Komuniteti Mysliman i Shqiperise

Aktualitet

article thumbnailKryetari Muca pret ne nje takim ambasadorin e Palestines
Kryetari i Komunitetit Mysliman, Haxhi Selim Muça, priti sot në zyrën e tij ambasadorin e Palestinës në Tiranë, z. Issam Massalha.

Aktivitete

article thumbnailBashkepunim i suksesshem KMSH - Spitali Amerikan
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Spitalin Amerikan ka finalizuar me sukses fushatën e bërjes synet (falas) për fëmijët myslimanë, duke pasur si synim...

Presidentit Topi ne simpoziumin: “Kontributi i Harmonise Nderfetare ne Integrimin e Shqiperise'

* Fjala e Presidentit Topi në simpoziumin: “Kontributi i Harmonisë Ndërfetare në Integrimin e Shqipërisë”, organizuar nga komunitetet fetare tradicionale në vend. 

2 nëntor 2010

Nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi u zhvillua sot paradite në një nga mjediset e Hotel ‘Tirana International’, Simpoziumi: “Kontributi i Harmonisë Ndërfetare në Integrimin e Shqipërisë”, organizuar nga Komunitetet fetare tradicionale në Shqipëri. Në këtë aktivitet merrnin pjesë, përveç krerëve e përfaqësuesve të lartë të Komunitetit Mysliman, të Kishës Ortodokse Autoqefale, të Kishës Katolike dhe të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Be/aj, Kryetari i Komitetit të Kulteve, Rasim Hasanaj, përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe të Trupit Diplomatik të akredituar në vendin tonë, besimtarë, etj.

Pas përshëndetjes së krerëve të katër feve në Shqipëri, përkatësisht Kryetarit të Bashkësisë Myslimane të Shqipërisë, Haxhi Selim Muçës, Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së tij, Anastas Janullatos, Arqipeshkvit Metropolit të Tiranës e Durrësit dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore, Imzot Rrok Mirditës, dhe Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhit, e mori fjalën Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili, duke vlerësuar lart harmoninë dhe tolerancën që kanë karakterizuar në shekuj bashkëjetesën fetare në Shqipëri dhe kontributin e çmuar që kanë dhënë drejtuesit e tyre në vazhdimësi, u shpreh:

Të nderuar përfaqësues të Komuniteteve Fetare Shqiptare,

I nderuar Kryetar i Komitetit të Kulteve,

Shkëlqesi Ambasadorë,

Zonja e Zotërinj!

Falenderoj organizatorët për këtë nder të veçantë që më bëni që si President i Republikës të ripohoj një nga vlerat më fisnike të këtij populli - harmoninë fetare. Me këtë rast do të doja t’ju përshëndes të gjithëve ju që keni treguar interes për të bashkëndarë, kontribuar dhe dëgjuar mbi temën shumë të çmuar dhe të vlerësuar të forcimit të harmonisë fetare, si një prej elementeve identitare të jetës së vendit dhe një mbështetje thelbësore në procesin e integrimit evropian.

Çdo shtet në familjen evropiane ka historinë e tij me fenë, të cilën e ka realizuar nëpërmjet proceseve kulturore, gjë që e gjen shprehjen e vet me iluminizmin dhe proceseve politike që kulmojnë me Revolucionin francez, i cili sanksionoi ndarjen e fesë nga shteti, për të ardhur në stadin e lartë të shtetit demokratik laik që karakterizon Evropën e sotme. Është kjo arsyeja që BE-ja i mirëpret besimet e ndryshme si të ligjshme dhe të barabarta në harmoni me kartën e të drejtave themelore të njeriut dhe me parimet universale të demokracisë si kontribuese të drejtëperdrejta për një jetë më të mirë dhe në paqe.

Shteti shqiptar, siç e kam theksuar edhe në të tjera raste, lindi mirfilli si shtet laik, si një formulë efikase që përmblidhte brenda vetes interesat e të gjithë shqiptarve dhe mentalitetin e tyre për bashkëjetesë dhe harmoni. Ne e dimë që shteti laik dhe laicizmi janë kusht themelor i harmonisë ndërfetare në një shoqëri multifetare. Në këtë kontekst, Shqipëria lindi evropiane.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

 

Shqiptari, gjatë gjithë historisë së tij, ka dy gjëra të shtrenjta e të shenjta - Zotin dhe Atdheun - aq sa Fishta shpesh do t’ia kujtonte të huajve se shqiptarët “Për Zot e troje të veta nuk u dhimbet gjaja e jeta”. Për kombin tonë gjatë historisë, shumë gjëra mund të kenë ndryshuar, por besimi tek Zoti dhe dashuria për Atdheun kanë mbetur të pandryshueshme.

