| Lista e faqeve |
|---|
| HAFIZ ALI ULQINAKU (1853-1913) - Dijetari dhe rilindasi mysliman |
| Faqe 2 |
| Faqe 3 |
| Faqe 4 |
| Te gjitha faqet |

Haiz Ali Ulqinaku i përket plejadës se nderuar të figurave të shquara të kulturës shqiptare në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Jeta e tij nuk ka qenë e qetë, përkundrazi ajo qe e vështirë, plot shqetësime e brenga, me lëvizje të detyruara nga rrethanat tragjiko - historike në prag e gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Nga gjurmimi i literaturës së shumtë e nga autobiografia e tij mësojmë se lindi në Ulqin më 1853 dhe pati disa emra, si: Ali Riza, Ali Gjoka dhe Ali Ulqinaku, mbiemër të cilin e mori nga vendlindia.1 Babai i tij quhej Jakup Behluli prej fisit Usta Ali, me profesion barkatar, me banim pranë plazhit të vogël të Ulqinit.2
Shkollimi i Hafiz Aliut u bë në dy faza; shkollën fillore dhe një pjesë të medresesë i kreu në Ulqin, ndërsa vazhdimin dhe përfundimin e saj në Shkodër, në medresenë e Bushatllinjve, ku mori edhe ixhazetin (diplomën). Në medresenë e Ulqinit pati myderriz (profesor) myftiun Sali ef. Hylen, një patriot që përfaqësonte interesat e popullit, që kishte ndikim të madh në të dhe që luftoi heroikisht për mbrojtjen e Ulqinit kundër agresionit të Malit të Zi në vitet 1876-77 dhe 1880. Në të dy betejat për mbrojtjen e Ulqinit me armë në dorë mori pjesë edhe i riu Ali Ulqinaku. Për këtë kontribut u dekorua nie medaljen "Për veprimtari patriotike" si aktivist i dalluar dhe luftëtar i Lidhjes së Prizrenit.4
Nga profesori i tij medresisti Aliu nuk mësoi vetëm për hoxhë, për dije, për kulturë, por edhe për edukatë të shëndoshë patriotike, të cilën e thelloi në vitet e mëvonshme në shkollë, gjatë jetës e punës në Shkodër e në Lezhë.
Me rënien e Ulqinit nën Malin e Zi familja e tij, bashkë me qindra familje të tjera ulqinake u shpërngulën në Shkodër si emigrantë, ku gjetën strehim, punë, mikpritje e përkrahje dashmirëse për inkuadrim familjar e shoqëror, ashtu si shqiptarët e tjerë nga viset shqiptare në Mal të Zi e në Kosovë.
Aliu në Shkodër, përveç përfundirnit të shkollës fitoi një përvojë të pasur nga personalitete atdhetare, kulturore e përparimtare të kohës, si: Daut Boriçi, Isuf Tabaku, Sheh Shamia etj., nga traditat e shquara të qytetit të lashtë e me histori të shkëlqyer, si dhe nga ndikimi i qytetërimit dhe kulturës perëndimore.5
Djali i Hafiz Aliut, Seiti, në parathënien e Mevludit përshkruan gjendjen shpirtërore të babait në atë kohë, na jep disa cilësi të portretit të tij intelektual: "Në Shkodër nuk gjente asnjë mjet për të ngushllue shpirtin e vet të dishpruem nga humbja e vatrës prindërore. I ndjeri hafiz Ali, kishte me vedi një shpirt të madh të pajosun me një kulturë të naltë theologjike, me natyrë të mprehtë poetike e me ndërgjegje të kullueme dhe të edukueme simbas parimeve t'Islamizmës..."6
Në vitin 1882 emërohet mësues i shkollës fillore në lagjen "Dudas" të Shkodrës. Është me shumë interes autobiografia e tij e paraqitur në Ministrinë e Arsimit të Perandorisë Osmane për t'u pranuar mësues. Në të ai deklaronte: "Gjuha ime asht shqipja, shkruaj e flas arabisht, turqisht e shqip".7
Ndonëse me kulturë orientale, hoxhë, me rrogë nga Perandoria, ai pohon me krenari identitetin e tij kombëtar.
