29. Në vazhdim, ai, me këtë detyrë punoi në xhaminë e Ajasmës, duke u bërë person i nderuar në këtë rajon të lashtë e me tradita të lashta të Shkodrës.

Në vitin 1952 merr ixhazetin (diplomën) për hafiz, gjë që zgjeron nivelin e tij fetaro-kulturor dhe rrit autoritetin e tij në masat e popullit. Më vonë, në vitin 1964, Hafiz Esati emërohet vaiz në xhaminë madhështore të Shkodrës, në atë të Parrucës, ku predikoi tema javore me një nivel të lartë teoriko praktik para besimtarëve. Dëgjuesit e shumtë që mbushnin plot xhaminë, të rinj e të rritur, të moshave të ndryshme i ndiqnin me vëmendje ligjëratat e Hafiz Esatit, të cilat ishin interesante, të thella e konkrete, me përmbajtje filozofike, kulturore, atdhetare, shoqërore e njerëzore, ndikonin pozitivisht jo vetëm tek pjesëmarrësit, por bëheshin objekt diskutimesh në rrethet familjare e qytetare.

Kulmin e karrierës fetare, Hafiz Esati e arriti në vitet 1967-67 kur u emërua kryetar i Komunitetit Musliman të Shqipërisë. Në këtë detyrë të lartë drejtuese ai shfaqi aftësitë e tij drejtuese, pjekurinë intelektuale e fetare, karakteristikat e tij të admirueshme njerëzore. Këto cilësi, pjesërisht i paraqet kështu studiuesi Mentor Quku: “Gjithnjë si klerik e si intelektual qëndroi i pastër, duke qenë gjithmonë bujar, mikpritës, gojëmbël, i qetë, i urtë, i dashur dhe i çmuar nga ata që e njihnin. Ishte njeri i ditur, i thjeshtë, i indershëm dhe komunikues, pa pretendime dhe shumë i kujdesshëm për të tjerët. Nuk merrte dieta për shërbimet, propozoi që t’i zbritet rroga e t’i hiqet makina me qëllim kursimi të buxhetit të pakët që të mbahej një xhami ose të paguhej një hoxhë që kishte të ardhura të pakta”.

Si plotësim i këtij karakterizimi për portretin e tij, një studiues tjetër, shkrimtari Xhahid Bushati, ka shkruar: “I matur, i ditur e autoritar. Fjalëpak e zëkumbues dhe fisnik. Këto cilësi i manifestoi gjatë tërë jetës së tij. Mendja e tij ishte një tempull ndershmërie e besimtarie për bashkëqytetarët e gjeneratat e ardhshme”.

Nga kjo detyrë e lartë, në vitin 1967 dha dorëheqjen për arsye të vdekjes tragjike djalit të vetëm ushtar.

Në drejtimin humanitar Hafiz Esati, në fund të vitit 1943, në kushtet e vështira të Luftës së II Botërore, duke parë gjendjen e keqe ekonomike të disa hoxhallarëve të qytetit dhe të fshatit dhe nevojat e mjaft qytetarëve të veçantë në qytetin e Shkodrës, ka qenë nismëtar kryesor në një grup qytetarësh shkodranë për krijimin e një komisoni ndihmash që më pas u kthye në “Komitet Bamirës Musliman”. Ky komitet drejtohej nga një kryesi, kryetar i së cilës u zgjodh Hafiz Esati, në të cilën bënin pjesë shumë veprimtarë si nëpunës, tregtarë, intelektualë, klerikë, studentë universitarë, artizanë, qytetarë e fshatarë të nderuar. Komiteti hartoi një rregullore, në të cilën përcaktoheshin detyrat e kompetencat në fushat e ndryshme të veprimtarisë humanitare.

