
SHESHI PARA XHAMISE ET'HEM BEU, 1991 (Foto nga Hysen Gostivari)
“Duan ta shuajnë dritën e Zotit me propagandën e tyre…, por nuk do t’ia arrijnë qëllimit.” (Kurani)
Para 21 vjetësh më 18 janar 1991, pas afro tre dekadash ndalimit të besimit në Shqipëri, në Tiranë do të rihapej xhamia simbol e Et’hem Beut, nga një grup nismëtarësh myslimanë si Xhavit e Iljaz Alimehmeti, Ramazan Rysheku, Ibrahim Balla, etj.
Rihapja e kësaj xhamie u bë me një ceremoni madhështore me një pjesëmarrjen e mijëra besimtarëve. Disa ditë përpara, një grup nismëtarësh myslimanë, shumica ish medresistë, iu vunë punës për pastrimin e mjedisit të xhamisë si dhe duke vendosur nëpër mure citate nga Kurani Famëlartë. Në vende të caktuara jashtë u montuan altorpolantë në drejtime të ndryshme me qëllim që ceremonia të ndiqej nga të gjithë të pranishmit.
Kjo fotografi e asaj kohe flet më mirë për pjesëmarrjen e qytetarëve të Tiranës, por jo vetëm. Në të merrnin pjesë njerëz të grupmoshave të ndryshme. Në fytyrat e tyre lexohej gëzimi për këtë ngjarje të madhe, e cila shënonte rikthimin e besimit në jetën e tyre, pas një diktature të shfrenuar dhe një regjimi të ashpër komunist i cili u përpoq të çrrënjosë fenë dhe besimin por që kurrë nuk ia doli mbanë.
Ceremonia e të premtes së 18 janarit 1991, e cila solli rikthimin e besimit për kryeqytetasit, u hap nga z. Ibrahim Balla një besimtar intelektual. Ai uroi tërë besimtarët për këtë ditë të madhe në jetën dhe historinë e vendit, për një adhurim të lirshëm të Allahut.
Duke patur parasysh përbërjen heterogjene të të pranishmëve, ai i bëri një prezantim përmbledhës të mesazhit të Islamit. Pasoi me një pjesë kuranore dhe përmendje të disa sentencave profetike, disa prej të cilave ishin: “Mos hiqni shpresën prej Zotit”, “Puno për këtë botë sikur do të jesh gjithmonë, puno për jetën tjetër sikur do të vdesësh nesër”, “Kërkimi i diturisë është i domosdoshëm për çdo mysliman dhe myslimane”, “Punëtori është i dashuri i Zotit”.
Feja Islame, që sot numëron më shumë se 1.5 miliardë pasues në nivel botëror, ka një mision fisnik në rregullimin e botës. Atë të premte janari për qytetarët e Tiranës kishte zbardhur një ditë e madhe e cila do t’i ringjallte shpresën për ditë më të mira.

