Komuniteti Mysliman i Shqiperise

Aktualitet

article thumbnailBotohet libri me i ri, i KMSH-se 40 HADITHE MBI MORALIN
Libri më i fundit, botim i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë “40 Hadithe mbi moralin” ka parë dritën e botimit këto ditë, kur mbarë bota përkujton lindjen e...

Aktivitete

article thumbnailHap dyert panairi i librit islam ne Shkoder
Paraditen e së shtunës, më 4 shkurt 2012, ka çelur dyert e tij Panairi i Librit Islam në Shkodër. Kjo iniciativë e Myftinisë Shkodër është përshëndetur nga...

Qellimi i jetes

Lista e faqeve
Qellimi i jetes
Namazet – Adhurimet ditore
Agjërimi i Ramazanit
Zekati (Lëmosha Pastruese)
Haxhi
Te gjitha faqet

Kush jam unë? Nga vij? Ku do të shkoj? Çfarë kërkon vdekja nga unë? Kush është udhërrëfyesi im në këtë udhëtim?

Në të gjitha këto pyetje të cilat kanë të bëjnë me çështjet themelore të jetës së njeriut si dhe me lumturinë tonë intelektuale dhe atë sociale, lypset të jesh i aftë për t’u dhënë përgjigjet e duhura pyetjeve të lartpërmendura, ashtu siç nevojitet edhe kanalizimi i aftësive tona, në mënyrë që ne të mundësojmë ndërtimin e një jetë të harmonishme dhe paqësore, si në planin individual, ashtu edhe në atë shoqëror. Meqenëse nuk është e mundur për intelektin njerëzor të kuptojë plotësisht se ku qëndron lumturia e vërtetë e njeriut, atëherë njerëzimit i nevojitet si në këtë botë ashtu edhe në tjetrën një intelekt universal, një udhëheqje që buron nga përtej arsyes dhe përvojës njerëzore, autoritetit të së cilës të gjithë të mund t’i nënshtrohen me vullnet të lirë. Kjo udhëheqje është feja e shpallur dhe e përsosur nga Zoti nëpërmjet Profetëve të Tij1. Me Islamin, Zoti e plotësoi fenë që Ai zgjodhi dhe shpalli për njerëzimin:

Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time dhe zgjodha për ju Islamin fe. (Maide 5:3)

Islam do të thotë “nënshtrim ndaj Zotit, paqe dhe shpëtim.” Vetëm nëpërmjet nënshtrimit ndaj Zotit, një njeri mund të fitojë paqen si në planin individual ashtu edhe në atë shoqëror, si dhe të gjejë shpëtimin në të dyja botët. Kjo është arsyeja përse të gjithë profetët erdhën me të njëjtën doktrinë besimi, me të njëjtat norma adhurimi dhe virtyte, si dhe me të njëjtat parime në lidhje me rregullat e jetës shoqërore. Vetëm në disa çështje të dorës së dytë, ata ndryshonin nga njëri-tjetri, dhe kjo vinte vetëm e vetëm si pasojë e kushteve dhe epokave të ndryshme në të cilat ata u dërguan dhe jetuan.

Emri i fesë që përfshin këtë doktrinë dhe këto koncepte e parime, është Islam. Feve të tjera, emrat u janë vënë ose nga pasuesit e tyre, ose nga kundërshtarët dhe ato u janë vënë pasi kishte kaluar njëfarë kohe që kur të dërguarit përkatës e kishin lënë këtë botë. Islami është feja e përjetshme dhe ai nuk solli asgjë që mund të konsiderohej krejtësisht e re, por ai erdhi për të risjellë në origjinë fenë burimore si dhe për të riafirmuar të Vërtetën e cila e kapërcente konceptin “kohë”. Duke qenë një rivënie në vend dhe riafirmim, Islami përbën një sintezë të Shpalljes së përbotshme; ai është përmbledhja e të gjitha mesazheve paraardhëse të cilat Zoti ua besoi njerëzve. Është pikërisht Islami ai i cili u jep aftësinë e mahnitshme për t’u integruar brenda një komuniteti të vetëm besimtarëve me prejardhje krejt të ndryshme etnike, duke respektuar njëkohësisht edhe veçoritë e tyre2.

