Komuniteti Mysliman i Shqiperise

Aktualitet

article thumbnailMbahet mbledhja e pare e Keshillit Botues te KMSH-se
Në ambientet e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë u mbajt sot mbledhja e parë e Këshillit Botues të KMSH-së.

Aktivitete

article thumbnailPuke, simpozium per netet e medha
Në prag të ardhjes së netëve të mëdha, Myftinia Pukë organizoi simpoziumin “Mirësitë e netëve të mëdha Regaib, Beraet dhe Miraxh”.

Duke shfletuar librin “Rrugetimi i fese islame ne Shqiperi” (1912-1967) te autorit Ali Basha

 

Nga Genti Kruja* - Para pak ditësh u promovua libri i fundit i të nderuarit z. Ali Basha, “Rrugëtimi i fesë islame në Shqipëri” (1912-1967), një libër mjaft i vlefshëm për kulturën islame në Shqipëri.

Duke e lexuar dhe studiuar me vëmendje këtë libër studimor të prof. Bashës, mendoj që nëse do të paraqitej në katedrat akademike si studim për mbrojtje titulli, patjetër që do të merrte tituj shkencor për këtë vepër të mrekullueshme, që ka sjellë para nesh pas disa viteve të lodhshme studimore dhe hulumtuese në arkivat dhe bibliotekat shqiptare.

Historicizmi i historisë, si diçka reale, e tejkalon praninë në një hapësirë dhe kohë ose fakticitetin e ekzistimit të thjeshtë, kështu që edhe historikisht e kaluara dhe e tashmja, për të qenë diçka, duhet të dëshmohen si të tilla. E ata dëshmohen vetëm me veprën e njeriut, ose me njeriun në veprim, thotë një studiues shqiptar.

Arkivat e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë të gjendura sot kryesisht në Arkivin e Shtetit, dëshmojnë para nesh një histori reale bazuar mbi fakte të patjetërsueshme, të ruajtura dhe mbajtura me sistematikë nga drejtuesit e Komunitetit Mysliman të asaj kohe, mbi marrëdhëniet institucionale, mbi baza dokumentesh, kronikash dhe informacionesh të ndryshme, të cilat vijnë tek ne nëpërmjet këtij libri, duke na bërë bashkudhëtarë të historikut institucional të fesë islame në Shqipëri nga pavarësia deri në ndalimin e saj më 1967.

Z. Basha na paraqet fakte dhe argumente të pakundërshtueshme se elementi mysliman shqiptar ka qenë vendimtar në fatet historike të vendit tonë. Kështu, na argumentohet qartë se njerëzit e fesë dhe besimit në përgjithësi, dhe ata myslimanë në veçanti, kanë qenë ata të cilët morën frenat e së ardhmes shqiptare dhe asaj fetare, duke konsoliduar shtetin e ri shqiptar, nëpërmjet institucionalizimit të tij, pa e politizuar fenë, por duke e përdorur gjithmonë, vetëm si burim frymëzimi për idealet kombëtare, atdhetare dhe patriotike, në të mirë të të përbashkëtave të shoqërisë sonë.

Haxhi Vehbi Dibra do të ishte njëri prej rilindësve patriotë, të cilin petku fetar i një kleriku të mirëfilltë mysliman nuk e pengoi kurrë t’i shërbente atdheut të tij. Ai do të ishte kryetari i parë i Pleqësisë, apo Senatit në Pavarësi, firmëtar i saj dhe dhënësi i fetvasë për përdorimin e flamurit shqiptar në gjendjen që na paraqitet edhe sot. Kur Ismail Qemali udhëtoi në dyert e Evropës për çështjen shqiptare, do t’ia linte pikërisht Haxhi Vehbi Dibrës amanet shtetin shqiptar. Ai do të ishte njëkohësisht kryemyfti i Shqipërisë deri më 1923, vit kur u zgjodh edhe kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, detyrë që e kreu në kushte shumë të vështira deri në vitin 1929. Gjatë kohës që Komuniteti Mysliman drejtohej prej tij, Islami do të përjetonte një hap cilësor, do të organizoheshin tre Kongrese myslimane, do të ngrihej në kryeqytet Medreseja e Naltë, e cila më vonë do të quhej Medreseja e Përgjithshme, ku do të përgatiteshin disa breza intelektualësh myslimanë, brezat e fundit të së cilës do të ishin ata që rihapën xhamitë në vitin 1990 në Shqipëri dhe që sot janë në krye të Komunitetit, disa myftinive, xhamive, etj.

Me anë të librit “Rrugëtimi i fesë Islame në Shqipëri”, ne marrim përgjigje për shumë pyetje dhe dilema që mund të kemi pasur në mendjen tonë lidhur me organizmin dhe historikun e komunitetit më të madh fetar në vend, pa të cilin sot nuk do të kishim shumë nga vlerat të cilat na bëjnë krenarë, siç është harmonia dhe toleranca ndërfetare, bashkëjetesa, traditat tona, etj.

