
“Nëse shpirti fetar mundi të mbijetojë në Shqipëri, në atë që ishte padyshim një nga regjimet më ateiste i të gjitha regjimeve, ka të ngjarë të mbijetojë kudo dhe në çdo vend.” Ali M. Basha
Liria e fesë është më e vjetra ndër të drejtat e njeriut të njohura ndërkombëtarisht. Çdo ditë e më shumë po vërtetohet fakti se jeta fetare nuk venitet. Argumenti më i fuqishëm për ta mbrojtur atë është se liria e ndërgjegjes, feja dhe besimi mbështeten në thelbin e dinjitetit njerëzor. Periudha e Luftës së Parë Botërore dhe më pas ajo e viteve 1918-1920 dëshmuan se ekzistenca e besimit fetar jo vetëm që nuk u bë pengesë për përballimin e situatave të vështira të asaj kohe, por u bë faktor i domosdoshëm për ruajtjen e pavarësisë dhe forcimin e shtetit. Një realitet ky i cili u vlerësua edhe nga opinioni i jashtëm ndërkombëtar. Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 1912, klerikët e tre besimeve radhiteshin mes personaliteteve politike e shoqërore dhe krah luftërave të lëvizjes kombëtare.
Shqipëria përgjatë historisë së saj ka qenë një shembull se si njerëzit e fesë kanë ditur të zgjidhin saktë marrëdhëniet e besimit me kombin. Njëri nga klerikët rilindës, Hafiz Ali Korça i ngre këto marrëdhënie deri në nivele universale kur thotë:
Zot, të na rrojë Atdheu, Kombësija,
Aqë sa të na rrojë edhe gjithësia.
Periudha e Rilindjes, Lidhja e Prizrenit, Kongresi i Dibrës, i Manastirit, Shpallja e Pavarësisë, përbëjnë qëndresën shekullore të kauzës shqiptare në mbrojtje të vlerave kombëtare. Padyshim se kësaj epoke të vështirë iu bashkëngjit dhe kleri mysliman shqiptar madje në disa raste ai ishte vendimtar.
Për këtë arsye, shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912 si një akt politiko-historik për shqiptarët, do ta përshëndeste në cilësinë e kryetarit të senatit të parë shqiptar dhe kryemyftiut të vendit H. Vehbi Dibra, firmëtar i deklaratës së Pavarësisë, i cili, sipas sheriatit, dha fetvanë e njohur për Shpalljen e Pavarësisë dhe për flamurin.
Ai e quajti aktin “Një dhuratë të Perëndisë”. Me këtë fetva, ai e legjitimoi edhe fetarisht aktin e pavarësisë.
I zgjedhur në krye të Pleqësisë (senatit të parë shqiptar) më 1912 me propozim të Luigj Gurakuqit, Vehbi Dibra u ngarkua nga kuvendi me detyrën e Kryemyftiut të Shqipërisë për organizimin e Komunitetit Mysliman në maj 1913.
Ky eveniment shënon hapin e parë organizativ të pavarësisë fetare të institucionit islam më të lartë në Shqipëri në pozitat e një shteti laik, në ngjizjen e një kombi vital, ku të gjitha fetë janë njëlloj të respektueshme.
Vehbi Dibra filloi një veprimtari intensive për riorganizimin dhe më vonë në forcimin e institucioneve të fesë islame, detyrave dhe rolit të tyre, ngritjen dhe organizimin e zyrave të Sheriatit. Në një telegram drejtuar nxënësve të medresesë së Beratit, ai shkruan: “Detyra fetare dhe atdhetare e lyp me dalë në luftë për me mbrojtun atdheun”.
