
Siç dihet, Islami ngrihet mbi pesë shtylla. Ato janë detyrat themelore të çdo myslimani. Njëra prej tyre është haxhi, një herë gjatë jetës, sipas ajetit të shpallur në suren “Ali Imran”, në të cilën thuhet: “Shtëpia e parë, e ndërtuar për njerëz (Qabja) është ajo që u ngrit në Bekë (Mekë). Aty ka shenja të qarta: Vendi i Ibrahimit (Mekamu Ibrahim). Dhe, kush hyn në të, është i sigurt. Për hir të Allahut, vizita e Shtëpisë është detyrë për atë që ka mundësi”.Komuniteti Mysliman për herë të parë këtë vit mori përsipër organizimin e haxhit në Mekë. Ftesës së Zotit krahas miliona haxhinjve nga mbarë bota iu përgjigjën edhe 308 besimtarë shqiptarë (mes tyre edhe një grup nga Mali i Zi), si dhe qindra myslimanë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe diaspora.Dihet që Haxhi bëhet në ditë të caktuara të muajit Dhul-Hixhe. Sipas kalendarit tonë, këtë vit nisja për në haxh qëlloi nga fundi i tetorit.Të njoftuar më parë, haxhinjtë u grumbulluan në ambientet e aeroportit “Nënë Tereza”. Në sytë e tyre vërehej dëshira e madhe për të kryer një obligim themeltar ndaj Zotit. Të gjithë pa dallim dukeshin të mbushur me fuqi, vullnet dhe këmbëngulje.Kryetari ynë, Haxhi Selim Muça bashkë me disa nga drejtuesit e KMSH-së dolën e na përcollën në Rinas jo thjesht për të na përshëndetur, por për të na uruar për këtë udhëtim drejt perfeksionimit tonë shpirtëror. Ndërsa kryetari i Këshillit të Përgjithshëm, H. Ylli Gurra, na dha këshilla të vlefshme që duhet t’i mbanim parasysh gjatë qëndrimit tonë në vendet e shenjta. Ai na kërkoi të luteshim për veten dhe familjet tona, por të mos harronim edhe Shqipërinë dhe shqiptarët.Rruga ishte e gjatë, por asnjëri nga ne nuk e ndjeu lodhjen. Ndoshta për shkak të gëzimit dhe përmallimit për ato vende të zgjedhura nga Zoti Fuqiplotë. Veshëm ihramin e bëmë nijetin. Dikush për vete e dikush për personin të cilin kishte zëvendësuar. Të gjithëve na e përshkoi trupin një ndjenjë e thellë shpirtërore, një ndjenë mirësie. Të gjithë e ndjemë veten të dashuruar me atë rrobë, të cilën e kishin veshur shumë e shumë njerëz të nderuar e të devotshëmpërpara nesh.Arritëm në Xhida të lodhur e të kapitur. Por lodhja nuk ndihej. Mendjet tona ishin gjetkë, atje në Mekë, në Shtëpinë e Zotit.Shkuam në Qabe e bëmë tavafin e Umres. Respekt e vlerësim për atë shtëpi adhurimi, dashuri e emocion për atë shtëpi të ndërtuar nga duar pejgamberësh. Gëzim e kënaqësi sepse ishim afër Zotit dhe kishim mundësi të demonstronim edhe një herë para Tij bindjen, përkushtimin e sakrificën. Falëm namaz te Mekamu Ibrahim. Pimë ujë dhe u lutëm me fuqinë e shpirtit që Zoti na e bëri të mundur realizimin e kësaj ëndrre aq shumë të dëshiruar. Bëmë sajin – shtatë vajtje-ardhjet nga kodra Safa te kodra Merve. Me kaq mbaroi Umra, por jo adhurimi e përkushtimi ynë. Të tjera rite na prisnin në ditët në vijim. E njëjta dëshirë, i njëjti përkushtim do të na shoqëronte në Mina, në Arafat, në Muzdelife, e përsëri në Qabe, në atë vend ku Profeti s’reshti së