
Një nga objektet më të vjetra të kultit islam në vendin tonë është xhamia e Plumbit. Ajo u ndërtua 238 vjet më parë, buzë Drinit, rrëzë kështjellës së “Rozafatit” në Shkodër.
Një verset i Kuranit thotë: “Ai (Allahu) ngjall të vdekurin dhe përtërin tokën mbasi të jetë bërë shkrumb”. Na u kujtuan këto fjalë në këto ditë nëntori, kur pas 23 vjet heshtje, u rihap xhamia e parë, që sinjalizoi rikthimin e besimit në jetën e shqiptarëve të përvuajtur.
Në ato ditë shumë besimtarë të moshave të ndryshme filluan punën për pastrimin e ferrave e të mbeturinave të grumbulluara për afro një çerek shekulli. Ndonëse ka qenë monument kulture dhe si e tillë duhej mbrojtur nga shteti, ndaj saj nuk u tregua asnjë kujdes, përveç grabitjes dhe zhveshjes nga plumbi.
Njerëzit punuan me shumë entuziazëm. E veçanta ishte se në kryerjen e kësaj pune ndihmuan edhe përfaqësues të besimit katolik dhe ortodoks të qytetit. Mbizotëroi, pra, fryma e bashkëpunimit, respekti dhe vlerësimi për besimin dhe vlerat e njëri-tjetrit.
Më 16 nëntor 1990 u zhvillua ceremonia e rihapjes së saj në praninë e 50 mijë vetave, të ardhur jo vetëm nga qyteti, po edhe nga fshatrat. Në fjalën e hapjes, hirësia e tij Haxhi Hafiz Sabri Koçi, kryetar i Bashkësisë Islame të Shqipërisë, vuri në dukje nevojën e ushtrimit të fesë nga çdo njeri e në çdo kohë. Ai pasi falënderoi Zotin për mirësitë e Tij të panumërta, vlerësoi lart mundin dhe përpjekjet e të gjithë atyre që ndihmuan në rikthimin e xhamisë në gjendjen e saj funksionale.
Hapja e xhamisë së Plumbit ishte shkëndija e parë që dha sinjalin fatlum se Islami jo vetëm që nuk ish harruar, por vazhdonte të ishte i gjallë e i freskët në zemrat e kreshnikëve shqiptarë.

