Komuniteti Mysliman i Shqiperise

Aktualitet

article thumbnailMbahet mbledhja e pare e Keshillit Botues te KMSH-se
Në ambientet e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë u mbajt sot mbledhja e parë e Këshillit Botues të KMSH-së.

Aktivitete

article thumbnailPuke, simpozium per netet e medha
Në prag të ardhjes së netëve të mëdha, Myftinia Pukë organizoi simpoziumin “Mirësitë e netëve të mëdha Regaib, Beraet dhe Miraxh”.

Interviste me drejtorin e Medresese se Tiranes “Haxhi Mahmud Dashi”, z. Hiqmet Patozi

“Në shkollën tonë mësimi dhe edukimi konsiderohen një dhe të pandarë”

“Medresisti lufton për të mirën kundër së keqes dhe aftësitë dhe dijet i shfrytëzon jo vetëm për vete e familjen, por edhe për kombin e shoqërinë.”

Ai është një intelektual i njohur. Një nga ato figura që shumë vite të jetës së tyre ia kanë kushtuar formimit dhe edukimit të gjeneratave të reja. Quhet Hiqmet Patozi. Ka lindur në Kavajë dhe mban mbi supe një karrierë të gjatë e të pasur si arsimtar e drejtues. Për vite me radhë ka drejtuar Medresenë e Kavajës, ndërsa prej shtatë vitesh mban detyrën e drejtorit të Medresesë së Tiranës.

Për institucionin arsimor të Komunitetit Mysliman ai thotë se ka qenë dhe mbetet një ndër shkollat elitë jo vetëm të kryeqytetit, por të gjithë Shqipërisë, duke qenë se në bankat e saj janë përgatitur qindra studiues, inxhinierë, mjekë, mësues, vaizë etj., që kanë punuar me ndërgjegje të lartë në sektorë të ndryshëm të jetës.

Sipas tij, Medreseja sot vazhdon të njëjtën traditë. Ajo plotëson të gjitha kushtet e një institucioni arsimoro-edukativ dhe arrin të realizojë të gjitha objektivat që i ka vënë vetes, duke ofruar për nxënësit e saj arsim cilësor e bashkëkohor dhe kontribuon për formimin e tyre fetar e atdhetar me qëllim që ata të bëhen njerëz të aftë për veten dhe të dobishëm për shoqërinë dhe kombin.

-Si fillim, do të dëshironim të dinim diçka për historikun e institucionit që ju drejtoni?

-Me vendim të Kongresit të parë të Bashkësisë Islame të Shqipërisë në muajin mars të vitit 1924 u hap Medreseja e Përgjithshme e Tiranës, që pati drejtor të parë intelektualin Qamil Bala. Në fillim për shkollën pati shumë mungesa, edhe ndërtesa, ndaj shkolla u vendos në shtëpinë e qytetarit Haqim Maçi dhe vetëm pas disa vjetësh në godinën e sotme.

Pas 40 vjet veprimtarie të frytshme të mësimdhënies u mbyll nga qeveria komuniste më 1964 dhe u rihap vetëm pas 27 vjetësh, në vitin 1991 me vendim të Këshillit të Ministrave, kur në Shqipëri kishin nisur proçeset demokratike. Ndër vite shkollën e kanë drejtuar me kompetencë personalitete si: Hafiz Ismet Dibra, Jonuz Buliqi, Haki Sharofi, Esat Myftia, Sherif Putra etj.

Në bankat e kësaj shkolle janë përgatitur dhjetëra studiues, inxhinierë, mjekë, mësues, vaizë etj., që kanë punuar me ndërgjegje të lartë në sektorë të ndryshëm të vendit tonë.

Ndër maturantët e parë të saj mund të përmendim të diplomuarit në vitin 1932 si: Vexhi Demiraj, Musa Shehu, Sadik Bega, Sherif Putra etj., gjithashtu ndër nxënësit e saj të suksesshëm intelektualët e shquar: ish-kryetari i Akademisë së Shkencave, z. Shaban Demiraj si dhe orientalisti, shkrimtari dhe përkthyesi Vexhi Buharaja.

Gjatë viteve Medreseja ka hasur dhe ka kapërcyer vështirësi të mëdha objektive dhe subjektive, ngritjet dhe uljet e saj. Sot, falë investimeve të mëdha, janë bërë përshtatje e përmirësime të thella në godinë, klasa, zyra, salla, laboratorë, pajisje të brendshme dhe në oborrin e shkollës.