predikuari mesazhet e kësaj feje të pastër e të lartë. Gjithçka e kryer me emër të Zotit e për hir të Tij.Thonë se Haxhi është i tëri lëvizje. Lëvizje me një unitet të brendshëm, me një strukturë të përcaktuar, me një potencial të fuqishëm për të kuptuar përmbajtjen e Islamit, konceptet dhe botëkuptimin e tij.Ditët para Haxhit ishin të lira pa angazhime. Ditë për të shijuar adhurimin në Qaben e Zotit dhe për të fituar sa më shumë shpërblime. Pikërisht këto ditë organizatorët i shfrytëzuan për të orientuar haxhinjtë, për t’u shpjeguar atyre thelbin e këtij adhurimi madhështor. Me ndihmën e studentëve shqiptarë, të cilët i kishim gjithnjë pranë, nëpërmjet një materiali filmik haxhinjtë u njohën në praktikë me veprimet që duhet të kryenin dhe me qëllim që adhurimi i tyre të ishte sa më i plotë.Ditën e tetë të Dhulhixhes u vendosëm në Mina. Emocion dhe kënaqësi. Të riveshur me ihram po përjetonim kënaqësitë e haxhit, qëllimin e vërtetë për të cilin kishim lënë pas vendlindjen, familjen dhe njerëzit tanë më të dashur. Dita u zbukurua nga fjalët dhe këshillat e çmuara të nënkryetarit të Komunitetit Mysliman, z. Bujar Spahiu. Fjalë të dala prej zemre e që depërtonin në zemra. Kaluam atë ditë aty, në atë vend ku çdo pëllëmbë toke është e mbushur me histori.Nga aty nisemi për në Arafat. Në një tjetër ndalesë. Tjetër vend i dashur për zemrat e besimtarëve. Aty ku besimi dhe adhurimi arrin majat e devotshmërisë. E them këtë sepse Arafati është kulmi i Haxhit, bazuar në thënien e Profetit “Haxhi është Arafat”. Pikërisht në atë vend Profeti i Mëshirës ka mbajtur hytben e njohur përmes së cilës ai iu drejtua njerëzimit mbarë. Fjalët dhe porositë e tij mbeten ende sot të gjalla për stilin dhe hijeshinë me të cilën u përcollën. E veçantë tjetër e Arafatit është se aty ka zbritur njeriu dhe profeti i parë Ademi (a.s) dhe se në territorin e tij u ribashkuan Ademi dhe Havaja.Si gjithë haxhinjtë e tjerë edhe ne u lutëm. U lutëm për këdo e për gjithçka. Nuk lamë jashtë lutjeve tona askënd. U lutëm për begati e mirësi për veten, familjen, myslimanët dhe shqiptarët në veçanti dhe familjen njerëzore në përgjithësi. U lutëm që këtej e tutje në botë të mbizotërojë paqja e harmonia. Të gjithë luteshim dhe që të gjithë merrnim kënaqësi për lutjet që bënim.Pas Arafatit një tjetër stacion. Tjetër vend adhurimi, përkujtimi e meditimi. Ishte radha e Muzdelifes. Këtë herë pa çadra. Njëlloj si Profeti dhe shokët e tij, njëlloj si gjeneratat e para myslimane. Më bëri përshtypje fjala e një besimtari nga Tirana, i cili më tha: “E çuditshme, vëlla, në çdo hap që hedh dhe në çdo ritual që kryej marr kënaqësi. Marr një kënaqësi të papërshkrueshme”. Ndjeva një gëzim të madh dhe emocion për këtë njeri, i cili vetëm para pak kohësh kishte përqafuar Islamin.Qëndrimit tonë në Muzdelife po i vinte fundi. Të gjithë ishim në pritje për t’u larguar nga ai vend dhe për t’u drejtuar për në Xhemerat. Aty do të gjuanim me guralecë. Po cilin do gjuanim dhe pse? Do godisnim të keqen që