
Fjala “publicistikë” është term mjaft i lakuar në fushën e gazetarisë nga studiuesit dhe botuesit, nga punonjësit e ekspertët e informacionit masiv, nga sociologët e nga të gjithë ata që, në agjendën e objektivat e hulumtimeve, mësyjnë sidomos marrëdhëniet ndërnjerëzore të një vendi e më gjerë, politikologët, bibliotekarët, analistët letrarë etj. Një definicion disi të përmbledhur na jep fjalori i gjuhës shqipe, ku shkruhet:
“PUBLICISTIK/Ë,~A f. Tërësia e shkrimeve që trajtojnë çështje politiko-shoqërore të kohës në shtypin e përditshëm e periodik ose në botime të veçanta; letërsia që përfshin shkrime e vepra të tilla. Publicistika politike (filozofike). Publicistikë revolucionare (luftarake). Publicistika jonë. Në fushën e publicistikës.”
(Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Gjuhës dhe i Letërsisë. Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, Tiranë 1980, f. 1565)
Përkufizimi nuk bën fjalë, as përmend qoftë edhe disa emra organesh që i përkasin fushës së botimeve si: publicistika e letërsisë artistike, ajo e shkencave të natyrës, e shkencave mjekësore etj. Nga ana tjetër është i qartë qëndrimi që mbante propaganda e periudhës moniste për çështje të veçanta me porosi “nga lart”, për të mos lejuar asgjë që, sado pak, diku zinte me gojë fjalët “islam, fe, revistë fetare etj” dhe, për t’i diskriminuar më shumë edhe në aspektin e kulturës, persona të ngarkuar e të zgjedhur improvizonin shpifje përpara opinionit publik, improvizonin akuza të rreme në drejtim të institucioneve fetare e besimtarëve.
(Shiko: Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë: Historia e Letërsisë Shqipe, Tiranë 1959, Hyrje, f. 13)
Më në fund Shqipëria u shpall shteti i parë ateist në historinë e njerëzimit që kulmoi me aksionin e madh për çrrënjosjen e xhamive e kishave duke i sjellë vendit një dëm të dyfishtë edhe për vlerat e pazëvendësueshme kulturore, historike e arkeologjike të këtyre objekteve. Nëpërkëmbja e të drejtave minimale demokratike e humanitare të qytetarit zgjati gati pesë dekada. Pas shembjes së” perandorisë” bolshevike ruso-komuniste u realizuan ndryshime edhe tek ne.. Me ndryshimin e kohëve, ndryshojnë rregullat, ligjet (Tebed-delul ahkamu bi tebed-dulil ezman,proverb arab). Në Shqipëri triumfoi pluralizmi. Lejimi i fesë i ktheu besimtarët drejt faltoreve të tyre të pakta, që kishin mundur të mbijetonin. Njerëzit e penës pa dallim nga prejardhja fetare, ia nisën kërkimeve e hulumtimeve shkencore. Në fushën e botimeve e të publicistikës, studiuesi Maksim Gjinaj veç të tjerash botoi edhe bibliografinë e historisë së shtypit shqiptar për periudhën gati njëshekullore (1848-1944). Libri përmban të dhëna të mjaftueshme orientuese. Pranë emrit të gazetës apo të revistës shënohet data dhe vendi i botimit etj; zoti Gjinaj na jep një mesazh të qartë shkencor mbi zhvillimin e shtypit, përfshirë edhe botimet periodike të komuniteteve fetare, natyrisht edhe botimet e komunitetit mysliman.
