
Paqja, mëshira dhe bekimet e Zotit qofshin me ju!
Takimi ynë sot këtu, në Tiranë, në këtë vend të dashur dhe të begatë është shpresë, është gëzim dhe shenjë e dashurisë sonë për njëri tjetrin. Është kjo dashuri për të cilën njeriu sot ka më shumë nevoje se kurrë.
Bota buron nga një Vullnet i urtë dhe sistemi i saj është i themeluar në Mëshirë, mirësi dhe dashuri.
Feja islame i kushton një rëndësi tepër të madhe dinjitetit dhe personalitetit të njeriut dhe atë e çmon tepër lartë. Në lidhje me këtë në Kuran lexojmë: “Ne, vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit)…”.
Zoti i Mëshirshëm dhe Mëshirues, që me krijimin e qenieve njerëzore e vendos njeriun në binarët e përsosjes me mundësinë për të qenë Krijesa më madhështore dhe Mëkëmbës i Zotit në Tokë. Zoti i dha njeriut shpirtin dhe inteligjencën, arsyen dhe zemrën për të marrë këtë përgjegjësi dhe të drejta. Ishte kjo përgjegjshmëri, kjo inteligjencë që i ka shërbyer njeriut dhe profetit të Parë Ademit dhe i shërben dhe çdo njeriu derisa të jetë jeta për përgatitjen e duhur për të përmbushur detyrat dhe të drejtat e përcaktuara nga Zoti.
Zoti u fali njerëzve të drejtën e jetës, pasurisë, lirisë dhe paprekshmërisë që njerëzit ta kenë të mundur të vazhdojnë jetën dhe të kryejnë detyrimet që kanë mbi vete. Të jesh mëkëmbës i Zotit në tokë apo administrator i tokës, ka përgjegjshmëri jo vetëm ndaj Krijuesit, por dhe ndaj vetes dhe krijesave të tjera mbi tokë. Njeriut i është falur individualiteti i duhur që në lindje, me qëllim që të vishet me të drejtat dhe detyrimet që në atë çast.
Ky konceptim i botës ka një fuqi të veçantë tërheqëse. Ai i jep jetë dhe vendosmëri njeriut. Konceptimi monoteistik vendos qëllime të shenjta para njeriut dhe krijon individë të shpëtuar nga egoja e tyre dhe i jep kuptim përgjegjësisë së njerëzve ndaj njëri-tjetrit.
Nderimi dhe fisnikëria e njeriut është bazë dhe themel i dinjitetit dhe rrjedhimisht i të drejtave të tij. Sipas fesë islame njeriu është aq madhështor dhe i ngritur sa që mund të jetë edhe mëkëmbës i Zotit në tokë.
Duke qenë kështu, si mund të përballet dinjiteti njerëzor nga vetë njerëzit. Si mund të fyhet, poshtërohet apo ti preken të drejtat një krijese kaq të lartë. Si mund të përçmohet një njeri kur Zoti i Madhëruar kur thotë që njeriu është bërë si mëkëmbës i tij në tokë nuk përmend racë, ngjyrë apo ndonjë vlerë matëse materiale. Të drejtat njerëzore janë obligim prej krijuesit të Gjithësisë. Dhe çdo njeri i mirë, çdo zemër prej së cilës derdhet mirësi e përulje ndaj Krijuesit shikojmë që e do Tjetrin, e respekton dhe e do atë së bashku me të metat e tij.
“Një besimtar është pasqyrim i besimtarit tjetër.” na mëson Profeti Muhamed (a.s.). Për një botë më të paqtë, për një shoqëri më të dashur me njëri tjetrin, për një realitet ku të drejtat e njeriut të respektohen, për të patur sa më shumë njerëz që duan KRIJESËN PËR HIR TË KRIJUESIT le ta shtojmë dashurinë midis nesh.
Sic thotë Mevlana Xhelaledin Rumiu kuptimi i së cilës buron nga një zemër e mbushur me dashuri ndaj Krijuesit dhe krijesave të Tij…;
“Afrohuni, afrohuni dhe bashkohuni me ne, se ne jemi populli që jemi lidhur me dashuri pas Zotit! Afrohuni, afrohuni përmes derës së dashurisë dhe bashkohuni e qëndroni me ne! Afrohuni, le të flasim me njëri-tjetrin nëpërmjet zemrave tona! Le të flasim në heshtje, pa veshë e pa sy! Le të qeshim së bashku pa gojë ose pa zë, le të qeshim së bashku si trëndafila! Ja mendimi, le të shohim çdo njeri tjetër që nuk nxjerr asnjë fjalë apo tingull. Më pas ne jemi të gjithë të njëjtë, le t’i thërrasim çdo tjetri prej zemrave tona, ne nuk do të përdorim buzët ose gjuhën tonë. Si janë bashkuar duart tona së bashku, po ashtu të flasim dhe ne me zemrat tona të bashkuara!”
Do e mbyll fjalën time në këtë eveniment domethënës me fjalët e Rumiut:
Bëhu si ujëvarë në bujari dhe ndihmë!
Bëhu si diell në dhembshuri dhe mëshirë!
Bëhu si natë për t’i mbuluar të metat e të tjerëve!
Bëhu si i vdekur në nervozizëm dhe zemërim!
Bëhu si dhé në thjeshtësi dhe përulësi!
Bëhu si det në mirëkuptim!
Ose, duku siç je, ose bëhu siç dukesh!