na kishte zaptuar, të urryerën, atë që mundohej të na mbante larg Zotit dhe urdhëresave të Tij. Do godisnim me gurë për veten, por edhe në emër të atyre që ishin larguar nga e vërteta e madhe e besimit. Simbolika e hedhjes së gurëve ka të bëjë me historinë e Ibrahimit. Përmbajtja e saj është shumë e madhe: flakja tej e së keqes në mendje, në zemër, në fjalë, në punë, në vepra, në veprime. E keqja personifikon Shejtanin.Rituali vijues ishte kurbani. Zoti ia bëri obligim kurbanin Profetit të Islamit përmes ajetit: “Falu dhe bëj kurban për hir të Zotit tënd!”. Allahu e bëri detyrë kurbanin për të rikujtuar ngjarjen e Ibrahimit me të birin – Ismailin. Me dorën e tij, Ibrahimi do të flijonte më të dashurin e tij, djalin – Ismailin. Dhe Ismaili i ishte bindur me gjithë zemër urdhrit të Allahut. Por Ismaili nuk u flijua sepse Allahu dërgoi një kurban të madh. Ky qe shpërblimi për bindjen e Ibrahimit dhe të Ismailit.Ky qe shpërblimi për njerëzimin: njeriu nuk mund të flijohej. Kurani e rimerr këtë histori dhe urdhëroi të pritej kurban për hir të Zotit. Dhe kurbani ishte kafsha e jo njeriu. Me anë të kësaj vepre sublime që kultivon vlera sublime, Islami dha shembullin konkret të respektit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe vlerave njerëzore.Më pas hoqëm ihramin pasi të tjera veprime na prisnin. Do të hynim edhe njëherë në atmosferën e tavafit, të atij harku që lëviz me rregullsi e që s’di të ndalet. Rrotullohesh e bashkë me ty rrotullohet zemra, bëhet më e përkorë dhe ndien më tepër nevojën për Krijuesin e saj. Do të përjetonim sërish emocionet që të jep ecja mes dy kodrave Safa dhe Merve. Adhurim dhe përkujtim. Adhurim për Zotin dhe përkujtim për atë ecje të bekuar të Haxheres, në kërkim të burimit të mirësisë. Simbolikisht, dy kodrat janë dy nga monumentet që tregojnë për një nga virtytet më të larta të myslimanëve – durimin dhe këmbënguljen.Në haxh tingëllon më fuqishëm se kurrë “Allahu Ekber” (Allahu është më i Madhi). Kjo fjalë ngrihet lart drejt portave të qiellit si gjëmim kënaqësindjellës. Kur ngjitesh në Safa, mund të shohësh Qaben. Haxhinjtë e përshëndesin dhe luten me zë të lartë duke thënë tri herë “Allahu Ekber”. Edhe përballë Gurit të Zi haxhiu përshëndet me “Allahu Ekber”. Edhe kur gjuhet shejtani me gurë. Gjithandej dëgjohet “Allahu Ekber”. Edhe në çdo falje përsëritet “Allahu Ekber”. Edhe në ezan thuhet “Allahu Ekber”. Është sinteza e monoteizmit islam: Ka vetëm një Zot.Përsëri në Mina. Këtë herë për të “goditur më shumë shejtanë” e me më shumë gurë. Këtë herë në tri shtylla me nga shtatë gurë secilën që do të shënonin fundin e ndikimit të së keqes brenda nesh.Ritualit po i vinte fundi. Të gjithë e ndienim por s’donim ta pranonim. Për ditë me radhë kishim përjetuar e marrë shumë. Kishim përjetuar gëzimin që të fal një adhurim i sinqertë kushtuar Zotit, por edhe kënaqësinë e të ndenjurit pranë njëri-tjetrit. E dinim që të gjithë ishim të ndryshëm, por asnjëri prej nesh nuk ndihej i huaj. Zemrat tona kishin