
BISMILAHIRRAHMANIRRAHIM
Festa e Kurban Bajramit përkon pikërisht me 20 vjetorin e lirisë së besimit pas 23 viteve persekutim dhe privim nga regjimi komunist.
Myslimanët me institucionin e kurbanit manifestojnë heroizmin, sakrificën dhe devotshmërinë ndaj Zotit të Madhëruar. Kjo festë na nxit që të jemi gjithmonë të gatshëm të bëjmë sakrifica për të mirën e përgjithshme, për fe e atdhe.
Bajrami në Islam është qetësi dhe dinjitet, ku muslimanët falenderojnë dhe madhërojnë Zotin që është Një dhe i Gjithpushtetshëm. Ai na jep çdo të mirë, e në shenjë mirënjohjeje falim namazin dhe bëjmë kurban.
Ditët e bajramit janë ditët e lumturisë së përbashkët me vëllezërit e tjerë, janë ditët e lulëzimit të ndjenjave të vëllazërisë, paqes e shëndetit, janë ditët e gëzimit të përbashkët me të afërmit, fqinjët, shokët dhe me mbarë njerëzit.
Së fundi i lutem Allahut që kjo festë të sjellë në shtëpitë e shqiptarëve paqe, kënaqësi, gëzim dhe hare. Le të sjellë kjo festë më shumë mirësi, afrimitet dhe dashuri mes njëri-tjetrit, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit.
Es-selamu alejkum ue rahmetullah!