Të gjithë profetët u dërguan me mesazhin Islam dhe e komunikuan atë, por pasuesit e tyre dështuan në respektimin dhe në ruajtjen e tij duke bërë ndryshime herë pas here. Ky mesazh u komunikua për të fundit herë nga Profeti Muhamed, paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të, në një mënyrë të tillë që të mund t’i përfshijë të gjithë njerëzit deri në fund të ekzistencës së kësaj bote. Prandaj vetëm Islami që predikoi Profeti Muhamed është i pranuar nga Zoti si feja e vërtetë:

Thuaj: “Ne i kemi besuar Allahut dhe asaj që na u zbrit neve, edhe asaj që i është zbritur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve. Edhe asaj që i është dhënë Musait dhe Isait, edhe asaj që u është zbritur të gjithë profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi midis tyre dhe ne vetëm Atij i jemi dorëzuar.” (Ali Imran 3:84)

Është e rëndësishme të theksohet se Profeti Muhamed nuk është themeluesi i Islamit, por i Dërguari i Islamit. Islami është mënyra e natyrshme e jetesës. Zoti është burimi i Islamit dhe Ademi, njeriu i parë në tokë, ishte muslimani i parë. Po kështu, Profeti Ibrahim i cili jetoi 2500 vjet përpara Profetit Muhamed, në Kur’an është quajtur musliman (Ali Imran 3:60). Të gjithë profetët përcollën të njëjtin mesazh nga Zoti – mesazhin e Islamit, të paqes dhe mëshirës3.

Në aspektin e tij më themelor, Islami personifikohet në frazën më të përdorur të të gjithë Kur’anit, Besmelen ose Bismil’lahi Rrahmani Rrahim – “Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit.” Zoti e shfaq Vetveten nëpërmjet Mëshirës dhe Dhembshurisë së Tij absolute dhe Islami është themeluar mbi bazën e këtij pohimi. Kur’ani e quan misionin e Profetit Muhamed “një mëshirë për të gjithë botërat” (Haxh 21 :107)4.

 

Qëllimi hyjnor i krijimit të njerëzisë dhe botës

Meqenëse Zoti i Vetëm i Vërtetë është i Pafundëm dhe Absolut sikurse është edhe pafundësisht i Mirë, Ai realizoi krijimin. Pafundësia e Tij nënkupton që Ai i zotëron në Vetvete të gjitha potencialet të cilat duhej të konkretizoheshin në formën e krijimit. Është në natyrën e së mirës dhënia e diçkaje nga vetvetja, ndaj Pafundësisht i Miri nuk mund të mos e rrezatonte këtë cilësi në realitetin që përbën botën5.

Ne nuk e krijuam qiellin e as tokën dhe as çfarë ka në mes tyre pa qëllim; ai është mendim i atyre që nuk besuan. (Sad 38 :27)

Thënia e shenjtë e mëposhtme, (hadith kudsi6), e shpjegon më së miri arsyen e thellë të krijimit e cila është “dëshira e Zotit për t’ua bërë Veten të njohur krijesave të Tij, e realizuar nëpërmjet mëkëmbësit të Tij në tokë – njeriut.”

“Unë isha një thesar i fshehtë dhe dëshiroja të njihem, ndaj që të bëhem i njohur tek të tjerët, realizova krijimin.”

 

Pikëpamjet Islame rreth njerëzimit

Mëkëmbësi i Zotit në Tokë

(Përkujto Muhamed) kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoi në tokë një zëvendës!” Ata i thanë: “A do të vësh në të atë që bën çrregullime dhe që derdh gjaqet, e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë?” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini!.”

