
nga Julja Myshku
Teksa vazhdoj udhën time, dikush më foli për një njeri, fjalët e të cilit koha nuk i kishte regjur përkundrazi, ajo kishte humbur në mësimet e saj. Trokita dhe emri yt ishte mbi to, mësuesi im. I mora, i skalita, e do t’i mbaj deri kur koha të pushojë ekzistencën time. Më folën për bamirësi, bujari, por askush nuk ishte si ti. Më thanë se diku gjykohej me drejtësi por jo, as ajo nuk të arrinte ty. Sikur të kishin lexuar nga ai libër që botën mëshiron s’do të kishte kaq shumë lot, hidhërime, s’do të ishte kaq gri… Flasin për barazi, vëllazëri, por askush s’na ka dashur si ti, as ka folur, as ka menduar. Miku më i mirë, shoku më i shtrenjtë! Ligjëruesi nga i cili sytë përmallshëm qanin, gëzoheshin nga zëri i tij. Thjeshtësi?! Rrugët lumturoheshin, kur kaloje ti, gurët lavdëronin, pemët përuleshin…U krijove mëshirë për botën, për ne, për gjithësinë. Kërkojmë mrekulli? Sa të verbër!… E kemi dhe nuk e shohim, e tillë ishte ajo që t’u zbrit ty, mrekulli… përplot me dashuri për atë që i fal jetën, shpirtin, zemrën, mëshirë pa kufi. E dua njerinë se kështu më këshillove, po ashtu edhe gjithësinë, mirësinë. Virtytin kohës amanet ia dërgove, e ajo, bindshëm, i përcjell ndër brezat që vijnë…tek unë…tek ti…e në vazhdim…
Mendoj dhe mendja më shkon tek ti dhe nëse mendimet shteren, zemra fluturon, se ka nevojë për të Dërguarin… dritën që e mban gjallë. Nuk mundem t’ia mohoj, nuk dua… prania jote, qetësi e saj. E kur më pyesin për emrin tënd? I përgjigjem: “Ai është i nderuari, pranë Krijuesit”. Kur më pyesin “Përse”, nga lart vjen përgjigja: “Është i dashuri i Zotit të tij”.
Fjala krenohet me emrin tënd, mbretërit përulen përpara thirrjes. O fletë e shkruar në të bardhë, më thuaj, si t’ia bëj që të them të pathënat e fshehtësisë sime! Gjuha ime është e varfër… O gjuhë e zemrës sime, më thuaj si ta lëvdoj këngën tënde që paqe rrezëllin?
Të kam kaq pranë, Ja Resulallah, por verbëria ime nuk më lë. Atje tutje shoh një derë me emrin tënd mbi të. Trokas… S’ka përgjigje. Jam një rob prej umetit tënd, lërmë të hyj… Kur kthehem, shoh një kalvar të gjatë njerëzish, fundin nuk ia dalloj… si unë edhe ato trokisnin, pa mbarim, pa lodhje. Aty kuptova se malli im nuk ishte i vetëm, as krenaria e të qënit ndjekës pas atij pishtari. Ato bashkoheshin si të ishin një trup i vetëm me një qëllim të njëjtë. E një thirrës na tha: “Çelësin!” Ne iu përgjigjëm: “Esh-hedu en lail-lahe il-lallah, ue esh hedu enne Muhameden resulallah”. Dera u hap, zemrat u gëzuan, por ishte herët… koha nuk kishte ardhur… do vijë… askush s’e di kur, vetëm shpresojmë… e rendim drejt saj. Askush nuk e harron përgjigjen që hapte derën e zemrave të përmalluara, por vazhdon ta përmendë që fjalët të zbukurohen, fytyrat të ndrisin dhe dera të mbesë e hapur… që të ndiejmë mëshirën të të mëshirohemi…