Ndërgjegjia fetare nuk u përpoq të asimilonte ndërgjegjjen kombëtare e as karakterin e tij etnik. Dhe kjo cilësi u ka rënë në sy mendjeve më të iluminuara të Evropës. Xhorxh Bajroni do të pohonte se “ unë i dua shqiptarët...! Feja nuk i bën ata të ndryshojnë zakonet e tyre.” Ndërsa studiuesi Tomas Arnold shprehet se “Krenaria kombëtare e shqiptarëve është e madhe. Kur dikush pyet një shqiptar se ç’është para se të përgjigjet nëse është mysliman apo i krishterë, ai do të përgjigjet se është shqiptar”.

 

Besimin tek Zoti, shqiptarët e përjetuan në forma të ndryshme, duke iu lutur Atij sipas riteve specifike e tradicionale të gjithësecilit, por të vetëdijshëm që po i luteshin të njëjtit Zot të përbashkët.

Këtë fakt e kanë ushqyer me predikimet e tyre ndaj besimtarëve, udhëheqësit shpirtërorë të komuniteteve fetare, duke mos lënë shteg për keqkuptime dhe interpretime që çojnë në konflikte. Kjo tregon se paqja kurrë nuk mund të rrezikohet nga numri i besimeve, kur fetë predikojnë dhe interpretojnë drejt mësimet e Biblës dhe Kuranit.

Mësime, që në origjinal nuk rrezatojnë asgjë tjetër veç paqe, bashkëjetesë, dashuri e respekt për tjetrin, humanizëm e përkujdesje ndaj nevojtarëve, elemente këto të domosdoshme për një jetë të qetë të njerëzve mbi tokë.

Për komunitetet tona fetare Shqipëria ka qenë trualli dhe çatia nën të cilën kanë jetuar dhe janë lutur së bashku. Në shekuj ata kanë bashkuar përpjekjet e zemrat që të bëjnë shtet, ta mbrojnë atë nga rreziqet dhe ta fusin në rrugën e zhvillimit dhe të progresit. Udhëheqësit e besimeve fetare në Shqipëri, kanë patur dhe vazhdojnë të kenë një kontribut të shkëlqyer, duke u angazhuar personalisht dhe së bashku, në të gjitha etapat më të vështira të historisë së vendit tonë.

Nëse shohim në retrospektivë, vëmë re se Rilindja Kombëtare, një nga shpërthimet më të shndritshme të gjenisë kombëtare është një shembull se identiteti kombetar dhe parimet për një Shqipëri të përparuar e të orientuar nga Perëndimi, janë bashkëndarë prej tyre pa asnjë dallim feje dhe krahine. “Dielli lind nga perëndon” shkruante Naimi ynë.

Të nderuar të pranishëm,

Atëherë, kur para Shqipërisë dhe shqiptarve shtrohej nevoja historike e njësimit të alfabeteve dhe kthimit tek rrënjët perëndimore, bashkë me intelektualët më në zë, ishin edhe misionarët dhe prijësit fetarë që udhëhoqën proçesin e njësimit të alfabetit me germa latine, deri në organizimin e Kongresit te Manastirit, që e finalizoi këtë rrugëtim.

Kështu njësisë kombëtare i përgjigjej njësia gjuhësore. Xhamitë, teqetë e kishat, në momente të rëndësishme historike, janë shndërruar në vatra të gjuhës shqipe të shkruar e predikuar, në tempuj të Zotit e të ndjenjës kombëtare.

Një nga ngjarjet më kulmore historike pas epopesë legjendare të Skënderbeut, është Pavarësia e fituar në nëntor të vitit 1912 dhe pa asnjë dyshim mund të themi që, kontributi i përbashkët i komuniteteve fetare ishte i padiskutueshëm dhe shumë i frytshëm.

Në përbërjen e delegacioneve që bënin lobim nëpër kanceleritë evropiane, tek udhëheqësit e krahinave që mobilizonin popullin për rezistencë, në aktin final të firmosjes së Pavarësisë, në përbërjen e qeverisë së parë shqiptare, gjejmë shumë klerikë të feve të ndyshme, dhe në këtë kuptim është e lehtë për t’u bindur se çfarë kontributi kanë dhënë komunitetet fetare në konsolidimin e shtetit tonë të pavarur.