E Ai (Zoti) ia mësoi Ademit të gjithë emrat (e sendeve) pastaj ata ua prezantoi engjëjve dhe u tha: “Më tregoni për emrat e këtyre (sendeve të emërtuara) nëse jeni të drejtë (çfarë mendoni)!”

(Engjëjt) Thanë: “Ti je i Patëmeta, ne nuk kemi dije tjetër përveç atë që na e mësove Ti. Vërtetë, Ti je i Gjithëdijshmi, i Urti!”

(Zoti) Tha: “O Adem, njoftoji ata (engjëjt) me emrat e atyre (sendeve)! E kur u rrëfeu atyre për emrat e tyre, (Zoti) tha: “A nuk u kam thënë juve se Unë,  më së miri e di fshehtësinë e qiejve e të tokës dhe më së miri e di atë që ju e publikoni dhe atë që e mbani të fshehtë?”

E kur u thamë engjëjve "përuluni (në sexhde) Ademit, ata menjëherë iu përulën.”  (Bekare 2:30-34)

Raca njerëzore është superiore ndaj të gjitha krijesave të tjera në kuptimin që Zoti zgjodhi qeniet njerëzore si mëkëmbësit e Tij në tokë. Ademi qe njeriu i parë dhe gjithashtu Profet dhe ai ishte superior ndaj engjëjve, sepse ishte bekuar me dije për emrat e çdo sendi dhe ishte gjithashtu pasqyrim i të gjithë Emrave dhe Cilësive Hyjnore. Epërsia e njeriut nuk tregohet vetëm me Ademin, por konfirmohet gjithashtu me një varg tjetër Kur’anor: “Vërtet ne e krijuam njeriun në formën më të bukur.” (Tin 95:1-4). Prandaj sipas Islamit, njerëzit nuk kanë lindur në këtë botë me një gabim në kurriz që duhet shlyer, por përkundrazi, njerëzit mishërojnë shumë cilësi të mira si mëshira, bujaria dhe dhembshuria, ndaj, prej njerëzve pritet që t’i përjetojnë këto ideale fisnike të njerëzimit.

Cilësia e të qenurit njerëz buron nga aspekti ynë jomaterial dhe shpirtëror, dhe jo nga aspekti ynë natyral dhe ai material. Shpirti dhe mendja nuk e kanë zanafillën tek trupi fizik, përkundrazi, shpirti e përdor trupin dhe vetëm jeta i jep trupit kuptim.

Ne posedojmë tri ndjenjat kryesore: dëshirën, zemërimin dhe intelektin. Ne kemi dëshira apo tundime nga seksi i kundërt dhe i duam fëmijët tanë dhe pasuritë e kësaj bote. Ne e drejtojmë zemërimin drejt atyre të cilët na pengojnë në rrugën tonë dhe duke e përdorur atë, ne arrijmë të mbrojmë vetveten. Intelekti ynë na aftëson të marrim vendimet e duhura. Krijuesi nuk na i kufizon këto ndjenja por përkundrazi, kërkon prej nesh të kërkojmë përsosmërinë nëpërmjet vetëdisiplinimit, në mënyrë që të mos i keqpërdorim ato. Në qoftë se ndjenjat mbeten të padisiplinuara, atëherë imoraliteti, marrëdhëniet seksuale të jashtëligjshme, shtëpitë e ndaluara, tirania, padrejtësia, mashtrimi, falsiteti dhe vese të tjera do të shfaqen tek individët dhe nëpërmjet tyre do të përhapen në të gjithë shoqërinë. Vargu i mësipërm Kur’anor “Vërtet ne e krijuam njeriun në formën më të bukur” pasohet nga vargu tjetër “Pastaj e zbritëm atë në më të ultin e të ultëve, përveç atyre që besuan dhe bënë vepra të mira; ata kanë shpërblim të pandërprerë.” Ky varg thekson nevojën për një disiplinë qiellore për të na shpëtuar nga të shndërruarit në më të ultin e të ultëve, prandaj njeriu është gjithmonë përballë rrezikut të dështimit në provimin e jetës së kësaj bote.

