
Bismilahi Rrahmani Rrahim
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit
I nderuar Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha
Të nderuar ambasadorë të akredituar në vendin tonë!
Të nderuar pjesëmarrës dhe të ftuar nga mbarë Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe vende të tjera mike!
Të nderuar motra dhe vëllezër!
Sot në të gjitha anët e botës përhapet një aromë e veçantë që e marrin një miliard e gjysëm myslimanë në të gjithë botën, duke përmendur lindjen e bekuar të Profetit më të madh të njerëzimit, Muhamedit (a.s.). Ai zotëri ka lindur në pranverë, kur gëzon natyra, njerëzit dhe të gjithë krijesat.
Në këtë muaj ka lindur prijësi i të gjithë profetëve dhe pikërisht këto ditë është përvjetori i orës fatlume që përuroi fillimin e periudhës më të shkëlqyeshme të historisë së Rilindjes Njerëzore. Ne sot, përkujtojmë përvjetorin e asaj ore në të cilën botës, dëshmitare e ngjarjeve dhe fakteve të panumërta të miliona viteve, iu bë dhurata më e madhe dhe më e plotë e mirësive të pafundme të Allahut të Madhëruar.
Në këtë ditë erdhi në botë Ai, të cilit i Madhi Zot i tha: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj”.
Sot festojmë përvjetorin e asaj dite në të cilën ka lindur prijësi i gjithë profetëve, Hz. Muhamedi (a.s.), që i mësoi njerëzisë shtyllën e fortë të virtytit shoqëror e të paqes.
Zoti thotë në Kur’an: “Ne të kemi dërguar ty (o Muhamed) vetëm si sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues për të gjithë njerëzimin.”
Në nderim të figurës së ndritur të Profetit Muhamed (a.s.), Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, i ka vënë emrin Universitetit të shumëpritur nga të gjithë ju, një prej cilësive të Profetit, BEDËR, pra Hënë e Plotë, si drita e dijes që ndriçon mendjet, si drita e besimit që ndriçon zemrat dhe si drita e edukimit që ndriçon shoqërinë.
Sot kur bota ka shumë nevojë për qetësi shpirtërore dhe edukim moral, zjarri i dashurisë për Kur’anin, librin e Zotit zbritur Profetit Muhamed (a.s.), shtohet akoma dhe më shumë. E ndërsa ditët lindin dhe perëndojnë, vitet dhe shekujt kalojnë, mesazhet e sjella nga Kur’ani do të mbeten të përjetshme, sepse ato janë mesazhe hyjnore, mesazhe nga vetë Zoti i Gjithësisë. Kështu ndërsa vetë Koha plaket, Kur’ani veçse rinohet.
Le të gëzojmë edhe ne sot në këtë program festiv, përgatitur posaçërisht për krenarinë e njerëzimit, të cilin e zbukurojnë artistët e skenave të artit, si dhe nxënësit e medreseve të Shqipërisë, që janë bërë krenari për Komunitetin Mysliman dhe vlerat tona kombëtare.
Zoti ju begatoftë ju, familjet tuaja dhe të gjithë Shqipërinë.
Ju faleminderit!

