
Bismilahirr-Rrahmanirr-Rrahim
Të nderuar Zotërinj Ministra!*
Të nderuar Përfaqësues të komuniteteve fetare!
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik!
Të nderuar rektorë dhe akademikë!
Të nderuar organizatorë dhe pjesëmarrës në këtë simpozium!
Zonja dhe zotërinj!
Më lejoni të shpreh kënaqësinë time të thellë për këtë takim dhe organizim kaq domethënës dhe dinjitoz, mbi këtë temë aktuale e tepër të rëndësishme të ditëve tona, siç është dialogu ndërfetar.
Jemi të bindur se zhvillimi i këtij simpoziumi në Shqipëri është mjaft domethënës, si për vendin tonë ashtu edhe për të gjithë rajonin dhe botën mbarë.
Shqipëria ka qenë dhe mbetet një vend simbol i bashkëjetesës dhe i dialogut ndërfetar. Me kontributin e veçantë për paqe dhe stabilitet në rajon, Shqipëria përfaqëson një ndër rastet e rralla të një vendi me besime të ndryshme fetare, ku të gjithë faktorët socialë dhe politikë të shoqërisë, përfshirë edhe komunitetet fetare, janë përkrahës të fuqishëm të integrimit të vendit në vlera të përbashkëta.
Dialogu ndërfetar sot, përbën një domosdoshmëri, dhe hapi i parë në institucionalizimin e tij është injorimi i argumenteve polemike dhe dhënia përparësi e pikave të përbashkëta.
Feja islame që në origjinën e vet është bazuar mbi respektin për njeriun dhe mendimin e lirë, mbështetur mbi harmoninë dhe vëllazërimin. Respekti ndaj krijesës është respekt ndaj Krijuesit.
Duke u kapur fort pas këtyre parimeve, duke vlerësuar kontributin aktiv të të gjitha feve tradicionale në vendin tonë dhe me besimin në kontributin që japin organizime të tilla, jemi të bindur që shembulli i Shqipërisë do të jetë një shembull model për të gjithë vendet e tjera.
Më lejoni së fundmi, të falënderoj organizatorët dhe akademikët pjesëmarrës në këtë event historik dhe të shpreh përshëndetjet më të ngrohta për dijetarin e shquar z. Fet’hullah Gylen, që me vizionin e gjerë dhe me forcën e thellë shpirtërore është bërë shembull dhe kontribues i vlerave më të larta jo vetëm për botën islame, por për të gjithë njerëzit në mbarë botën.
Zoti na bekoftë të gjithëve!
Ju faleminderit!
* Fjala përshëndetëse e Kryetarit të KMSH-së H. Selim Muça në simpoziumin me temë "Këndvështrim i diversitetit fetar, kulturor dhe shoqëror në Ballkan nga perspektiva globale (Përvoja e Fet’hullah Gylenit si model dhe harmonia ndërfetare në Shqipëri)", mbajtur në Hotel Sheraton, dt. 25-26 Mars 2011.

