
Çdo njeri është një vizitor i përkohshëm në këtë botë dhe largohet prej saj duke lënë pas disa gjurmë në të. Disa nga këto gjurmë mbeten në shekuj, disa të tjera zhduken me largimin e tij. Ata që vijnë i ndjekin këto gjurmë, disa prej tyre i ngjasojnë një autostrade që të çon drejt përsosmërisë dhe përjetësisë, disa të tjera të shpien në shtigje të pakapërcyeshme dhe në mbrapshti.
O vizitor i kësaj bote!
Po ti çfarë gjurmësh ke vendosur të lesh?
Haxhi Mahmud Dashi është njeriu, si shumë të tjerë, që ka lënë gjurmë të një njeriu të mirë, të një teologu të devotshëm, të një mësuesi të përkushtuar, të një predikuesi, imami e hatibi shembullor e të një familjari e qytetari të nderuar.
Lusim e shpresojmë që Zoti i madhëruar ta ketë përfshirë në shpërblimin e Tij.
Ai në shkollë na mësonte lëndën e besimit, bazën e fesë islame, themelin e saj, sepse çdo punë e veprimtari që bën njeriu gjatë gjithë jetës së tij, ngrihet mbi bazën e besimit të tij të sinqertë: Paqe me Zotin, me shoqërinë e vetveten.
Lëndën e besimit që ai na mësonte e shtrinte në tre plane:
a) Në planin vertikal-që përfshinte marrëdhëniet e njeriut me Krijuesin e gjithësisë-Allahun e madhëruar. Si ta njohim, ta besojmë, falënderojmë e të punojmë me këshillat e Tij, t’i lutemi e adhurojmë vetëm Atë, vetëm tek Ai të mbështetemi, shpresojmë e pendohemi.
b) Në planin horizontal. Shpjegonte si duhet t’i ndërtojmë marrëdhëniet tona me shoqërinë, me komunitetin, me fqinjët, farefisin, prindërit, familjen, fëmijët.
Detyrat që kemi ndaj tyre dhe të drejtat; duke pasur parasysh si moto hadithin e profetit Muhamed se “Besimtar i vërtetë është ai që nga goja, dora e puna e tij, shoqëria nuk shikon të këqija por vetëm të mira”.
Ai na mësonte se sipas fesë islame për drejtuesit e çdo pune që i ngarkohet një detyrë, parësore duhet të jenë: -kultura e nevojshme-Aftësia për ta kryer dhe të jetë i drejtë, që zbaton drejtësinë me rigorozitet.
c) Në planin vetjak. Mësimet e fesë islame që na mësonte mësuesi ynë H. Mahmud Dashi theksonin se, njeriu që lind, lind pa mëkate, nuk trashëgon e nuk përgjigjet për mëkatet e paraardhësve, qofshin prindërit, na mësonte si të veprojmë me vetveten, si ta ruajmë trupin që Krijuesi i gjithësisë na e ka dhuruar të përsosur, na e ka dhuruar ta ruajmë, ta mbrojmë, ta vemi në dispozicion të shoqërisë, ta njohim botën, ta studiojmë atë, ta ndryshojmë në dobinë tonë, të veprojmë pozitivisht mbi të e jo ta shkatërrojmë.
Ai na përsëriste shpesh porositë e profetit Muhamed (a.s.):
“Të shfrytëzojmë e vlerësojmë pesë gjëra të mira, para se ato të kalojnë e t’ia lënë vendin pesë gjërave jo të mira.
1. Rininë para se të plakemi.
2. Shëndetin para se të sëmuremi.
3. Pasurinë para se të varfërohemi.
4. Kohën para se ajo të kalojë.
5. Jetën para se të na vijë vdekja.
Po t’i shohim këto mësime arrijmë në një përfundim se Islami ka forca, aftësi e mundësi për t’i dhënë zgjidhje të gjithë problemeve, që i dalin shoqërisë sot, po të zbatojmë me koshiencë mësimet ai na mëson, mësimet e Kuranit të madhëruar dhe porositë e profetit Muhamed (a.s.).