Shtypi islam në Shqipëri mbart njëkohësisht vlera të edukimit fetar e ato patriotik kombëtar, mbi baza të filozofisë e të praktikës botërore islame. Ai ka dhënë ndihmesën e vet e ka kontribuar në lidhje me bashkëjetesën e harmoninë mes qytetarëve shqiptarë me të gjithë besimet fetare. Në përshtatje me hapin e kohës, u instalua një skemë e larmishme shkrimesh e studimesh shkencore, informacione kulturore etj. Revista “Zani i Naltë” e ka zanafillën qysh në vitin 1923. Aty janë botuar sistematikisht fragmente, po edhe vepra të plota nga letërsia shqipe e shek XVIII të Hasan Zyko Kamberit, Muhamed Kyçyku me shokë, krijimtaria e të cilave me të drejtë ka tërhequr vëmendjen elitës së intelektualëve të kohës, në mes tyre dallohet bashkëpunëtori i apasionuar Abdullah Ferhati (Telegrafi). Ai u angazhua, gjurmoi e zbuloi vepra të autorëve të kësaj etape dhe i ka botuar të transkriptuara tek “Zani i Naltë”. Periudha e re e letërsisë shqipe në shtypin islam përfaqësohet nga poezitë artistiko-patriotike të Hafiz Aliut. Poezia me titull “Vajtimet e atdheut”, bën fjala për bombardimin serb të Drenicës. Autori këtu ngarkon me përgjegjësi shtetet e mëdha të Evropës. Hafizi i Korçës e ka shtrirë veprimtarinë e vet në sektorin fetar. Qysh në numrat e parë të revistës dhe në vazhdim ai ka botuar shkrime me tematikë të gjerë për t’u ardhur në ndihmë kuadrove fetare, imamëve e hatibëve si përkthime, komente e shpjegime nga Kurani me gjuhën e tij shqipe të pastër. Në fushën e historisë Hafizi preferoi t’u fliste lexuesve që nuk dinin frëngjishten nëpërmjet veprës së historianit Tomas W. Arnold “Historia e Përhapjes së Islamit”, ku mbrohet me argumente shkencore teza se Islami është përhapur vullnetarisht dhe hidhet poshtë pretendimi i disa pseudohistorianëve se feja e myslimanëve qenka përhapur me imponim. Hafizi ka përpunuar metodikën e predikimit (Hytbe) dhe i porosit predikuesit të përgatisin që më parë bisedën (hytben) në mënyrë që dëgjuesit ta ndjekin me vëmendje: “po qe se xhemati nuk vështron me vemendje, hatibi bën më mirë tandërpresë bisedën», shkruan ai. Nga lideri i islamit shqiptar Haxhi Vehbiu, “Zani …” boton artikullin e gjatë « Ç’ urdhënon Kur’ani ». Hafiz Ismet Dibra botoi serialin “A ka dyshim në qenien e Zotit”,ku përmes shtjellimit të temës autori citon filozofë si Dekartin, Tomas Karlajl, shkencëtarin Njuton, ka edhe shkrime të tjera. Polemika miqësore e Prof. Junuz Buliqi me prelatin e Vatikanit Eugjen Pelegrino, titulluar “Një lutje-Një falenderim dhe një mësim” ku diskutohej për një verset kuranor u botua po aty dhe përfundoi me mirëkuptim të plotë mes polemikave (“Zani i Naltë”, viti XII, Nr 12, Dhjetor 1937, faqe 398 & Viti XIII, Nr 4 Prill 1938, fq 117-126.)
Ish – studenti i Medreses, Vexhi S. Demiraj, i cili më vonë mori titullin shkencor të profesorit në shkencat sociale në organet e shtypit islam ka botuar mbi 25 artikuj, por ne nuk kemi përmendur këtu autorë të tjerë si Sadik Bega, Sherif Putra, Ferit Vokopola, Muharrem Mitrovica, veprimtarinë publicistike të të cilëve të interesuarit do ta njohin në faqet e shtypit islam shqiptar. Në organet e shtypit islam kanë bashkëpunuar përafërsisht rreth 230 autorë, mes të të cilëve kishte teologë, profesorë shkollash, myderriza të Medreses, shkrimtarë e poetë, politikanë e burra të shtetit të atëhershëm, studiues si Mid’hat e Mehdi Frashëri, Islam Vrioni, Baba Musa Qazim etj, që nuk kishin të bënin, ose nuk kishin lidhje direkte me komunitetin mysliman.
“Kultura Islame” ka vënë në rubrikat e saj poezi nga Vexhi Buharaja si «Përpara Tomorrit ». Penda të reja kanë provuar të trajtojnë çështje shoqërore. Nuk ka munguar rubrika e lajmeve nga vendi e më gjerë, informacione nga Bota Islame, si forma komunikimi të medias me lexuesin në proporcion të drejtë me hapin e kohës. Artikullin anonim “Drejt zhvillimit të shtypit tonë», i botuar në revistën “Kultura Islame”, Nr. 5-6-7 1942. sipas M. Gjonaj në [ “Nga “L’albanese d’Italja” ( 1848 ) te “Jehona e Tiranës” (1944)-Bibliografia e shtypit shqiptar Tiranë, 2003, fq. 13 ] e ka shkruar një person që nuk ka dashur të identifikohej
Shefik Osmani ( me pseudonim «Shetos») paraqitet me artikullin :
“Dekani i shtypit pedagogjik shqiptar i shek XIX, Pandeli Sotiri …” ( Po aty, M Gjinaj, faqe 189 )...