Në vitin 1884 u transferua në Lezhë, ku fillimisht kreu detyrën e mësuesit e të imamit. Falë cilësive të tii pozitive, ai arriti të fitojë shpejt dashurinë, nderimin dhe vlerësimin e lezhjanëve, të cilët propozuan për ta graduar me titullin honorar, myfti i Lezhës, i cili u miratua më 1889 nga autoriteti më i lartë fetar në Stamboll.8 Vdiq më 1913 në Lezhë dhe u varros në Shkodër me një ceremoni prekëse, me pjesëmarrje të gjërë popullore.
Veprimtaria e Hafiz Ali Ulqinakut shtrihet në disa fusha kryesore: në atë të letërsisë, të gjuhësisë, të arsimit e në atë fetare.
Në fushën e letërsisë ai është kryesisht përkthyes. Ka përkthyer që në vitin 1873 në Ulqin Mevludin nga poeti i famshëm turk Sulejman Çelepi nga Bursa, duke përdorur alfabetin arabo-osman me titull "Përkthimi i Mevludit në gjuhën shqipe". Përveç përkthimit ka edhe elemente përshtatjeje dhe vargje originale, që nuk gjenden në librin turqisht. Bashkë më Mevludin ka përkthyer edhe vargje me titull "Huda Rabbim" të dijetarit dhe filozofit turk Haki Erzurum. Krahas këtyre përktheu dhe përshtati në vargje edhe disa njohuri fetare si një libër besimi i vogël. Këto tri vepra u shtypën në Stamboll në vitin 1887 në një libër të vetëm. Në vitinn 1936, nën kujdesin e të birit, hafiz Seitit, doli ribotimi me alfabet shqip nën titullin "Mevludi Sherif".
Hafiz Ali Ulqinaku, djalosh rreth 23 vjeç, shkroi Mevludin në gjuhën shqipe. Ai me dorën e vet shënon: "Tue kenë n'Ulqin, përpara emigrimit, përktheva e kompilova në gjuhën amtare t'emen qi asht shqipja, "Mevludin e Profetit a.s.". Ai me krenari pohon: "Atdheu e vendlindja e jonë asht Ulqini ... Gjuha e jonë asht shqipja. Shkruej e flas arabisht, turqisht e shqip".9 Jo vetëm kaq, por edhe në parathënien e Mevludit shënon:
"N'gjuhën shqipe kam qëllim un me i tregue
Që kështu vllaznit sa do pak me përfitue",10
sepse .... Asht nji gjuh' qi me kalem s'asht kollanis".11
Në trevat e Shqipërisë Veriore në atë kohë Mevludi këndohej në gjuhën turke, shkruar prej Sulejman Çelepisë, nga Bursa në vitin 1409.12 Pikërisht, prej këtij Mevludi të përhapur në të gjithë Perendorinë Osmane Hafiz Ali Ulqinaku përshtati Mevludin e vet.
Poeti është i vetëdijshëm për dobësitë e veprës, prandaj me përvujtni lutet:
"Kushdo, qi t'a vejn hesap ndonji hata
M'godit aj qi t'a shof, i baj rixha".13
Në të gjitha kohërat, në të gjithë popujt edhe sot e kësaj dite në fushën e edukatës janë përdorur shurnë mjete. Që në Romën e lashtë, Seneka porosiste: "Njeriu të shqyrtojë për ditë veprimtarinë që zhvillon, të dallojë të mirën prej të keqes, të dijë të pëlqejë çfarë është e mirë e të përbuzë çfarë sjell dëm" e kjo sipas tij, mes tjerash, mund të arrihet nëpërrnes ushtrimesh, shoqërisë së mirë e shëmbullit të mirë. Pra, shembulli i rnirë ka qenë e mbetet një faktor i rëndësishëm edukimi.