Ky komitet e zgjeroi shpejt ndikimin e vet në aspekte bamirësie, arsimore e kulturore, sportive e argëtuese, arriti të anëtarësojë vullnetarisht një masë të paparë njerëzish, rreth 2000 anëtarë, që paguanin kuotë mujore 100 200 fr. shq. të kohës.

Ai ndihmoi me rroga e shpërblime hoxhallarë e nëpunës fetarë, për ndërtime, meremetime e zbukurime të xhamive, të varrezave e të mjediseve të tyre si dhe për mirëmbajtjen e pasurive të tjera të Vakfit, dha ndihmë ekonomike në të holla, në veshmbathje, në ushqime e në orendi për martesat e vajzave të varfra, për jetimët, për nevojtarët, për kryerjen gratis të varrimeve për pajisjen e nxënësve me libra e uniformë shkollore e për vepra të tjera filantropike në raste fatkeqësish familjare, natyrore e shëndetësore.

Komiteti Bamirës hapi medresen dhe konviktin, rregulloi ndërtesën për botime të veçanta për propagandimin e fesë dhe i shpërndau ato në popull gratis, organizoi bukur ceremonitë për festat fetare e ditëlindjen e Profetit dhe konferenca tematike lidhur me probleme të rëndësishme edukuese, fetare e morale, nxiti bashkëpunimin e veprimtarëve të vet në revistën “Kultura Islame”, përkrahu ndërtimin e shesheve sportive dhe zhvillimin e veprimtarive të larmishme në to, mbështeti veprimtaritë kulturoro-artistike. Për këto veprimtari bashkëpunoi me organizatën e “Rinisë Muslimane” që drejtohej nga sportisti i talentuar dhe mësuesi i ri dhe energjik, Qazim Dërvishi.

Veprimtarët e Komitetit Bamirës Musliman me autoritetin e tyre, si bij të denjtë të familjeve të nderuara shkodrane, bënë një punë të lavdërueshme për të forcuar miqësinë, bashkëpunimin dhe respektin e ndërsjellë me qytetarët dhe drejtuesit e besimeve të tjera fetare, për të cilët Shkodra krenohej se kishte dhënë proava dhe shembuj pozitivë gjatë gjithë historisë së saj.

Krijimi, miratimi dhe veprimtaria e Komitetit Bamirës Musliman pati jehonë të gjerë. Revista “Kultura Islame” vinte në dukje: “..ajo ndjehet e kënaqun për këtë nisjativë të bukur fisnike.. Thoni nisjativë të bukur dhe fisnike, sepse s’ka ndonjë detyrë tjetër ma të shenjtë se ajo e të ardhunit në ndihmë vëllai-vëllait nga pikëpamja fetare, shpirtërore, morale e materiale”. Revista vinte në dukje gjithashtu se “kjo vepër bamirësie duhet të bahet shembul edhe për qytetet e tjera të Shqipërisë, sepse kështu dhe vetëm kështu sigurohet e mira e Fesë dhe mbarëvajtja e Kombit”. Jehonë i bëri dhe revista e kohës “Njeriu”, e cila e vlerësonte shumë “formimin e biliotekës me vepra të vlefshme në fushën shqipe dhe n’ato të Oksidentit dhe të Orientit”.

Krijimi, veprimtaria dhe arritjet e këtij Komiteti në një kohë të shkurtër bënë bujë në të gjihë vendin dhe ndikuan që nisma të tilla me karakter humanitar, kulturor, arsimor e shpirtëror të gjenin zbatim edhe në Tiranë, Durrës e qytete të tjera të Shqipërisë.

Veprimtarë të tillë idealistë e me kredibilitet qytetar organizuan një mekanizëm të përsosur për gjallërimin në mënyrë masive të jetës humanitare në Shkodër; ata nuk kursyen kohën e lirë e pushimin, punën e profesionin si dhe pasurinë për t’i kushtuar veprimtarisë së tyre të dobishme. Me qindra qytetarë falënderuan e përgëzuan për ndihmat e përfituara dhe shprehën urimet e tyre të përzemërta për vazhdimësinë e kësaj veprimtarie.