Feja islame në këtë periudhë ashtu sikurse edhe i gjithë shteti shqiptar kishte nevojë për organizimin dhe riorganizimin e asaj që kishte trashëguar nga sundimi osman. Në fillim të viteve ’20-të u bënë përpjekje për riorganizimin e fesë islame mbi baza kombëtare, përpjekje të cilat u favorizuan nga ndryshimet e mëdha politike. Por edhe shteti shqiptar ndihmoi për të “kombëtarizuar besimin”. Puna në këtë drejtim gjatë kësaj kohe ishte më e organizuar duke kaluar në fazën e institucionalizimit të problemeve. Në vitin 1913 gjykatat civile të shtetit, që vareshin prej Ministrisë së Drejtësisë, administroheshin prej kadilerëve dhe vepronin me legjislaturën islame. Kështu, në vitet në vazhdim feja po institucionalizohej përherë e më shumë në shërbim të besimit dhe kombit shqiptar.
Në tetor 1916, si strukturë organizative islame, formohet në Shkodër (Këshilli)-Gjyqi i Naltë i Sheriatit, i drejtuar nga Kryemyftiu Vehbi Dibra në përbërje të të cilit ishin edhe dy anëtarë të tjerë. Organizimi i kësaj strukture mbështetej në elementin shqiptar dhe vendimet gjyqësore përmblidheshin në gjuhën shqipe.
Ndërkohë, kongresi i parë, i cili kishte përfaqësi mbarëkombëtare, mbajti mbledhjen e tij të parë në Tiranë më 24 shkurt 1923.
Kryemyftiu i Shqipërisë i emëruar nga qeveria e Vlorës dhe i zgjedhur në krye të Komunitetit Mysliman më 1923 ishte Vehbi Dibra.
Në muajin mars të vitit 1924, me vendim të Kongresit të Parë të Bashkësisë Islame të Shqipërisë, u hap Medreseja e Përgjithshme e Tiranës. Këtë shkollë, e cila shumë shpejt u bë djepi i dijes dhe kulturës kombëtare, e kanë drejtuar personalitete të shquara si: Hafiz Izmet Dibra, Jonuz Buliqi, Haki Sharofi, Esat Myftia, Sherif Putra etj.
Idetë komuniste, si në të gjithë botën, po përhapeshin dhe në Shqipëri me shpejtësi në formë imitative. Është i qartë shkaku pse ideologjia komuniste ishte në armiqësi me fetë.
Duke analizuar gjendjen e fesë në Shqipërinë komuniste në mesin e viteve 1980, një studiues i huaj shkruan në shënimet e veta se “ndonëse institucioni i fesë është dobësuar në mënyrë ta pallogaritshme, tek individët besimtarë, që i kanë mbajtur fort bindjet e tyre fetare, pavarësisht nga përndjekjet, besimi është purifikuar dhe forcuar”.
Sigurisht që pas dyzet vjetësh përndjekje dhe barbarizmash kundër fesë panorama e besimit ishte e trishtueshme, por kurrë nuk u shua.
Fetarët shqiptarë e konsideronin komunizmin si shkatërrim për kombet, fetë, qytetërimet dhe moralin njerëzor. Kleri mysliman shqiptar u bë që herët opozitar i fortë ndaj komunizmit. Kështu Hafiz Ali Korça në vitin 1925 shkroi librin “Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit”. Me këtë libër modest ai është i pari person me të parin libër që denoncon publikisht komunizmin në vendin tonë madje duke i shpallur luftë dhe në emër të fesë:
“Bolshevizma s’pajtohet kurrë
Me dinin e Muhamedit
Çelët do ta kenë luftën
Gjer ditën e Kijametit.”
Gjatë kohës së komunizmit, të gjithë ata fetarë e atdhetarë që kundërshtuan idetë shkatërrimtare të këtij regjimi, u përndoqën, u vranë dhe u masakruan në mënyrën më çnjerëzore, por as kjo nuk mundi të shkulë rrënjët e besimit në vend.
Shkrimet kundër ideve komuniste vijnë tek “Zani i Naltë” që në numrat e parë të botimit të tij. Ai i quan përkrahësit e tyre tradhtarë të atdheut dhe kombit.
