
Një studim i realizuar në Angli tregoi se gjatë dhjetë viteve të fundit 100 mijë persona kanë zgjedhur fenë Islame.
Sipas studimit të zhvilluar nga grupi “Faith Matters”(Çështjet e besimit) bëhet e ditur se këtë vit 5 200 anglezë u kthyen në myslimanë. Në studim të bën përshtypje fakti i qëndrimit në mes dy kulturave të personave të kthyer në myslimanë.
Sipas gazetës “The Times” krahas rritjes së numrit të personave që pranojnë Islamin në të njëjtën kohë lind dhe një problem tjetër: nga njëra anë personat e konvertuar në myslimanë refuzohen nga familjet dhe të afërmit, nga ana tjetër myslimanët nuk vlerësohen dhe nuk gëzojnë besimin e të tjerëve.
Myslimanët njerëz të përgjegjshëm
Në raportin me titull “Minorancë brenda minorancës” i publikuar pas studimit, theksohet se personat të cilët zgjedhin Islamin e ndryshojnë fenë e tyre nëpërmjet ndikimit të librave dhe informacionit të përftuar nga interneti. Në raportin ku nënvizohet fakti se myslimanët janë njerëz të përgjegjshëm thuhet se “personat e konvertuar në myslimanë përpiqen të mbështesin bashkimin e shoqërisë dhe japin kontributin e tyre në zgjidhjen e problemeve të ndryshme ndërkombëtare si në Afganistan, Pakistan, Lindje e Mesme”.
Dy të tretat e personave të konvertuar janë femra, të cilat ndryshojnë dhe mënyrën e veshjes pasi kthehen në myslimane. Megjithëse shumica prej tyre janë kundër përdorimit të perçes, ato mendojnë se duhen respektuar ato që e praktikojnë. Krahas kësaj në raport bëhet e ditur se martesat islame nuk kanë ndikuar në konvertimin e tyre në myslimane, por theksohet se edhe pasi kthehen në myslimanë këta persona nuk gëzojnë mbështetjen e plotë të shoqërisë.