Kështu ne vëmë re se gjatë sfidave historike të pas 1912 deri më 1923, më pas koha e monarkisë, ajo e pushtimit nazi-fashist gjatë Luftës së Dytë Botërore, e deri në periudhën më të errët për demokracinë në përgjithësi, si dhe për fetë dhe besimin në veçanti, ajo e kohës së ateizmit dhe komunizmit, liria e ndërgjegjes dhe e besimit nuk u shua kurrë. Kjo sepse liria e besimit mbështetet në dinjitetin njerëzor dhe se asnjë nga dallgët dhe furtunat e luftës kundra saj, nuk do të zhdukte dot gjurmët e besimit nga zemrat dhe shpirtrat e njerëzve, të cilët të vendosur dhe të bindur tek fuqia e besimit ndaj Zotit, vërshuan drejt xhamive në fundvitin e 1990, duke çelur dyert e kyçura të objekteve të kultit për t’iu falur dhe lutur lirisht Krijuesit të Gjithëpushtetshëm.

Sipas studiuesve dhe historianëve, feja islame për shekuj me radhë ishte rregulluesi i jetës shoqërore dhe politike, ku Kur’ani dhe Kodi Civil ishin një gjë e vetme. Xhamia ishte faltore, shkollë dhe gjykatë, kurse Kur’ani, libri i shenjtë-kodi dhe kushtetuta.

Përmes këtij libri ne kuptojmë se, ashtu siç thotë edhe Hegeli, feja nuk e kundërshton diturinë, porse feja është pikërisht dituri.

Islami në Shqipëri pas pavarësisë u organizua në mënyrë të mirëfilltë nga Myftiu i përgjithshëm H. Vehbi Dibra, ku në funksion të këtij organizimi u krijua edhe Gjyqi i Naltë i Sheriatit në 1916 në Shkodër. Ky organizim kishte edhe rregullore dhe statut me nenet përkatëse, organet e të cilës ishin myftinitë, drejtuesit e të cilave kryenin rolin jo vetëm të myftiut, por edhe të kadiut. Gjyqi i Naltë i Sheriatit kishte në varësi edhe vakfet, kurse tashmë akt-marrëveshjet, shkresat, madje dhe hytbet filluan të gjitha të bëheshin në gjuhën shqipe. Madje edhe vulat e reja të prodhuara në 1922, kishin në mes një shqiponjë dhe anash shkruhej “Gjyqi i Naltë i Sheriatit”, vula këto që Vehbi Dibra i kërkoi të prodhoheshin në Londër nga Legata shqiptare atje.

Me organizimin e Kongresit të Parë Mysliman më 1923 u kalua në një formë të re organizimi, ku Xhemati Mysliman Shqiptar tashmë përfaqësohej nga institucioni që do të quhej Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, i cili miratoi jo vetëm statutin e tij të ri, por bëri edhe reforma në organizmin e jetës fetare në vend, vendime këto me impakt në gjithë shoqërinë shqiptare. Tre kongreset që u zhvilluan në vitet 1923, 1925 dhe 1929, do të ishin vendimtare për jetën institucionale të Islamit në Shqipëri.

Prof. Basha na paraqet nëpërmjet këtij libri që ne promovojmë sot, se gjatë gjithë kësaj periudhe arsimit iu kushtua një rëndësi e veçantë. Kurse gjatë Luftës së Dytë Botërore pushtuesit abroguan institucionet e Komunitetit dhe krijuan Këshillin e Ulemave, e më pas më 1944 rikthehet statusi i mëparshëm, por fillon ngushtimi nga të gjitha format i jetës fetare në vend, nëpërmjet sekuestrimit të pronave vakëf, propagandës së fuqishme antifetare, e cila si për rrjedhojë solli në 1967, edhe ndalimin e fesë përfundimisht.

Dhe në fakt për rrezikun e ateizmit dhe komunizmit, ishin hoxhallarët të parët që vunë në dukje shenjat e tyre negative, ku që në vitet 20-30 të shek. XX, dijetarë si H. Vehbi Dibra, H. Ali Korça, H. Ali Kraja, H. Ibrahim Dalliu, H. Ismet Dibra, H. Musa Dërguti, etj. shkruan dhe ndërgjegjësuan masat për rrezikun e tyre. Shumë prej artikujve të këtyre hoxhallarëve dhe dijetarëve janë botuar edhe në shtypin islam të kohës si revista “Zani i Naltë” dhe ajo “Kultura Islame”.

Këto dhe shumë detaje të tjera të organizimit të jetës fetare islame në vendin tonë gjatë viteve 1912-1967, do t’i gjejmë pikërisht në këtë vepër voluminoze që na ka sjellë puna e palodhur e studiuesit të nderuar z. Ali Basha.

Të gjithë ne shpresojmë se kjo vepër, jo vetëm do të bëhet objekt studimi për shumë studiues dhe hulumtues, por dhe mund të bëhet nxitëse për të nxjerrë në dritë shumë fakte dhe të vërteta nga historia shqiptare, e cila pa dyshim ka nevojë për një rifreskim të dhënash në përbërje dhe në brendësi të saj.

*Sociolog, Drejtor i Kulturës në KMSH.

 

Lajme nga Bota

article thumbnailAustri, vendoset gurthemeli per xhamine e pare ne Grac
Kanë filluar punimet për ndërtimin e Xhamisë dhe Qendrës Kulturore Islame në Grac të Austrisë. Ashtu siç dhe ishte lajmëruar më 12 Maj është hedhur gurthemeli i xhamisë së parë në...

Opinion

article thumbnailInkurajimi i dimensionit shpirteror ne shkencat humane
E nderuar Kryetare e Parlamentit Znj. Jozefina Topalli I nderuar Rektor i Universitetit Hëna e Plotë – BEDËR z. Ferdinand Gjana Të nderuar përfaqësues të trupit Diplomatik të akreditur...