ndryshuar. Ato duket se kishin bërë divorc me të keqen dhe urrejtjen dhe ishin mbështjellë me flladin e Mëshirës Hyjnore.Me kryerjen e Tavafit të Lamtumirës po linim pas Mekën për t’u zhvendosur në një tjetër qytet të rëndësishëm, në Medinën e Pejgamberit, e ndodhur rreth 447 km në veri të Mekës. Në qytetin që priti Profetin Muhamed (a.s.) dhe shokët e tij në vitin 622 të e.s. Në Medinën e ndritur, aty ku nisi epoka islame, qyteti që u bë qendra e shtetit të parë islam në historinë e njerëzimit dhe në të cilin gjendet i varrosur Profeti i mbarë njerëzimit, Muhamedi (a.s.).Aty qëndruam pak ditë por mësuam shumë. Vizituam Xhaminë e Profetit, xhaminë Kuba, Malin Uhud, vende e objekte me rëndësi e me peshë historike. Medina na transformoi shpirtërisht. Ajo na dhuroi momente të bukura e kujtime të pashlyeshme. Rregulli e pastërtia mbizotëronte kudo. Në çdo hap na shoqëronte buzëqeshja e banorëve të saj, të cilët na prisnin me të njëjtin gëzim sikundër kishin pritur Profetin dhe gjeneratat e para të Islamit të ardhur nga Meka.Medina ishte destinacioni ynë i fundit. Në gjirin e saj ne u “përshëndetëm” me Profetin e fundit të ardhur për njerëzimin. Me lot që na rridhnin nga sytë u lutëm që paqja dhe mëshira e Zotit të rrethojë atë profet, produkt i ftesës së të cilit ishim edhe ne. Duke përshëndetur atë njeri të madh, na u kujtuan fjalën e fundit të besimdrejtëve në përfundimin e ligjëratës së tij lamtumirëse: “Dëshmojmë dhe vërtetojmë se dërgesën e plotësove, detyrën në vend e çove, na porosite e na këshillove”!”Medina është aeroporti që përcjell haxhinjtë e haxheshat. Përcjell, për të pritur sërish vitin pasardhës. Që në momentin që u larguam prej saj ne ndjemë një boshllëk brenda vetes. Që aty e kuptuam se sa shumë do të na merrte malli për ato toka të shenjta, për ato vende ku kishin lënë gjurmë profetët e Zotit. Prandaj e shfrytëzuam këtë rast dhe u lutëm për këdo që Zoti ende s’ia kishte mundësuar këtë udhëtim. Ne morëm rrugën e kthimit. I dhamë lamtumirën vendeve të shenjta, por jo adhurimeve dhe punëve të mira në kërkim të kënaqësisë së Zotit, në shërbim të Islamit dhe të së mirës së përgjithshme.Ne të gjithë dolëm me përfitime. Të gjithë përfituam shpërblime pa fund, ndërsa gjithsecili dashurinë, respektin dhe vlerësimin e njëri-tjetrit. Haxhi është një tubim që përfaqëson bashkimin e të gjithë myslimanëve në mbarë botën. Në haxh ka rregull e rregullsi. I njëjti rregull kudo. Edhe në vise te tjera jashtë Qabes, ku kryhen rite të tjera të haxhit.Çfarë sheh në haxh? Përgjigja e kësaj pyetje nuk do të shteronte kurrë. Në haxh sheh të materializuar ndjenjën e respektit e të dashurisë. Respekt për më të mëdhenjtë e dhembshuri për më të vegjlit. Nga haxhi vjen me mbresa shumë të mëdha. Nga haxhi vjen me zemër tjetër.Haxhin e këtij viti do të doja ta quaja: “Haxhi 2011, haxhi i shqiptarëve”. Një haxh ku organizatorët dhe haxhinjtë i bashkoi një qëllim i vetëm: kryerja e një kushti themelor dhe përfitimi i sa më shumë fryteve të dobishme.