Botimet e periudhës para e gjatë Luftës së Dytë Botërore (revistat “Zani i Naltë”, “Kultura Islame” dhe rev. “Njeriu”) që renditen tek “Bibliografia … e vitit 2003” e M. Gjinajt, në saje të larmisë së shkrimeve, të mbështetura mbi një literaturë të gjerë, u bënë pjesë integrale e aktivitetit publicistik, i trashëgimisë kulturore të letrave shqipe mbi taban kombëtar. “Ç’ është
Kur’ani” është njëri prej titujve të shkrimeve të spektrit teologjik ku kanë hulumtuar me dashuri e përkujdesje disa nga profesorët e Medreses, shpjegimet e veta i ndërtonin me një gjuhë shqipe të pastër e të pasur bashkëkohore (Zani i Naltë, Nr 4-5, janar shkurt 1933, fq. 520-523). Shejh Qazimi, figurë me reputacion mes teologëve shqiptarë e njëkohësisht profesor i disa brezave studentësh në Medresen e Tiranës ka mjaft artikuj në organet e shtypit islam. Temën “Ç’urdhëron Kur’ani” e paraqiti në vazet nëpër xhamia para dëgjuesve, të cilët i ndiqnin me vëmendje këta leksione, një arsye më shumë për t’u botuar në revistat e kohës. Ligjëratat e tij drejtuar të tjerëve ai i kishte praktikuar vetë qysh në moshën e rinisë. Mbiemrin « Hoxha» fillimisht e kishte pas marrë nga shokët e shkollës, sepse falej shumë: “…duke i dhënë shkakun që të merrte atributin “Hoxha”” (Nexhmi Bushati «Simpozium vlerash» organizuar për familjen Sheh Qazim Hoxha e Haxhi Faik Hoxha, Shkodër, 2007). Hasan Tahsini ka artikuj lidhur me moralin islam (të mos e ngatërrojmë profesorin e Medreses së Tiranës me rilindësin e shquar, Rektorin e Universitetit të Stambollit, Hoxha Hasan Tahsinin). Hasan Tahsini i Tiranës është autori i historikut të Tarikatit Tixhani.
Revista “Kultura Islame” me artikujt e saj u bë përçuese e mësimeve dhe filozofisë sè Islamit. Shkrimet e saj mbartin vlera edhe për lexuesin e sotëm.
Tek revista “Njeriu” gjejmë shkrime të Jup Kastratit, të Filip Ndocajt, të Sinan Tafait, të Muzafer Xhaxhiut, të Vexhi e Shaban Demirajt. Këta autorë asokohe bënin hapat e para në fushën e krijimtarisë e të botimeve, të cilët më vonë do t’i ndeshim si drejtues katedrash e fakultetesh të universiteteve shqiptare…, apo si hulumtues në fushat e filozofisë, të sociologjisë, apo si përkthyes autorësh nga kultura e shkenca botërore. Shtypi islam shqiptar u zhvillua përkrah publicistikës bashkëkohore dhe krijoi tradita me vlera kulturore e morale në frymën e filozofisë kuranore e të porosive profetike.
Pas Luftës së Dytë Botërore, me vendosjen e shtetit komunist, të quajtur “shteti i diktaturës së proletariatit” u ndaluan plotësisht botimet me karakter fetar, masë kjo që kulmoi me shpërndarjen e të gjithë institucioneve objekteve fetare, shembjen e qindra xhamive e teqeve brenda territorit shqiptar sikundër u shkatërruan objektet e kultit të feve të tjera, duke i sjellë vendit një dëm të dyfishtë për rëndësinë e vlerat e pazëvendësueshme historike e arkeologjike, si monumente të kulturës materiale
***
Por, ja, erdhi një ditë që rendi botëror social-komunist u përmbys. Shqipëria, me ndihmë edhe të popujve miq, u integrua në pluralizëm. Më 1991 u rivendos liria e fesë. Tani iu hap edhe rruga e botimeve periodike. Institucioni i Komunitetit Mysliman i sapongritur, paralelisht me punën e hapjes së xhamive, duke vlerësuar situatën, e pa si nevojë të ngutshme nisjen e botimeve, ku i jepej përparësi shtypit periodik. Ditën e premte, me 10 janar 1992, (6 Rexhep 1412) doli numri parë i gazetës “DRITA ISLAME”.
