
Një raport-studimi i institutit “PEV Forum”, vlerëson se numri i myslimanëve në Evropë do të rritet me 6 deri në 8 për qind në periudhën midis viteve 2010 dhe 2013.
Rritja e numrit të myslimanëve në terrirorin e BE-së më së shumti është shfaqur në Suedi, thuhet në raportin e institutit “PEV Forum” nga Uashingtoni.
Nga 1.7 për qind të popullatës në vitin 1990, përfaqësimi i myslimanëve vitin e kaluar ishte rritur në 4.9 për qind, ndërsa pas dy dekadave vlerësohet se ata do të jenë rreth 10 për qind e popullatës totale në Suedi.
Ndër arsyet kryesore studiuesit rendisin migrimet vijuese drejt Evropës nga rajone si Azia Jugore, Afrika Veriore, Lindja e Afërt dhe Turqia. Valët migruese më së shumti janë të orientuara drejt Evropës Veriore dhe Perëndimore. Më herët Islami ishte më shumë i pranishëm në Evropën Lindore, ku grupet myslimane kanë një jetëgjatësi shekullore.
Momentalisht pjesa myslimane e popullatës në vendet-anëtare të BE-së shënon nivel më të lartë në Francë 7,5 për qind, në Belgjikë 6,1 për qind, në Austri 5.7, në Holandë 5.5, në Gjermani 5, në Britani të Madhe 4.6, në Danimarkë 4.1, në Itali 2.6, në Spanjë 2.3 dhe në Finlandë 0.8 për qind.
Vëmendje të posaçme në këtë kontekst tërheqin të dhënat më të reja rreth lëvizjeve demografike në Evropë, prej të cilave del se femrat myslimane në vendet evropiane mesatarisht lindin nga 2.2 fëmijë, në krahasim me femrat evropiane të cilat drejt rritjes së natalitetit kontribuojnë mesatarisht me 1.5 fëmijë. Pritet që dallimet të zvogëlohen deri në vitin 2030, por, referuar gazetës suedeze “Goteborg-posten”, fertiliteti do të mbetet në nivel më të lartë midis myslimanëve.