-Si kuadër i vjetër e me përvojë të gjatë, në këndvështrimin tuaj, ç’e dallon këtë shkollë nga institucionet e tjera arsimore që keni drejtuar më parë?

-Mendimi im është se kjo shkollë plotëson të gjitha kushtet e një institucioni arsimoro-edukativ dhe arrin të realizojë të gjitha objektivat që i ka vënë vetes.

Së pari; baza materiale didaktike (klasat, laboratorët, sallat e multimedias, biblioteka, mjetet mësimore etj.) e Medresesë është e plotësuar më së miri dhe krijon mundësitë për një përvetësim sa më të plotë e të thellë të dijeve nga nxënësit.

Së dyti; paraqitjen me përkushtimin dhe mobilizimin e mësuesve realizohet edhe komponenti i dytë shumë i rëndësishëm i edukimit të nxënësve me besimin islam, që ata nesër të përballojnë sfidat jo të lehta të jetës dhe njëherazi integrimin në shoqërinë e sotme demokratike.

-Cilat janë disa nga rezultatet e prekshme të punës suaj si staf?

-Jam i bindur se programi ynë mësimor është përvetësuar mirë prej nxënësve në të gjitha lëndët mësimore, por veçanërisht përfundime më të mira janë arritur në gjuhët e huaja anglisht e turqisht, në informatikë e në Kuran, ku nxënësit kanë marrë dije të thella e të qëndrueshme.

Dëshiroj të paraqes rezultatet shumë të mira të nxënësve për vitin shkollor 2010-2011. Në Maturën shtetërore dhe në provimet e lirimit të nxënësve tanë, të cilët fituan 100% dhe në lëndën e letërsisë arritën një mesatare të lartë: klasa e 12-të 8.07, klasa e 9-të 8.81.

-Në programin tuaj kujt prej pikave i kushtoni më tepër rëndësi?

-Dua të theksoj se të gjitha shkollat, fetare ose jo, kanë synim t’i arsimojnë por edhe t’i edukojnë fëmijët, veçse në realizimin e kësaj detyre varet çfarë rëndësie i kushtojnë këtyre dy komponentëve. Në shkollën tonë mësimi dhe edukimi konsiderohen një dhe të pandarë. Bëhen përpjekje serioze që nxënësit në lëndë të ndryshme të marrin dije, aftësi e shprehi të qëndrueshme për t’i përdorur në jetën e tyre, njëherazi të bëhen besimtarë të mirë, qytetarë të devotshëm me sjellje shembullore, të denjë, në mënyrë që nesër të marrin në dorë fatet e vendit, dhe jo individë me liri të shfrenuar.

-Nga informacionet që keni, a mendoni se numri i nxënësve ka ardhur në rritje nga viti në vit?

-Pa dyshim. Mjafton t’ju informoj se vitin shkollor 2010-2011 tek ne e mbyllën 348 nxënës, ndërsa këtë vit shkollor, pra 2011-2012 presim të ulen në bangat e shkollës rreth 400 nxënës, dy klasa më shumë se një vit më parë. Numri i nxënësve në rritje reflektohet edhe në konkurset e pranimit ku çdo herë kemi më shumë konkurrues se vitin paraardhës. Në pesë vitet e fundit, për të parën herë në historinë e Medresesë, e kanë përfunduar atë edhe 138 vajza, shumica e të cilave kanë mbaruar ose vazhdojne studimet e larta.

-Personat e interesuar për ndjekjen e kësaj shkolle i nënshtrohen një testi paraprak. Mbi ç’kritere bazoheni në përzgjedhjen e tyre?

-Kriteri bazë në përzgjedhjen e testeve të pranimit në Medrese është formimi i nxënësve me njohuri e dije të shkollës nga vjen. Për shembull, nxënësit që kanë mbaruar klasën e 5-të dhe konkurrojnë për të 6-tën testohen në konceptet kryesore të lëndëve gjuhë shqipe, matematikë e dituri natyre. Ndërsa ata të klasës së 9-të që konkurojnë për klasën e 10-të testohen në gjuhë, matematikë, fizikë, kimi, biologji e logjikë.

-A mendoni se të mbash emrin medresist përbën privilegj?