Mësuesi ynë na mësonte se Islami porosit: Njeriu lind i lirë, me predispozicion pozitiv natyral që të besojë, sepse feja-besimi në Zotin e zbatimi i porosive që na jep ajo, i sjellin sukses e begati njeriut. Kapja pas besimit të bën që njeriu të jetë i rregullt, i ndershëm, i sjellshëm, i duruar, i drejtë, i sinqertë, humanitar, pra, i pajisur me të gjitha cilësitë e mirë.
Feja na mëson të mos bëhemi skllevër të pasioneve negative, i kënaqësive materiale të shthurura, por të punojmë e të jetojmë me punën tonë, jo me grabitje, mashtrime e korrupsion, me vrasje, se jetën e ka falur Zoti dhe vetëm Ai ka të drejtë të na e marrë.
Haxhi Dashi ishte fjalëpakët, fliste ngadalë, me zë të ulët, por fjala e tij ishte bindëse e zinte vend, sepse shqiptohej nga goja, por ajo dilte nga zemra, mendja e shpirti i tij; ishte fjalë e vepër, prandaj mësimet e Islamit që ai na mësonte nguliteshin në mendjet tona.
Ai kishte marrëdhënie shumë të mira me nxënësit, shpjegonte qartë e kuptueshëm me shumë shembuj konkret. I inkurajonte nxënësit gjithmonë, i afronte, kurrë nuk i ndëshkonte dhe i bënte për vete me respektin reciprok.
I pëlqenin aktivitetet kulturore, sportive që nxënësit zhvillonin në kohën e lirë. Ne kishim grupin teatral dhe përgatisnim shfaqje teatrale, si historinë e Hz. Jusufit, dramën Halili dhe Hajrija, elegji për Qerbelanë i kënduar nga korri, apo këndimin e Mevludit. Ai i ndiqte me dëshirë shfaqjet që ne jepnim në sallën e shkollës.
Sa i afërt ishte me nxënësit aq edhe autoritar ishte, por jo me imponim, por e fitonte me qëndrimin e tij, me gatishmërinë e tij për t’i ndihmuar nxënësit në çdo gjë që ata pyesnin.
Gëzonte autoritet dhe respekt dhe ndaj kolegëve e pedagogëve të tjerë që na mësonin.
Shërbente si imam në xhaminë e rrugës së Kavajës, që sot thërritet dhe me emrin e tij, sepse shërbeu për shumë vjet në të.
Bisedat e tij ditëve të premte ishin të goditura dhe aktuale dhe dëgjoheshin me vëmendje nga xhemati dhe nga nxënësit që shpesh shkonin për të falur xhumanë atje.
Ai ishte i afërt me besimtarët që frekuentonin xhaminë dhe interesohej për ta, për nevojat e shqetësimet e tyre dhe shpesh i vizitonte ata dhe në shtëpitë e tyre. Nga të gjithë ishte i respektuar. Kishte zakon të nisej herët për në shkollë. Shpesh ndodhte që kur pranë tij kalonte ndonjë pajton (karrocë e vogël që përdorej për transport njerëzish) karrocieri ndalonte dhe e ftonte të hipte, pavarësisht se ai nuk donte ta bezdiste, ai i drejtohej: Haxhi efendi, urdhëro, dhe e sillnin deri në shkollë. Ai i falënderonte duke i thënë: Zoti të nderoftë. Shpesh ai thoshte: -Kush nderon e respekton të tjerët, di të falënderojë dhe Zotin nga i Cili frymëzohemi dhe i bindemi porosive të Tij, dhe shpesh na kujtonte porosinë, kumtesën e Allahut: “Kush më njeh Mua, ai më kërkon dhe më gjen, e kush më gjen Mua-ai më do, dhe kush më do Mua, ai i zhduk veset e këqija në veten e tij dhe shikon se bota nuk është gjë tjetër veçse një zbulim i Krijuesit, Zotit të plotfuqishëm, sepse të Atij jemi dhe tek Ai do të kthehemi”.
