Me një program madhështor dhe me një prezencë të madhe nga myslimanë dhe zviceranë të feve tjera, Qendra Kulturore Islamo-Shqiptare e Wetzikonit në Kantonin e Cyrihut në Zvicër, të Shtunën me 4 Shkurt, e shënoi ditëlindjen e Pejgamberit s.a.v.s.
Në këtë eveniment madhështor tradicional të organizuar nga kjo qendër, morën pjesë edhe shumë hoxhallarë të cilët veprojnë në Zvicër, kryetari dhe përfaqësues të Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, përfaqësues të jetës publike në Zvicër si dhe përfaqësues të korit diplomatik.

Me rëndësi të veçantë ishte programi i përgatitur nga nxënësit të cilët e ndjekin mësim-besimin pranë kësaj qendre, të cilët përmes një pjese teatrale, shprehën aspiratat e tyre për në të ardhmen. Po ashtu, në këtë eveniment u bë edhe dekorimi i disa personaliteteve. Me këtë rast, u dekorua imam Nebi Rexhepi, imam në Bashkësinë Islame-Shqiptare të Cyrihut, si një nga imamët më të vjetër dhe me një të kaluar të bujshme në zhvillimin e jetës fetare te komuniteti mysliman shqiptar në Zvicër, si dhe xhamia e Arburgut në kantonin Argau, për shembullin e mirë në bashkimin e xhemateve dhe suksesin e treguar në hapjen e kësaj qendre të re për një afat rekord. Qendra ka kushtuar 2 miljon franga dhe është një nga qendrat më të mëdha islame të shqiptarëve në Zvicër.
Në këtë eveniment me ligjëratë në gjermanisht u prezantua Mr.Bekim Alimi, imam në Vil, ndërkaq me ligjëratë në shqip u prezantua Nehat ef. Ismaili, imam në xhaminë e Arburgut. Programin e udhëhoqi imami i xhamisë së Wetzikonit, Bashkim Aliu.
Këtë eveniment e përshëndetën shumë personalitete, në mes të cilëve edhe Ramadan Nazifi, ambasador i Maqedonisë në Zvicër.

Kurse Xhamia Drita Duisburg, anëtare e unionit të qendrave islame shqiptare në Gjermani (UIAZD) organizoi manifestimin: “Muhamedi a.s. Pishtar ndriçues”, me rastin e përkujtimit të lindjes së Pejgamberit a.s., më 4 shkurt.
Programi u hap me këndim Kurani dhe më pas drejtuesi i xhamisë z. Turan Saliu mbajti fjalën përshëndetëse dhe fill pas tij, ligjëruan dy imamët Nuhi ef. Shaqiri dhe Tasim ef. Ramadani të ardhur enkas nga Brukseli.
Më pas programi vazhdoi me këndimin e ilahive dhe interpretimin e poezive nga kori i xhamisë Drita në gjuhën shqipe dhe gjermane. Ndër të tjera z. Fadil Asipi, përgjegjës i sektorit të kulturës pranë kësaj xhamie recitoi një monolog.
Imami i xhamisë Drita, Laurent Ibra në fjalën e tij përshëndeti të pranishmit dhe shpërndau çmime për nxënësit që kanë bërë hatme njëkohësisht dhe shtatë anëtarëve më të dalluar të xhamisë. Po ashtu ai nderoi edhe Imamët shqiptar të provincës NRW me çmimet e mirënjohjes për kontributin e vyer në fushën e thirrjes islame si për bashkëpunimin dhe konsonancën e pakursyer në integrimin e shoqërisë shqiptare në Gjermani.
Ndërkohë Imami Naser ef. Haziri në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e madhe që kane këto manifestime për bashkatdhetarët tanë në diasporë. Në përfundim të aktivitetit, u shpërndanë dhurata për të pranishmit.
Programi për nder të Profetit të fundit të njerëzimit Muhamedit a.s., u organizua nga bashkëpunimi i 16 xhamive shqiptare në provincën e NRW të Gjermanisë. /Drita Islame/