Në atë kohë kleri mysliman i vetëdijshëm për rrezikun e komunizmit qëmton në një koordinim ndërfetar antikomunist:
“…Të gjithë elementët shqiptaro-fetar, si vëllezër të një gjaku e si besues të një Zoti të Amshueshëm, duhet me u bashkue e me u organizue në nji front të përbashkët për ta luftuar ateizmin, që do me shkatërrue “Fe e Atdhe”. Kjo është lufta e shenjtë që duhet të bëjnë të gjitha fetë në Shqipëri”.
Është fakt se, komunistët kur erdhën në pushtet mbajtën një qëndrim kriminal ndaj fesë. Këto sinjale ata i dhanë që para se të merrnin pushtetin në 1944. Disa javë para se të ndodhte kjo një grup terrorist partizano-komunist kreu në Tiranë atë që në librat e historisë quhet masakra e Tiranës, ku u ekzekutuan afro 100 intelektualë e patriotë me emër. I pari që u ekzekutua ishte Selim Brahja, i njohur ndryshe si hoxha i Saukut.
Pasi erdhën në pushtet komunistët e ashpërsuan armiqësinë e tyre ndaj fesë, derisa në vitin 1967 nxorën vendimin për ndalimin e fesë ku filloi dhe reprezalja finale kundër saj. Numri i xhamive që u shkatërruan ishte 1667, ndërsa qindra njerëz të fesë, intelektualë e patriotë u pushkatuan, u burgosën apo u internuan.
Hafiz Sabriu i kujton kështu momentet e fundit para arrestimit dhe burgosjes së tij:
“Ishte e Xhuma. Pas faljes xhemati po përshëndetej me mua si asnjëherë tjetër. Të gjithë vinin e nuk po largoheshin. Kjo më bëri shumë përshtypje. U përmallova … E me të vërtetë, kjo qe Xhumaja e fundit për mua dhe për besimtarët”.
Ai përjetoi 20 vjet, 4 muaj e 18 ditë burg.
Terrori dhe dhuna vazhdoi deri në fillim të viteve ‘90. Në ato net të ftohta nëntori, në shtëpinë e familjes Myftia u bënë shumë takime nga rinia dhe besimtarët e vjetër shkodranë. Kjo familje me tradita të vjetra kulturore, fetare dhe atdhetare, në ato ditë të vështira, kur diktatura komuniste vazhdonte krimet e saj, pa marrë parasysh rreziqet, priti me bujari Hafiz Sabriun. Djemtë e kësaj familjeje e shumë qytetarë të tjerë e përcollën përmes popullit deri në tribunën e ngritur para xhamisë së Plumbit më 16 nëntor 1990.
Kjo ceremoni nuk qe thjeshtë një ceremoni fetare, ajo krahas vlerës së vet të ringjalljes së fesë, mori një karakter të hapur politik. Hafiz Sabriu tha: “S’ka krim më të madh se t’i mbyllësh tjetrit derën e shpirtit, derën e ndërgjegjes e të kujtesës të të madhit Zot.”
Hapja e xhamisë së Plumbit qe ngjarje e shënuar. Pas 23 vjetësh u këndua Ezani dhe u fal Xhumaja. Ndërsa mitingu madhështor përfundoi dhe njerëzit po shpërndaheshin duke mbajtur me vete gëzimin e harenë e asaj dite të madhe, në xhaminë e Plumbit u organizua një mbledhje e vogël nga përmasat, por me një rëndësi të veçantë historike për të ardhmen e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Në këtë mbledhje, disi në ilegalitet, u vendos krijimi i “Bashkësisë Islame Shqiptare” me qendër në Shkodër dhe u krijua kryesia e përbërë nga 20 anëtarë të përkohshëm.
Menjëherë, pa humbur kohë Shoqata hartoi 3 dokumente themelore:
1 – Kërkesën për të miratuar shoqatën “Bashkësia Islame Shqiptare”
2 – Statutin e shoqatës “Bashkësia Islame Shqiptare”
3 – Programin e veprimtarisë së Shoqatës
Realizimi i këtyre detyrave, i statutit dhe i programit filloi menjëherë, pavarësisht nga vështirësitë e shumta, pa pritur ende miratimin e Shoqatës.
