
Presidenti i SHBA-së, Barak Obama, ka shtruar një iftar në Shtëpinë e Bardhë, me rastin e muajit të Ramazanit, ku ishin të ftuar të mbijetuarit myslimanë të sulmeve të 11 Shtatorit, diplomatë, zyrtarë të administratës dhe ligjëvënës amerikanë.
Duke pasur parasysh se 10 vjetori i këtyre sulmeve po afrohet, presidenti Obama, ka thënë se është momenti për të përkujtuar njerëzit me origjinë të ndryshme.
“Për një muaj, ne do ta shënojmë 10 vjetorin e këtyre sulmeve të tmerrshme, që sollën aq shumë dhembje në zemrat tona. Do të jetë kohë për t’i nderuar ata që ne i humbëm, familjet që vazhdojnë trashëgiminë e tyre, heronjtë që shpejtuan të ndihmojnë atë ditë dhe të gjithë ata që shërbyen për të na mbajtur të sigurt gjatë kësaj dekade të vështirë. Sonte, ia vlen të përkujtojmë se ata amerikanë ishin të shumë besimeve, përfshirë myslimanët amerikanë dhe patriotë”, tha Baraka Obama. “Nuk ka ata dhe ne, ka vetëm Ne”, tha ndër të tjera presidenti Obama i cili çdo vit shtron iftar në Shtëpinë e Bardhë, ashtu si presidenti paraardhës.