 

Të gjithë njerëzit janë të barabartë

O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet jush, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur, e Allahu është shumë i Dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë. (Huxhurat 49:13)

Siç shihet qartë në vargun e mësipërm kur’anor, pikëpamjet Islame në lidhje me racën njerëzore, janë të orientuara drejt barazisë dhe nuk tolerojnë asnjë lloj diskriminimi mbi baza gjinie, race, ngjyre, familjeje, pozite social-ekonomike, kulture apo kombësie. Kriteri i vetëm i superioritetit është “mëshira, drejtësia dhe adhurimi i Zotit” dhe kjo është e mundur të dihet vetëm nga Zoti. Të gjithë njerëzit janë pasardhës të Ademit dhe Havasë dhe në këtë kuptim ne jemi të gjithë vëllezër e motra.

Racizmi përbën një nga problemet më të mprehta të epokës sonë. Kur i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të) u shpall profet, racizmi ishte shumë i theksuar në Mekë, i maskuar nën rrobën e farefisnisë. Kurejshët e konsideronin vetveten (në veçanti) dhe arabët (në përgjithësi) si qenie superiore ndaj njerëzve të tjerë. I Dërguari i Allahut erdhi me këtë mesazh Hyjnor dhe shpalli: “Arabi nuk është superior ndaj joarabit dhe i bardhi nuk është superior ndaj të ziut13 dhe “Në qoftë se një musliman zezak abisinas vihet në udhëheqje të muslimanëve, atij duhet t’i bindeni14”.

I Dërguari i Allahut e çrrënjosi racizmin mbi baza ngjyre të lëkurës dhe diskriminimin me aq sukses, saqë për shembull, Omeri njëherë tha për Bilalin që ishte zezak: “Bilali është zotëria ynë dhe është çliruar nga zotëria ynë Ebu Bekri15”. Njëherë Ebu Dheri u zemërua me Bilalin dhe e fyeu me fjalët “I biri i zezakes!” Bilali shkoi tek i Dërguari i Allahut dhe ia tregoi incidentin me lot në sy. I Dërguari i Allahut e qortoi Ebu Dherin duke i thënë: “A mos ke akoma shenja të injorancës?” Plot pendesë, Ebu Dheri u shtri në tokë dhe tha: “Unë nuk do ta ngre kokën (d.m.th. nuk do të ngrihem) derisa Bilali të vendosë këmbën e tij përmbi kokën time.” Bilali e fali dhe ata u pajtuan16. Zejd ibn Harith, një skllav zezak i liruar nga i Dërguari i Allahut, ishte djali i adoptuar i tij përpara se Shpallja t’i ndalonte këto lloj adoptimesh. Profeti e martoi atë me Zejneb bintu Xhahsh, një nga gratë më fisnike arabe dhe muslimane dhe e cila për më tepër nuk ishte zezake. Madje ai e zgjodhi Zejdin si komandant të ushtrisë muslimane që u dërgua kundër ushtrisë së Mbretërisë Bizantine, edhe pse në mesin e luftëtarëve ndodheshin sahabe të tillë si Ebu Bekri, Omeri, Xhafer ibn Talibi (kushëri i të Dërguarit të Allahut) dhe Halid ibn Velidi (i famshëm për zgjuarsinë e tij dhe si komandant i madh ushtarak)17. Profeti caktoi të birin e Zejdit, Usamen për të drejtuar ushtrinë që formoi pak përpara se të vdiste. Në këtë ushtri ndodheshin sahabe të tillë të shquar si Ebu Bekri, Omeri, Halidi, Ebu Ubejde, Talhai dhe Zubejri. Ky veprim i bindi mendjet dhe zemrat e muslimanëve për faktin se epërsia nuk vjen nga lindja, gjaku apo nga ngjyra e lëkurës, por nga drejtësia dhe devotshmëria ndaj Zotit.