Pas një intervali prej gati pesë dekadash rifilloi botimin organi qendror i myslimanëve shqiptarë. Njëra pas tjetrës nisën edhe revista e gazeta të tjera. Në janarin e vitit 2012 “Drita Islame” mbush njëzet vjet veprimtari të jetës në shërbim të myslimanëve dhe të të gjithë qytetarëve të kombit tonë pa dallim ngjyre, religjioni e shtrese shoqërore.
Kryeredaktor i gazetës u caktua Ismail H. Muçej, medresist i brezit të paraluftës (u diplomua kur Medreseja u rihap pas Luftës II Botërore) «Drita Islame» gjeti mbështetje tek njerëzit e mësuar të fshatit e të qytetit dhe gatishmërinë për ta ndihmuar tek mësuesit, imamët, të rinj e të reja, vajzat e vockla që improvizuan pesë-gjashtë vargje dhe i botuan tek “D. I.”. Një kategori më me eksperiencë iu qasën kërkimeve studimore: pedagogë universitetesh, teologë, të dënuar në burgjet e diktaturës, mjekë të njohur e përfaqësues të instituteve shkencore. Edhe pse me prejardhje kulturash të ndryshme dhe me diversitet pikëpamjesh e botëkuptimesh, këta njerëz bashkoheshin me shkrimet e tyre në përpjekjet e veta për t’i shërbyer Shqipërisë në edukimin e masave me normat e moralit e të edukimit islam, duke vënë gjithë potencialin shkencor e kulturor në shërbim të atdheut. Përballë problemeve të shumta të çështjes kombëtare, gazeta “Drita Islame” u angazhua në mbrojtje të interesave mbarëshqiptare. Autorë, të kudondodhur nëpër Shqipëri, të ndërgjegjshëm për drejtësinë e kauzës popullore, për mbrojtjen e tërësisë territoriale, për mbrojtjen e dinjitetit të kombit shqiptar, kanë botuar artikuj të fuqishëm kundër armiqve tradicionalë të Shqipërisë. I ndjeri Bajram Resuli, me shkrimet e shkurtra pikante godiste me mençuri çdo provokator që guxonte të cenonte sadopak Islamin dhe myslimanët, Shqipërinë e shqiptarët. Vetë autorët i rritën pretendimet ndaj artikujve të tyre për t’u paraqitur me tematikë të larmishme çdo here më të përmirësuar. Dinamika e zhvillimit në drejtim të cilësisë së shkrimeve u orientua në kahun e prosperitetit, së bashku me zgjerimin e rrethit të bashkëpunëtorëve. Gazeta po konsolidonte tiparet e fizionomisë me karakteristika specifike, me objektiva programatike të motivuara për të përmbushur kërkesat e lexuesit. Në redaksinë e gazetës vinte shpesh një nga prelatët e kishës katolike shqiptare, i ndjeri Dom Simon Jubani, vinte si mik dhe ishte i mirëpritur, vinte si bashkëvuajtës në burgjet komuniste me Hafiz Sabri Koçin, kryetarin e Komunitetit Mysliman dhe bisedonte “shtruar” me cilindo që ishte i pranishëm, shembull i mirëfilltë i tolerancës, po edhe modeli i komunikimit mes trimave në konakët e burrave të maleve shqiptare. Dom Simoni edhe shkruante. Kemi përpara artikullin me titull: “Feja dhe politika” (“Drita Islame”, viti II, Nr. 1 /26, Janar 1993 si edhe dy urime nga Dom Simoni, nga të cilët njeri i drejtohet si bashkëvuajtës, H. Sabri Koçit, urimi tjetër i adresohej Redaksisë së “D. I.” shoqëruar me fjalët e çmuara: “Përzemërsisht juaji! Dom Simon Jubani...!”
A nuk është kjo përkujdesje një shembull i shkëlqyer i tolerancës dhe i mirëkuptimit?