Në drejtimin kulturor, puna me librin në shtëpi dhe në detyrat e funksionet e ndryshme për Hafiz Esatin qe një veprimtari e përditshme, një nevojë jetike, një karakteristikë familjare, një mjet kryesor për të dalë faqebardhë në obligimet e veta. Në disa periudha të tjetës së tij, ai u muar vetëm me libirin, me sistemimin, me studimin dhe propangandimin e tij. Kështu pas mbylljes së medresesë së Shkodrës më 1947, deri në fund të jetës punoi si nëpunës i specializuar në fondin e orientalistikës së Bibliotekës së Shtetit në Shkodër.

Studiuesi i njohur Prof.Dr. Jup Kastrati që në vitet ’50 i pat sugjeruar Hafiz Esatit, “trashëgimtarit të bibliotekës së çmueshme të Isuf Tabakut”, që të hulumtojë, t’i katalogojë përsëri librat, t’u bëjë skedarin, t’i regjistrojë në formën e një bibliografie deskriptive, “duke qenë i sigurtë se puna e tij në këtë drejtim do të çmohet… “Në këtë mënyrë do t’i bënte shërbim si letërsisë shqipe, ashtu edhe të tjerëve, që mirren me kërkim bibliografike, historike, gjuhësore, letrare, kulturore dhe që ndroshta nuk i kanë këto kushte të favorshme për një punë kësodore kaq të rëndësishme në fushën e albanistikës, të ballkanistikës dhe të orientalistikës.”

Hafiz Esati, pas vitit 1967, mijëra libra të konfiskuar nga shteti i nxorri nga thasët, i rregulloi, i mori një nga një në dorë, i studioi, i regjistroi në regjistrat e inventarit sipas rregullave të shërbimit biliotekar bashkëkohor. Ai hartoi skedat topografike, skedat bazë me shkrimin e tij të pastër, të qartë e të bukur dhe mbi bazën e tyre krijoi skedat lëndore (sistematike), skedat alafabetike dhe skedast universale, të cilat u shumëfishuan me daktilografin. Shënojmë se skedat përveç të dhënave të njohura për autorin, titullin, vitin e vendin e botimit, gjuhën në të cilën është shkruar, kishin edhe përmbajtje të shkurtër të librit, që është një orientim i dobishëm për studiuesin, një ndihmë konkrete profesionale. Shënime të kësaj natyre kishte për lehtësi të studiuesit edhe në faqen e parë të librit. Një praktikë e tillë ishte shumë e lodhshme për hartuesin, por në të njëjtën kohë kjo tregonte dhe horizontin e tij të gjerë kulturor. Ndonëse ishte i moshuar, i sëmurë dhe i vrarë shpirtërisht nga fatkeqësia familjare, ai shfrytëzonte me disiplinë të rrallë oranin e punës dhe bëri një punë kolosale, e cila qe nji ndihmesë e jashtëzakonshme në burime të vjetra për studiuesit e fushave, degëve e degëzimeve të ndryshme të shkencave natyrore e shoqërore, të kulturës e të artit, të filozofisë e të telologjisë. Hafiz Esati krijoi një bashkëpunim shembullor me studiuesit, të cilëve u përgjigjej me shpejtësi e përgjegjësi kërkesave të tyre dhe njëkohësisht u tregonte edhe indikacione të tjera të panjohura për veprat e studimet e tyre.

Për kontributin e Hafiz Esatit në drejtimin kulturor vlen të evidentohet edhe veprimtaria e tij për studimet, të cilat, për arsyet e rrethanave të njohura të kohës e të funksioneve të tij mbetën dorëshkrime.