Në Islam, të gjitha krijesave u është garantuar afrimi i barabartë tek Zoti. Nuk ekziston asnjë kategori e veçantë e privilegjuar klerikale dhe as nuk i është premtuar ndonjë favorizim ndonjë grupi të caktuar njerëzish. Të gjithë besimtarët janë njëlloj shërbëtorë të Zotit, ndaj nuk është nevoja për ndërmjetës.

Islami nuk është i vlefshëm vetëm për një familje apo për një popull; ai nuk është një marrëveshje e bërë me një grup të zgjedhur njerëzish. Islami përfshin gjithë njerëzimin, madje edhe krijesat më të vogla.

Islami përbën manualin hyjnor të veprimit në këtë botë, në mënyrë që ajo të funksionojë në mënyrën më të thjeshtë të mundshme. Ajo është një fe shumë e lehtë për t’u praktikuar dhe në përputhje të plotë me strukturën natyrale të njerëzve dhe të mbarë gjithësisë. Nëpërmjet këtij formati që ju rrezatuam, ky libër ka për qëllim që të bëjë vetëm një hyrje në Islam. Megjithëse ai i mbulon të gjitha fushat e themeleve të besimit dhe praktikimit të Islamit, ne u bëjmë thirrje lexuesve ta studiojnë më thellë atë, duke lexuar Kur’anin e shenjtë si dhe duke shfletuar botimet e tjera të dijetarëve, me qëllim që të arrihet në një kuptim më të thellë të kësaj feje.

 

Gjëra të ndaluara dhe gjëra të lejuara

Jeta në Islam e pajisur me adhurim (ibadet) si dhe marrëdhëniet shoqërore, drejtojnë të gjitha aspektet e jetës së individit. Ligji Islam i sistemon të gjitha veprimet njerëzore sipas kategorive që janë: veprime të detyrueshme (farzet), veprime të ndaluara (haram), veprime jo të pëlqyeshme (mekruh) dhe veprime të lejuara (mubah). Këtu ne do t’u hedhim një vështrim të shkurtër veprimeve të ndaluara.

Në kundërshtim me perceptimin e përgjithshëm, Islami i lejon një hapësirë të gjerë veprimi besimtarëve, në mënyrë që ata të jetojnë në mirëqenie pa bërë asnjë shkelje. Një dijetar e sqaron këtë pikë në mënyrë mjaft koncize: “Kufijtë e së lejuarës janë të gjera dhe të përshtatshme për dëshirat tona, ndaj nuk është nevoja të zhytemi tek gjërat e ndaluara.” Islami e pranon se çdo gjë që Zoti ka krijuar, është në thelb për të mirën e njerëzimit dhe e ligjshme (hallall), përderisa nuk është ndaluar nga Kur’ani ose Profeti. Gjërat e ndaluara në Islam mund të renditen shkurtimisht si vijon:

• Ngrënia e mishit të disa kafshëve të caktuara siç janë mishi i derrit, mishi i ngordhur, mishi i kafshëve mishngrënëse, mishi i zogjve me kthetra, i amfibëve, i zvarranikëve si dhe mishi i kafshëve të therura në emër të dikujt tjetër përveç Zotit.

• Konsumimi i lëndëve dehëse si alkooli, droga etj., dhe i gjërave të tjera të dëmshme. Një musliman duhet të jetë gjithmonë plotësisht i kthjellët dhe i ndërgjegjshëm për Zotin e tij dhe të jetë në gjendje t’i drejtohet Zotit të Madhëruar gjatë gjithë kohës, në veçanti gjatë kohës së namazeve. Dëmet që alkooli apo pijet e tjera dehëse i shkaktojnë individit dhe shoqërisë, janë të panumërta dhe të pallogaritshme.

• Zgjedhja me kujdes e veshjes. Islami nxit modestinë, prandaj veshjet ekstravagante dhe dëshira për t’u dukur janë të ndaluara. Si burrat ashtu edhe gratë duhet të jenë gjithashtu të kujdesshëm për të mos u veshur në mënyrë të tillë që të tundojnë seksin e kundërt, si për shembull, me anë të veshjeve transparente ose të shkurtra. Pra trupi duhet të jetë i mbuluar siç duhet, në përputhje me etikën Islame.

