Adhurimet ditore, ose namazet, përbëjnë praktikën qendrore e cila modelon rutinën e përditshme dhe ndërgjegjen e një muslimani. Çdo namaz konsiston në një seri pozicionesh, në të cilat recitohen pjesë nga Kur’ani dhe Allahut i shprehen falenderime gjatë të cilave besimtari lutet. Qëllimi primar i namazeve është të brumosë individin me instiktivin e përkujtimit të Zotit. Zoti thotë në Kur’an:
Fale namazin për të më kujtuar Mua. (Ta-ha 20:14)
Përkujtimi i Allahut e ushqen zemrën. Ai është një mjet efikas për të arritur lumturinë. Allahu thotë:
Ta dini se me të përmendur Allahun, zemrat qetësohen. (Rra’d 14:28)
Kur zemra bie në grackën e lënies pas dore të Allahut, djalli merr kontrollin e saj, mëkatet bëhen tërheqës dhe besimi dobësohet. Ilaçi për këtë është përkujtimi i Allahut.
Ti lexo atë që po të shpallet nga libri (Kur’ani), fal namazin, vërtet namazi largon nga të imoraliteti dhe të shëmtuarat; dhe përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve); Allahu e di se ç’veproni. (Ankebut 29:45)
Muslimanët falen pesë herë në ditë. Falja në kohë të ndryshme i shmang njerëzit nga fokusimi i plotë në nevojat e tyre të çastit që kanë lidhje me këtë botë. Ato përbëjnë një përkujtim për faktin se Allahu është Garantuesi, Mbështetësi dhe Plotësuesi i të gjitha nevojave tona. Namazi është i detyrueshëm për çdo musliman të shëndetshëm i cili ka arritur moshën e pjekurisë. Por është më mirë që fëmijët të nxiten të fillojnë më herët t’i përgatisin zemrat e tyre për të.
Një nga simbolet e Islamit, ezani, është pjesa që përfaqëson thirrjen për në namaz. Duke kënduar vargjet e mëposhtme, muezini i thërret muslimanët në xhami për t’u falur. Ezani përbëhet nga këto fjalë:
Allahu ekber (Zoti është më i Madhi): katër herë
Eshhedu en la ilahe ilallah (dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut): dy herë
Eshhedu enne Muhameden Resulullah (dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Allahut): dy herë
Hajje ales salah (ejani në namaz): dy herë
Hajje alel felah (ejani në shpëtim): dy herë
Allahu ekber (Zoti është më i Madhi): dy herë
La ilahe ilallah (s’ka Zot tjetër përveç Allahut): një herë
Koha e namazit të parë (sabahu), fillon rreth një orë e gjysmë përpara lindjes së diellit. Ai është një moment kur trupi dëshiron të flejë. Për të kapërcyer plogështinë në mënyrë që të ngrihemi dhe të përkujtojmë Krijuesin, nevojitet një luftë kundër egos. Për këtë, shërben me mjaft efikasitet, të stërviturit e vetvetes me anë të nënshtrimit ndaj vullnetit të Allahut. Ky namaz përbëhet prej katër rekateve; grupi i parë i përbërë nga dy rekate quhet namazi sunet dhe grupi tjetër prej dy rekatesh quhet namazi farz (i detyrueshëm).
Koha për namazin e dytë të ditës (dreka), vjen rreth kohës kur një person e ndalon punën për të ngrënë drekë (të paktën për pjesën më të madhe të njerëzve në botë), pikërisht pasi dielli e arrin zenitin e tij. Krahas ushqimit të trupit, çdo njeri duhet të ushqejë edhe shpirtin e tij. Ky namaz përbëhet prej dhjetë rekateve; grupi i parë prej katër rekatesh përbën namazin sunet, i pasuar nga katërshja tjetër që është namazi farz si dhe një grup tjetër prej dy rekatesh që përbën një namaz tjetër sunet.
Namazi i tretë (ikindia), kryhet në mes të kohës ndërmjet mesditës dhe perëndimit të diellit, pak a shumë në momentin kur njerëzit zakonisht janë duke pirë ndonjë kafe apo duke u kthyer në shtëpi nga puna. Ai përbëhet nga tetë rekate; një grup prej katër rekatesh përbën sunetin dhe grupi tjetër prej katër rekatesh përbën namazin farz.
Namazi i katërt (akshami), kryhet në perëndim të diellit, në një kohë kur shumica e njerëzve janë duke ngrënë darkë. Ai përbëhet prej pesë rekatesh. Grupi i parë prej tre rekatesh përbën namazin farz dhe grupi i tjetër prej dy rekatesh, sunetin.