Ai hartoi tre fjalorë doracaktë arabisht-shqip, frëngjisht-arabisht dhe fjalë ndërkombëtare-shqip, përpiloi një metodë për mësimin e arabishtes, bëri një studim për fjalët arabishte, turqishte e persishte që kanë hyrë në gjuhën shqipe, përgatiti një përmbledhje me thënie profetike (hadithe), me fjalë të urta arabe dhe me tregime të shkurtra orientale për edukim moral, punoi një libër për mësime besimi (Ilmihal) me veçori origjinale në krahasim me libra të botuar më parë të kësaj natyre, përfundoi tekstin shkollor “Historia e Shenjtë Islame”, që është më voluminoz, më analitik e më përgjithësues se ai që është në përdorim, përktheu kapitullin “Jasin” të Kuranit dhe grumbulloi një numër të madh ligjëratash që kish mbajtur para besimtarëve ditët e premte dhe në festat fetare.

Të gjitha këto materiale flasin për erudicionin e tij, për interesa studimore, për punë të mirëfilltë shkencore. Rëndësia dhe vlerat e këtyre punimeve meritojnë një trajtim të veçantë, si gjerësi tematike, si përkthime, përshtatje e krijimtari origjinale vetjake.

Duke paraqitur disa të dhëna për jetën e veprimtarinë e Hafiz Esat Myftisë, nxjerrim disa përfundime:

Së pari. Veprimtaria e Hafiz Esatit përfshin detyra të ndryshme, gjithnjë në rritje si imam, vaiz, mësues besimi, nëpunës biblioteke, drejtor medreseje në Shkodër e në Tiranë, kryetar i K.B. Musliman në Shkodër dhe kryetar i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, të cilat i kreu me përkushtim, ndershmëri, kompetencë, inteligjencë, me takt, me bashkëpunim e tolerancë mendimi e besimi.

Së dyti. Gjatë veprimtarisë së tij, H. Esati shfaqi aftësi dalluese organizative, shkencore, kulturore, fetare, pedagogjike, didaktike e studimore, që i përdori dhe i shfrytëzoi në kontaktet e përditshme me nxënësit e studentët, me kolegët e bashkëpunëtorët, me vartësit e eprorët. E gjitha kjo veprimtari i siguroi atij një personalitet, autoritet dhe popullaritet të shquar e të merituar.

Së treti. Te Hafiz Esati gjithçka qe kulturë e edukatë, tek ai edukonte veshja, paraqitja, sjellja, fjala, korrektesa, komunikimi, shkrimi e korrespodenca, marrëdhëniet e drejta e të sinqerta, modestia, stili i kryerjes së detyrës, jeta harmonike familjare e shoqërore. Të gjitha këto e bënë atë një njeri të nderuar, të dashur e të çmuar, nga të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të, për virtytet e tij të larta njerëzore.

Së katërti. Veprimtaria arsimore, fetare, bamirëse e kulturore e Hafiz Esatit ishte në unitet, në plotësim të njëra-tjetrës; përbën një përvojë të pasur, ajo përmban një mesazh e nxitjeje e detyra aktuale për çdo qytetar të ri e të rritur, për vepra të mira në dobi të popullit e të atdheut, të dijes e të kulturës, të progresit e të edukimit shpirtëror.

Faik Luli

Mësues i Popullit

 

Lajme nga Bota

article thumbnailAustri, vendoset gurthemeli per xhamine e pare ne Grac
Kanë filluar punimet për ndërtimin e Xhamisë dhe Qendrës Kulturore Islame në Grac të Austrisë. Ashtu siç dhe ishte lajmëruar më 12 Maj është hedhur gurthemeli i xhamisë së parë në...

Opinion

article thumbnailInkurajimi i dimensionit shpirteror ne shkencat humane
E nderuar Kryetare e Parlamentit Znj. Jozefina Topalli I nderuar Rektor i Universitetit Hëna e Plotë – BEDËR z. Ferdinand Gjana Të nderuar përfaqësues të trupit Diplomatik të akreditur...