Në këtë kuadër mund të shënojmë edhe emra të tjerë të figurave të njohura të kulturës shqiptare që kanë dërguar artikuj te “D. I.” si: Abdi Baleta, Sherif Delvina, Viron Koka, i ndjeri Faik Luli me kolegët e vet të Universitetit të Shkodrës, Fejzi Zaganjori, Remzi Gani i Vlorës, zotërinjtë nga Berati, Korça e Dibra, Durrësi Shijaku (Ahmet Çaushi, Ismail Dizdari, Kujtim Civeja etj. Tek “D.I.” janë ribotuar edhe shkrime që për herë të parë janë botuar në një organ tjetër. Kështu ka ngjarë me artikullin e zotit Aurel Plasari “Kur figurat shkojnë kundër rrymës” kushtuar veprimtarisë patriotike e letrare të Hafiz Ibrahim Dalliut, herën e parë qe botuar tek “Republika”. “Drita Islame”, ribotim, viti VII, Nr 8//139, Prill 1998.
Artikulli me titull “Ndihmesë për historinë e letërsisë shqipe”, shkruar për “Dritën Islame”
nga z. Jorgo Bulo (sot Anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë), është një rezyme e hulumtimeve shkencore të zotit Bulo rreth letërsisë shqipe me alfabet osman. Nga“Ndihmesë për historinë…” mësojmë se kritikët, analistët e letërsisë zyrtare shqipe kanë mbajtur qëndrime skeptike e mospërfillës ndaj veprave letrare sh. XVIII, qëndrime jorealiste, jo objektive. Po ashtu, si e lexojmë në diskutimin e J. Bulos, përkundrejt kësaj rryme, studiuesi Osman Muderrisi ka arritur në konkluzionin se kjo etapë e letërsisë sonë, me alfabet arab, ka lindur në kushte të caktuara historike dhe përmban vlerat e veta artistike e kombëtare. Autori ka shpalosur ide dhe pikëpamje me nivel të lartë shkencor e, në adresë të kritikëve letrarë, analistëve e studiuesve sugjeron ta vlerësojmë më me paanësi, më me profesionalizëm krijimtarinë letrare të shek. XVIII me alfabet arab: (“Drita Islame”, viti III, Nr. 1 /44, Janar 1994, faqe 4.)
Shkrimtarët shqiptarë të periudhës së quajtur “realizmi socialist” patën fituar të drejtë ekskluzive të bënin ç’të donin me poetët, prozatorët, artistët, me njerëzit e penës, me historinë e Shqipërisë e me veprimtarinë letrare. Kjo kategori njerëzish të penës e nëpërkëmbën trashëgiminë artistike, e interpretuan keq, e shpjeguan me tendenciozitet anti-islam; trembeshin nga dy fjalë: “alphabet arab”, dy fjalë mjaftuan për të mos e vlerësuar si duhet, ndoshta për ta anatemuar, krijimtarinë letrare të shkrimtarëve të shek, XVIII. Osman Muderrisi iu dha hakun autorëve të kësaj periudhe: veprave të tyre artistike iu kushtoi disa vjet të jetës së vjet. Sipas nesh Prof. Bulo, krijimtarinë letrare të kësaj periudhe e konsideron si një stad tranzicioni nga letërsia e vjetër me disa alfabete, tek Rilindja Kombëtare me shkrimtarët e njohur, të cilët i kanë lexuar e i kanë vlerësuar Hasan Zykon, Nezimin dhe brezin e tyre.
Gazeta “Drita Islame” ka mbjellë e ka vaditur vlera të çmuara diturore gjatë njëzet
vjetëve të veprimtarisë, që mund të pasurohen më tej në të mirë të shëndoshjes së traditës publicistike në shtypin islam, patriotik e kulturor. “Drita Islame” ka edhe një meritë tjetër, atë të kujdesit të posaçëm që ka treguar për të respektuar arritjet bashkëkohore të gjuhës sonë me komponentët e saj që ne e konsiderojmë si një kontribut me vlerë në drejtim të kulturës gjuhësore në të shkruar, pse jo, edhe në të folur.
Kontributi dhe arritjet e gazetës “Drita Islame” nuk mbarojnë këtu, veprimtaria e saj është mirëpritur nga vetë lexuesit. Me rastin e njëzetvjetorit të gazetës, vëmendje të posaçme e përgëzime, në mënyrë të veçantë meritojnë të gjithë ata që, për të paraqitur idealet, mendimet apo rezultatet e kërkimeve të tyre studimore, zgjodhën “Drita Islame”.
Zoti ua shpërbleftë!
Faik Kacollja (Hoxha)