Namazi i pestë (jacia), kryhet në një kohë kur njerëzit janë duke u përgatitur për të fjetur. Ai përbëhet prej dhjetë rekateve; grupi i parë prej katër rekatesh përbën namazin sunet, i pasuar nga një grup prej katër rekatesh që përbën namazin farz, pastaj nga një grup tjetër prej dy rekatesh që përbën një namaz tjetër sunet. Një namaz tjetër shtesë i quajtur vitri falet pas namazit të jacisë. Ai është një namaz vaxhib (i domosdoshëm) dhe përbëhet prej tre rekateve.
Një person i cili dëshiron t’i falë këto namaze, duhet të jetë fizikisht i pastër. Ekzistojnë dy mënyra për t’u konsideruar i pastër në Islam: larja e plotë (gusli) dhe abdesti .
Larja e plotë (gusli)
I gjithë trupi duke përfshirë edhe vrimat e hundës, gojën dhe kokën duhet të lahet krejtësisht përpara se të hyhet në namaz, në këto raste:
• Menjëherë pas rënies në shehadet (d.m.th. pasi një person ka përqafuar Islamin)
• Pas marrëdhënieve seksuale
• Pas derdhjes së spermës
• Pas periudhës së menstruacioneve
• Në fund të periudhës së caktuar për gratë lehona (d.m.th. maksimalisht dyzet ditë pas lindjes)
Është gjithashtu shumë e këshillueshme të merret gusël të paktën një herë në javë nëse nuk ka mundësi për më tepër, veçanërisht përpara namazit të xhumasë dhe të Bajramit.
Si një pjesë e pandarë e çdo akti të adhurimit dhe praktikimit të besimit, është edhe koshienca e plotë në lidhje me qëllimin (nijeti) që duhet bërë në fillim të larjes me qëllim që të përcaktohet se ajo larje po bëhet për arsye pastrimi për adhurim. Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, merrte gusël në këtë mënyrë:
• Merret abdes (njëlloj si për namaz por me një përjashtim: Profeti e shtynte larjen e këmbëve deri në fund të guslit.
• Duhet hedhur ujë mbi kokë tri herë, duke e lënë ujin të depërtojë deri tek rrënjët e flokëve (nëse flokët janë mbledhur në formë gërsheti, nuk ka nevojë që gërsheti të zgjidhet për sa kohë që uji mund t’i lagë krejtësisht ato).
• Duhen larë të dy duart nga tri herë.
• Duhen larë pjesët intime si dhe rrënjët e flokëve.
• Duhet shpëlarë i gjithë trupi duke filluar nga ana e djathtë, pastaj e majta, pastaj nënsqetullat, pjesa e brendshme e veshëve, kërthiza, pjesa e brendshme e gishtave të këmbës dhe çfarëdo pjese tjetër e trupit e cila mund të arrihet lehtë nga uji.
Abdesti
Hapi i parë që duhet hedhur për të falur një namaz, është marrja e abdestit. Ky përbën një akt pastrimi shpirtëror dhe fizik dhe duhet kryer përpara fillimit të namazeve të farze apo atyre sunete.
Abdesti është një procedurë mjaft e thjeshtë dhe kryerja e saj paraqitet në formë të detajuar në tabelën e mëposhtme:
1 Fillohet duke thënë: “Bismil’lahi Rrahmani Rrahim” (Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit)
2 Lahen duart deri tek kyçet tri herë
3 Shpëlahet goja tri herë
4 Shpëlahen vrimat e hundës me ujë tri herë
5 Lahet fytyra nga balli deri tek gusha dhe nga veshi në vesh tri herë
6 Lahen krahët deri mbi bërryla duke filluar nga ana e djathtë tri herë, pastaj përsëritet e njëjta procedurë për anën e majtë
7 Me dorën e lagur fërkohet maja e kokës duke filluar nga pjesa sipër ballit e duke rrëshqitur prapa
8 Me gishtat e lagur, fërkohet pjesa e brendshme dhe e jashtme e veshëve
9 Lahen këmbët deri tek kyçet, duke filluar nga këmba e djathtë
1 Në fund thuhet: “Eshhedu en la ilahe ilallahu vahdehu la sherike leh, ve eshhedu enne Muhameden abduhu ve resuluhu” (Dëshmoj se askush tjetër nuk meriton të adhurohet përveç Allahut të Vetëm e të Pashoq dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij)
p>
Tejemumi – Abdesti simbolik me dheun e pastër
Kjo është një formë pastrimi e cila mund të kryhet në vend të abdestit ose guslit kur mungon uji, në rast se uji është i papastër dhe i rrezikshëm për shëndetin, ose në rast se marrja e abdestit ose guslit do të bënin që ju të humbisni një namaz xhenazeje apo Bajrami (këto namaze nuk mund të zëvendësohen apo të falen më vonë).
Tejemumi merret thjesht duke prekur lehtë me duar dheun e pastër, rërën, ndonjë gur apo mur dhe pastaj duke i fërkuar pëllëmbët me njëra-tjetrën në mënyrë që të shkunden papastërtitë. Pastaj fërkohet fytyra me duar, më pas përsëri preket toka dhe fërkohen krahët deri tek bërrylat duke filluar nga krahu i djathtë.