Në periudhën e instalimit të njërës prej diktaturavë më të egra që ka njohur historia moderne e Evropës, të një diktature ateiste e dhunuese ndaj besimeve, përfaqësuesit e komuniteteve fetare, misionarët e veprimtarët e fesë, dhanë kontributin e tyre duke ndërgjegjësuar popullin për rrezikun që i kanosej vendit.

Së bashku u lidhën në akte sacrifice e rezistence, sepse ata ishin të vetëdijshëm se cili do të ishte produkti i komunizmit. Në altarin sublim të vuajtjes dhe martirizimit, ata u bashkuan si bij të një Zoti të vetëm.

Së bashku përballuan kalvarin e vuajtjeve për 46 vjet. Së bashku dolën para skuadrave të pushkatimit e së bashku kaluan tmerret e ferrit të burgjeve në emër të Zotit dhe të Shqipërisë. Ata që jetuan për të treguar, ata që mbetën gjallë pas viteve 90-të, u gjendën përsëri së bashku duke i predikuar popullit besimin e vërtetë, harmoninë, respektin për të ndryshmin, vlerat tradicionale shqiptare, rrugën e progresit e të integrimit.

Gjatë viteve te tranzicionit, kur pati edhe trauma sociale edhe kriza që vunë në provë mbijetësën e shtetit dhe institucioneve demokratike, i kemi parë përfaqësuesit e komuniteteve fetare krah për krah, duke i shndërruar njerëzit e traumatizuar në kolona të paqes sociale.

Kjo tregon që harmonia fetare nuk është një dhuratë që dikush ia ka bërë këtij vendi, por është përpjekje shekullore e popullit tonë për të qenë të bashkuar rreth Shqipërisë dhe shqiptarizmës. Ndaj, në ruajtje të përpjekjeve të brezave të kaluar, brezi ynë dhe brezat e ardhshëm kanë detyrimin që të jenë të impenjuar për t’i mbyllur rrugën dhe paralizuar me ligj e reagim shoqëror çdo veprimtari që bën të kundërtën, duke synuar dëmtimin e kësaj pasurie shekullore.

Unë mendoj që institucionet e përgatitjes së klerikëve në Shqipëri, duhet të kenë si lëndë bazë eksperiencën, traditën dhe mjeshtrinë e të parëve në predikimin dhe mësimin e fesë, e cila ka dhënë prova në shekuj, që i ruan shqiptarët të bashkuar në ushtrimin e besimeve të tyre, në respekt dhe në harmoni të plotë me njëri-tjetrin.

Të nderuar miq,

Sot Shqipëria ndodhet, ashtu siç thotë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, në oborrin e jashtëm të shtëpisë evropiane dhe presim të na hapen dyert që të hyjmë brenda.

Sigurisht, asaj shtëpie të madhe, secili synon t’i ofrojë dicka sa më të bukur nga vend i tij. Unë jam shumë i lumtur që dhe ne shqiptarët, kemi një gjë shpirtërore kaq të veçantë e përfaqësuese të qytetërimit tonë, që mund ta bashkëndajmë me familjen tonë europiane - modelin e të jetuarit në harmoni të plotë si vëllezër mes besimeve dhe feve të ndryshme.

Jam thellësisht i bindur, që pa këto standarde harmonie, proçesi i integrimit nuk do të merrte ketë drejtim, prandaj kontributi i saj është aq domethënës, sa për pak javë ne do të lëvizim pa viza, pa pengesa psikologjike e fizike, me detyrimin që kudo që të jemi të ngrihemi në lartësinë e vlerave më të mira shqiptare.

Ju faleminderit!”

 

 

Lajme nga Bota

article thumbnailBenzema dhuron 3 milionë euro per ndertimin e një xhamie ne Lion te Frances
Lojtari i Real Madridit dhe i kombëtares franceze, Karim Benzema ka dhuruar tre milionë euro për ngritjen e një xhamie në Lion të Francës. Lajmi është bërë i njohur nga mediat më të...

Opinion

article thumbnailTe mesosh mbi fene nuk eshte predikim
nga Gentiana SKURA Para pak ditësh, kur po u shpjegoja studentëve të mi temën e ditës mbi marrëdhëniet mes Islamit dhe Krishtërimit në Evropë, mu drejtuan duke më thënë se e ndjenin...