
Të nderuar zotëri ambasadorë!
Të nderuar përfaqësues të shquar të medias së lirë në Shqipëri!
Të nderuar miq e të ftuar!
Duke iu drejtuar të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit, lutem që mirësitë e Tij të pafundme të jenë për gjithsecilin prej jush, vendin e kombin tonë.
Në rrugëtimin tonë të gjatë drejt pafundësisë, ajo që na prin dhe na jep shpresë e siguri në këtë udhë, ka qenë dhe mbetet fuqia që buron nga dija.
Madhështia e kësaj porte, që hap rrugën për të dy jetët, nis me të madhërishmen fjalë nga Libri i Urtësisë Hyjnore, Kur’anit të Madhërishëm: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi gjithçka”.
Lexo që të mund të njohësh vetveten, që të mund të njohësh materien dhe shpirtëroren, njerëzoren dhe Hyjnoren; lexo që të mund të arrish kënaqësinë e shpresës, se tek Zoti je i pranuar.
Ishte kjo porosi Kur’anore që frymëzoi themeluesit e Komunitetit Mysliman të hapnin Gazetën Drita Islame në 1992. Me qëllimin t’i riparaqesnin shoqërisë shqiptare, parimet dhe vlerat e patjetërsueshme të fesë, që ishin lënë në harresë për gati gjysëm shekulli, gazeta “Drita Islame” kreu një mision shumë të vyer e mbresëlënës.
Ndërsa duke ardhur në ditët e sotme pas dy dekadash, “Drita Islame” hap një tjetër vizion, një tjetër këndvështrim, një tjetër dritare të re të mendimit të myslimanëve të këtij vendi, madje të mbarë shoqërisë shqiptare.
Tashmë në formatin e revistës, “Drita Islame” hedh një tjetër hap në kupolën e bashkëveprimit dhe të harmonizimit të shërbimit që duhet t’i japim këtij vendi të mrekullueshëm.
“Drita Islame’’ e pas dy dekadave, përkon njëherazi edhe me 100 vjetorin e ngritjes së shtetit shqiptar, Pavarësisë së Shqipërisë.
Me rastin e 20 vjetorit të gazetës Drita Islame, u organizua kjo konferencë e titulluar “Media dhe Feja”, ku na nderojnë me pjesëmarrjen e tyre disa nga figurat më të shquara të medias së lirë në Shqipëri.
Feja ka qenë, është dhe do të jetë një domosdoshmëri për shoqërinë, por edhe media tashmë është kthyer në një domosdoshmëri të patjetërsueshme, prandaj mendoj se është e udhës që në shërbim të shoqërisë, media duhet të bashkërendojë hapat me parimet dhe mësimet e pazëvendësueshme të fesë.
Me këtë rast përvjetori të “Dritës Islame”, përcjell në emrin e tim personal dhe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, urimet e përzemërta që kjo dritë e pashuar, “Drita Islame” të jetë rrezja e diellit që vjen nga Drita e Përjetshme, dritë mbi çdo dritë; që ndriçon zemrat, shpirtrat, mendjet, gjykimet, arsyetimet dhe hapat që hedh çdokush nga ne drejt të nesërmes; që ndriçon shtëpitë, fshatrat dhe qytetet, atdheun tonë, aq të dashur e kombin tonë të shtrenjtë.
Kjo dritë dhe rrugëtimi i saj qoftë sihariqi i madh për çdo zemër e çdo shpirt që dëshiron, lutet dhe përkushtohet ndaj të tjerëve për të ardhmen e pafundme.
Allahu e begatoftë vendin, njerëzit dhe atdheun ku nisi rrugëtimin “DRITA ISLAME’’!
Allahu i ndihmoftë të gjithë ato familje që janë sprovuar me izolimin nga dëbora.
Zoti ia shtoftë bujarinë mbarë qytetarëve shqiptarë për t’i ndihmuar vëllezërit tanë në nevojë.
Amin!
Ju faleminderit!