Haxhi Dashi shpesh theksonte porosinë e profetit Muhamed (a.s.) se një nga rrugët që na siguron afrimin me Zotin është njohja me veçoritë e tij në mënyrë që të frymëzohemi prej tyre. Se:
-Ai është i mirë dhe e do të mirën.
-Ai është i pastër dhe e do të pastrën.
-Ai është fisnik dhe e do fisnikërinë.
-Ai është dorëdhënës dhe i do dorëdhënësit.
-Ai është mëshirues dhe i do ata që falin e mëshirojnë të tjerët.
Prandaj kurrë mos largohemi nga udha që Ai porosit.
Haxhi Dashi theksonte se njeriu është i lirë, të mos jetë i ndrojtur, të jetojë e të zbatojë porositë hyjnore e profetike, por theksonte porosinë islame se të jesh i lirë nuk do të thotë që ke të drejtë të bësh çfarë të dëshirosh aq më tepër në dëm të jetës, nderit e pasurisë së tjetrit.
Ta duam jetën e jo ta vrasim atë.
Një gjë që nuk të pëlqen e nuk të vjen mirë ta bëjnë ty, mos e bën ndaj të tjerëve.
Ligjet islame-Sheriati që na mësonte janë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, janë humane e i sigurojnë njeriut besimtar lumturi dhe tolerancë dhe për besimet e tjera që besojnë një Zot, sepse myslimanit nuk i lejohet të mohojë e të mos njohi profetët e tjerë, sepse të gjithë kanë sjellë një mesazh: Të besojmë Krijuesin, profetin e Tij dhe të jetojmë e zbatojmë porositë e Tij.
Dyert e besimit janë gjithmonë të hapura për çdo njeri ngaqë mëshira e Allahut është shumë herë më e madhe se ndëshkimi i Tij dhe Ai nuk e dëshiron një gjë të tillë për Krijesat e veta. Prandaj Zoti porosit: Të kapemi pas udhëzimeve të Allahut e të mos kemi frikë.
Sa kuptimplotë dhe aktuale kumbojnë sot fjalët e shkrimtarit të madh Gëte:
Çmenduri-secili në sojin e vet
Mendimin e tij të veçantë lavdon
Nëse islam do të thotë nënshtrim ndaj Zotit
Ne jetojmë e vdesim të gjithë Islam!
Kurse Xhelaludin Rumiu-Mevlana bën thirrje:
“Eja, eja, eja dhe në qofsh maxhusi
Dhe në qoftë se ke bëre teube 40 herë
Eja-Portat e pendesës, portat e Islamit
Janë të hapura.
Kur njeriu ka në zemër, në shpirt e mendje besimin në Zotin e madhëruar vepron me urtësi e drejtësi, gjen forcën e gëzimin e dashurisë për njerëzit e gjithë krijesat e pajiset me cilësitë e Krijuesit.
Prandaj mos thoni: Ruhu, të ruajtë Zoti, por të themi: Ruaje Atë-Zotin- në shpirt, mendje e zemër që të të ruaj Ai ty.
Botimi i librit “Haxhi Mahmud Dashi” nga z. Xhemal Balla dhe promovimi i tij në sallën e Medresesë së Tiranës nën kujdesin e shoqatës “Tirana” është shumë kuptimplote dhe një mesazh me vlera aktuale që na fton në besimin e Zotit të vetëm-Krijuesin e gjithësisë, na fton të jetojmë në paqe, harmoni, ndershmëri, sinqeritet e devocion, larg çdo keqbërje, ngaqë kjo jetë është një vetëm një provë. Lum kush e kalon dhe e organizon mirë atë, sidomos në dobi të shoqërisë e gjithë vendit për të merituar përfshirjen në mëshirën e të Plotfuqishmit, gjë e cila bën që njeriu të kujtohet për të mirë ashtu si Haxhi Mahmud Dashi.
Kujtim Gjinishi