• Shmangia nga të gjitha format e bixhozit dhe kamatës siç janë interesi i huave dhe lojërat e fatit.

 

Islami dhe kultura

Islami sot është i përhapur në të gjithë botën, në qindra vende të ndryshme, në etni dhe grupe racore të ndryshme. Muslimanët janë të bashkuar nën flamurin e Islamit dhe e mirëpresin njëri-tjetrin si pjesëtarë të së njëjtës familje. Pavarësisht aderimit në disa kultura me vlera të veçanta, ata ende përjetojnë një diversitet të pasur dhe mbeten thelbësisht të lidhur nëpërmjet të njëjtit sistem besimi dhe të njëjtave pikëpamje. Muslimanët mund të përshtaten me normat sociale të shoqërive të tyre, të cilat janë zhvilluar përgjatë shekujve si rrjedhojë e faktorëve rajonalë siç janë klima, industria, trashëgimia, shijet kombëtare etj. Ndryshimet e shfaqura janë të gjitha të pranueshme me kusht që ato të mos jenë të ndaluara shprehimisht nga Islami.

 

Praktikimi- Pesë shtyllat

• Dëshmia e Besimit (shehadeti)

• Namazi

• Agjërimi i Ramazanit

• Zekati

• Haxhi

“Islami është i ndërtuar mbi pesë shtylla të cilat janë: dëshmia se nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe dëshmia se Muhamedi është i dërguari i Tij, falja e pesë vakteve të namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i muajit të Ramazanit, si dhe kryerja e Haxhit në Qabe, për ata që kanë mundësi.”34

Shehadeti, fjala arabe që nënkupton deklarimin e Islamit apo shprehjen e besimit, nga pikëpamja gjuhësore ka kuptimin e “të qenit dëshmitar për diçka.” Dëshmia e besimit përbën aktin e parë të hyrjes në Islam, sepse katër shtyllat e tjera, janë në një farë mënyre “deklarimet e zbatuara” apo “besim i zbatuar në praktikë.” Shehadeti është shprehja bazë e Islamit, e cila përmbledh pohimin se “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i Tij.” Kushti i të qenit musliman, përcaktohet thjesht nga një shqiptim i sinqertë i kësaj dëshmie, me anë të së cilës, një person “bëhet dëshmitar” i ekzistencës së Allahut dhe i faktit se nuk ekziston asnjë Zot tjetër përveç Tij që duhet adhuruar dhe i profetësisë së Muhamedit duke përqafuar në këtë mënyrë Islamin si fe të vërtetë dhe mënyrë jetese. Pavarësisht shkurtësisë dhe thjeshtësisë së saj, kjo dëshmi bën thirrje për ndryshim në mënyrën se si një person e koncepton kozmosin dhe vetveten. Në vend që gjithçka t’ia atribuojë natyrës, fatit apo vetes së tij, kur bëhet musliman, një person i nënshtrohet Vullnetit të Allahut me ndërgjegje të plotë, vullnet të lirë dhe me të drejtën e zgjedhjes kështu që ai është i ndërgjegjshëm për nënshtrimin vullnetar të tij ndaj Allahut.

Një person konsiderohet musliman sapo ai shqipton këtë frazë. Megjithatë, “qenia dëshmitar,” në thelb nuk përbën vetëm një pohim verbal që bëhet vetëm një herë. Të gjithë njerëzit, duke përfshirë edhe muslimanët, nxiten për të mbajtur besimin e tyre të freskët duke rikujtuar vazhdimisht këtë pohim gjatë rrjedhës së jetës së tyre. Kur’ani u bën thirrje muslimanëve të cilët tashmë e kanë deklaruar besimin e tyre dhe e praktikojnë atë, që të mos pushojnë së përpjekuri në r rugën e besimit.