Më dt. 23.1.1991, Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Kodifikimit lëshon Urdhrin Nr.2/1 për miratimin dhe krijimin e Shoqatës “Bashkësia Islame Shqiptare”.
Më 14 shkurt 1991 u organizua mbledhja e parë zyrtare me përfaqësues nga të gjitha rrethet që u zhvillua në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi” në Tiranë.
Në këtë mbledhje të përgatitur me seriozitet nga grupet nismëtare të rretheve, pasi u diskutua gjendja dhe mundësitë, u shtrua për miratim statuti dhe programi i Bashkësisë Islame nën emrin tashmë Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe u zgjodh kryesia e tij, ndërsa kryetar u zgjodh me votim unanim Hirësia e tij Hafiz Sabri Koçi.
Ishte një barrë e rëndë dhe e vështirë në kushtet e krijuara, pas një periudhe kaq të gjatë kohe, qoftë në aspektin material, ashtu edhe në atë moral. Nuk kishte fonde, mungonin ambientet ku do të kryheshin ritet dhe shërbesat fetare, nuk kishte asnjë qendër a zyrë prej nga ku do të lëshoheshin udhëzimet organizative; ishte vetëm vullneti Zotit pastaj dëshira e mirë e grupeve nismëtare në qendër e në rrethe për ta parë fenë edhe një herë të funksionojë lirisht e pa ndrojtje.
Në çdo rreth u caktuan myftinjtë përgjegjës për veprimtarinë fetare në juridiksionin e tyre dhe në qytete e fshatra imamë e myezinë, që të drejtonin lutjet e përditshme fetare.
Në maj të vitit 1993 u bë tubimi i Këshillit të Përgjithshëm që përfaqësonte gjithë vendin. Me këtë rast u shqyrtua statuti i Komunitetit Mysliman dhe u bënë ndryshimet e nevojshme.
U riorganizua sistemi i medreseve, zyra e shtypit, përbërja e redaksisë së gazetës “Drita Islame”, që kish nxjerrë numrin e saj të parë në janar 1992.
Dalëngadalë feja filloi të zërë vendin që i takonte në shoqërinë shqiptare. Paralelisht edhe Komuniteti Mysliman ndërmori një rol aktiv në jetën social-kulturore të vendit.
Komuniteti Mysliman sot është institucioni zyrtar juridik i njohur nga shteti si përfaqësues i mbarë besimtarëve myslimanë të Shqipërisë. Ai e ka shtrirë aktivitetin e tij në të gjithë territorin e republikës me strukturat dhe institucionet e tij.
Duke parë zhvillimet globale dhe ato në Shqipëri, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në këto 21 vite ka treguar një kujdes të veçantë ndaj arsimit dhe formimit të brezave të rinj. Një nga treguesit më objektiv dhe më të qartë të këtyre strategjive që ai ka ndjekur, është edhe modeli i medreseve të Shqipërisë, të cilat kanë prodhuar dhe vazhdojnë të prodhojnë të rinj të arsimuar nga njëra anë me vlera fetare dhe patriotike dhe nga ana tjetër të formuar me dijet e shkencës dhe teknologjisë. Ky formim u hap dritaret e botës përreth këtyre intelektualëve të ardhshëm, të cilët pas studimeve të mesme vazhdojnë studimet e larta në specialitete të ndryshme si: inxhinieri, mjekësi, juridik, ekonomik, shkenca sociale, teologji, etj.
Për të plotësuar ciklin e vet arsimor Komuniteti Mysliman i Shqipërisë themeloi më 15 shtator 2010, Universitetin “Bedër”, i cili përfshin për herë të parë departamentin e Shkencave Islame. Ky universitet, si një institucion me standarde ndërkombëtare, do të synojë tërheqjen dhe arsimimin e të rinjve jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga vendet e rajonit dhe Evropa, duke u bërë kështu një qendër e promovimit të vlerave unikale të vendit tonë.