-Patjetër. Privilegji qëndron sepse medresisti jo vetëm ndjek rrugën e dijes, por dhe atë të ushqimit me besimin islam, të cilin e çmon si udhërrëfyesin e vetëm të drejtë, nëpërmjet të cilit ai ruan drejtpeshimin dhe harmoninë edhe me njerëzit e besimeve të tjera. Medresisti lufton për të mirën kundër së keqes dhe aftësitë dhe dijet i shfrytëzon jo vetëm për vete e familjen, por edhe për kombin e shoqërinë.

-Duke qenë se nxënësit janë me sistem konvikti dhe janë vazhdimisht në vemendjen tuaj, si ndikon kjo gjë tek ata?

-Do të ishte ideale sikur të gjithë nxënësit e shkollës t`i kishim konviktorë, por nuk ndodh kështu, sepse një pjesë e nxënësve e kanë shtëpinë në Tiranë dhe e dyta të gjithë nuk kemi mundësi t’i strehojmë ne konvikt. Në vitin shkollor 2010-2011 në konvikt kemi pasur 58 vajza dhe 27 djem, të cilët i kemi mbajtur afër gjatë gjithë kohës, i kemi ndjekur dhe i kemi ndihmuar, kemi zhvilluar me ta programe të veçanta sipas interesit dhe nevojës së tyre, s`ka dyshim kanë ndikuar në të mirë të formimit të tyre arsimor, sidomos dhe të edukimit.

-Disa nga programet apo aktivitetet që kryhen jashtë procesit mësimor...

-Formimi i përgjithshëm i nxënësit do të ishte i pamjaftueshëm e i mangët në qoftë se do të mbeteshim vetëm në punën që bëhet në orën e mësimit, ndaj ne me nxënësit tanë kemi zhvilluar aktivitete të gjera edukuese, argëtuese, sportive etj.

Jashtë orës së mësimit, por në ndihmë të tij, janë realizuar aktivitete interesante kushtuar javëve të shkencave letërsi, histori, gjeografi, matematikë, fizikë, kimi, biologji etj. Në disa prej tyre kanë qenë pjesëmarrës të ftuar ose prindër. Më e veçanta ishte dita e hapjes së Javës së anglishtes ku ministri i Arsimit, z. Myqerrem Tafaj, zëvendësi i tij, pjesëtarë të kabinetit të ministrisë, dhe drejtorë të shkollave të qytetit të Tiranës e ndoqën me kënaqësi. Gjithashtu për festa zyrtare, ditë të shënuara, kombëtare ose fetare si 28 Nëntori, 7-8 Marsi, fillimi i Ramazanit, Nata e Kadrit etj, kemi pasur programe e veprimtaritë nuk kanë munguar. Kështu, veç të tjerave, mund të përmendim kampionatet e futbollit, volejbollit, hendbollit, shahut etj., që u zhvilluan këtë vit shkollor me nxënës të 9-vjeçares dhe të së mesmes.

-Sa prej nxënësve që dalin nga bangat e kësaj shkolle janë në gjendje të ndjekin arsimin universitar?

-Siç e përmendëm më sipër, nxënësit tanë kanë arritur rezultate të larta në provimet e maturës shtetërore çka tregon që janë në gjendje të vazhdojnë më lart, pra në arsimin universitar. Dhe kështu ka ndodhur me të vërtetë. Rreth 95 % e tyre e kanë mbaruar ose e vazhdojnë shkollën e lartë dhe kanë shënuar arritje të kënaqshme falë përgatitjes në shkollën tonë, por edhe të studimit të tyre sistematik në universitet.

-Duke ju falënderuar për bisedën ju urojmë suksese dhe të tjera rezultate pozitive në punën tuaj në vazhdim...

-Ju faleminderit.

 

Intervistoi: Haxhi Lika

 

Lajme nga Bota

article thumbnailAustri, vendoset gurthemeli per xhamine e pare ne Grac
Kanë filluar punimet për ndërtimin e Xhamisë dhe Qendrës Kulturore Islame në Grac të Austrisë. Ashtu siç dhe ishte lajmëruar më 12 Maj është hedhur gurthemeli i xhamisë së parë në...

Opinion

article thumbnailInkurajimi i dimensionit shpirteror ne shkencat humane
E nderuar Kryetare e Parlamentit Znj. Jozefina Topalli I nderuar Rektor i Universitetit Hëna e Plotë – BEDËR z. Ferdinand Gjana Të nderuar përfaqësues të trupit Diplomatik të akreditur...