O ju që besuat, besojini vazhdimish t Allahut, të Dërguarit të Tij, Librit që gradualisht ia shpalli të Dërguarit të Tij dhe librit që e pat zbritur më parë. Kush nuk i beson Allahut, engjëjve të Tij, librave të Tij, të dërguarve të Tij dhe botës tjetër, ai ka humbur tepër larg. (Nisa 4:136)

Në të vërtetë, feja nuk konsiston thjesht në një pohim, pranim apo dëshmi. Ashtu sikurse ekzistojnë nivele të panumërta dhe gradë të ndryshme në shfaqjen e diellit, që nga shfaqjet e dritës dhe nxehtësisë së tij në të gjitha sendet në tokë, nën efektin e pasqyrimit të rrezeve në hënë dhe pastaj tek vetvetja, në të njëjtën mënyrë edhe besimi mbart në vetvete nivele dhe shkallë të panumërta, duke filluar që nga perceptimi i thjeshtë i bazuar mbi arsyen dhe pohimin në zemër, e deri tek gradët e depërtimit në të gjitha pjesët dhe degët e trupit që ai kontrollon si dhe shkallët që drejtojnë gjithë jetën e një personi – duke filluar që nga besimi i një njeriu të zakonshëm e deri tek besimi maksimal, karakteristikë e profetëve. Grada apo niveli i parë i fesë, është thjeshtë besimi në themelet e përmendura në ajetin e mësipërm; pastaj vjen zgjerimi gradual i besimit dhe qëndrimi i palëkundur në të. Kjo është arsyeja përse Kur’ani zakonisht urdhëron apo ndalon diçka pas adresimit me fjalët: “O ju që besuat!” Një dëshmi e plotë besimi kërkon bindje ndaj këtyre urdhrave, gjë që i bën ata të jenë më të fortë dhe më në brendësi të besimit.

Besimi në thelb është bindja e zemrës; megjithatë për integrimin e dëshiruar brenda shoqërisë muslimane, është e këshillueshme të deklarohet besimi përpara syve të dëshmitarëve. Kështu, një musliman i ri, përfiton mbështetje dhe ndihmë nga bashkësia në mënyrë që besimi i tij të rritet dhe të stabilizohet.

I Dërguari i Allahut ka thënë: Cilido që dëshmon se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është Robi dhe i Dërguari i Tij dhe se Isai (a.s.) është robi i Allahut dhe i biri i një gruaje e cila ishte shërbëtorja e Tij dhe se ishte fjala e Tij ajo që e ngjizi atë tek Merjemja dhe Ai i dha shpirt, dhe se xheneti është i vërtetë dhe xhehenemi është i vërtetë, Allahu do ta fusë atë në xhenet nga cilado prej dyerve që ai dëshiron (në përputhje me veprat e tij).” 35

Në një rast, Profeti ishte ulur dhe po rrinte në një kopsht. Ai i tha njërit prej sahabeve të tij: “Kur të takosh ndokënd jashtë këtij kopshti i cili dëshmon se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut duke qenë i bindur me zemër për atë që thotë, jepi atij sihariqin e parajsës”36

Në një rast tjetër i Dërguari i Allahut tha: “Allahu ia ka ndaluar zjarrin e xhehenemit cilitdo që thotë ‘Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut’ (La ilahe ilall’llah), duke kërkuar në këtë mënyrë kënaqësinë e Allahut.”37

 



 

Lajme nga Bota

article thumbnailBashkesia Islame e Malit te Zi, nenshkruan marreveshje me qeverine
Pas aktiviteteve intensive në fushën e përcaktimit të marrëdhënieve reciproke në mes të Bashkësisë Islame në Mal të Zi dhe të qeverisë malazeze, më 30.01.2012, në Villa Gorica,...

Opinion

article thumbnail21 vjet rilindje e Komunitetit Mysliman te Shqiperise
Me 23 janar 2012, u mbushën plot 21 vjet nga koha kur institucioni zyrtar i Islamit në Shqipëri, Komuniteti Mysliman, mori formë zyrtare dhe nisi misionin e tij në përhapjen e mesazheve të...