Kërkesat e Namazit
Ekzistojnë dymbëdhjetë kërkesa që duhen plotësuar në mënyrë që një namaz të konsiderohet i vlefshëm; gjashtë kërkesat e para quhen Kushtet e Namazit dhe ato duhen plotësuar përpara faljes së tij, ndërsa gjashtë të tjerat quhen Shtyllat e Namazit, të cilat duhen plotësuar gjatë faljes së tij.
Kushtet e Namazit
1. Marrja e abdestit
2. Sigurimi që trupi, rrobat dhe zona në të cilën ju do të falni namaz janë të pastra.
3. Të veshurit siç duhet në mënyrë që pjesët e trupit që duhen mbuluar të jenë të mbuluara (burrat duhet të mbulojnë trupin të paktën që nga kërthiza e deri tek gjunjët, ndërsa gratë duhet të mbulojnë gjithë trupin, me përjashtim të fytyrës, duarve dhe këmbëve).
4. Falja e namazit në kohën e duhur (në rast se për ndonjë arsye një person nuk mund ta falë namazin në kohën e caktuar ai mund të falet më vonë).
5. Falja e namazit në drejtim të Kibles (Qabes).
6. Bërja e nijetit për namazin përkatës.
Shtyllat e Namazit
1. Fillimi duke marrë tekbirin fillestar (iftitah) me fjalët “Allahu ekber” (Allahu është më i Madhi)
2. Qëndrimi në këmbë (kijam).
3. Recitimi i pjesëve nga Kur’ani
4. Përkulja dhe vendosja e duarve në gjunjë (ruku)
5. Rënia përdhe (vendosja e fytyrës në tokë duke u gjunjëzuar, sexhde)
6. Qëndrimi i ulur në gjunjë (teshehud).
Falja e namazit – një shembull në dy rekate:
Duke përjashtuar disa ndryshime të vogla, si burrat ashtu edhe gratë e falin namazin në të njëjtën mënyrë. Megjithëse nuk janë të detyrueshme, është e pëlqyeshme të kihen parasysh këto ndryshime të cilat janë theksuar më poshtë.
{Fragmente të ajeteve kur’anore dhe lutjeve të tjera të përmendura në këtë pjesë, janë dhënë në fund të librit.}
• Qëndrojmë në këmbë në një vend të pastër me fytyrë nga Kibla dhe bëjmë nijetin e faljes, duke specifikuar emrin e namazit që duam të falim: “Unë po fal namazin e sunetit në emër të Allahut.” Në qoftë se jemi duke u falur me xhemat, shtojmë edhe “...pas këtij imami.”
• Themi tekbirin fillestar: “Allahu ekber”
Burrat: kur thuhet “Allahu ekber,” ngrihen duart deri tek veshët me pëllëmbët e hapura të drejtuara Kiblës. Pastaj vendosen duart të mbledhura nën kërthizë, e djathta mbi të majtën, duke rrethuar kyçin e dorës së majtë me gishtat e dorës së djathtë. Sytë mbahen të fiksuar në vendin ku do të vihet koka gjatë sexhdes.
Gratë: kur thuhet “Allahu ekber” ngrihen duart në lartësinë e supeve. Bashkohen gishtat, pëllëmbët janë të hapura dhe të drejtuara nga Kibla. Pastaj vendosen duart në kraharor, e djathta mbi të majtën por nuk rrethohet kyçi i dorës së majtë si tek burrat. Gishtat mbahen të bashkuar. Sytë mbahen të fiksuar në vendin ku do të vihet koka gjatë sexhdes.
1. Gjatë qëndrimit në këmbë lexohet Subhaneke dhe Fatihaja (Sureja që hap Kur’anin), e pasuar nga një pjesë tjetër nga Kur’ani (një Sure, ose minimumi tre ajete të një Sureje). Ky lloj recitimi i bërë kur personi qëndron në këmbë quhet kiraet. Ju lutem kini parasysh që në rekatin e parë përpara Fatihasë thuhet “Eudhu bil’lahi minesh shejtani rraxhim, Bismil’lahi Rrahmani Rrahim.”
2. Pas kiraet-it vjen ruku-ja (përkulja). Thuhet “Allahu ekber,” lëshohen duart anash dhe bëhet përkulja.
Burrat: Bëhet një përkulje e plotë. Duhet të sigurohemi që koka dhe shpina të jenë në vijë të drejtë. Duart vendosen mbi gjunjë duke i mbajtur gishtat e hapur.
Gratë: Bëhet një përkulje e lehtë e kokës në mënyrë që shpina të jetë paksa e përkulur, koka duhet mbajtur më lart sesa pjesa e poshtme e kurrizit. Gjunjët duhet të jenë paksa të përthyer. Pastaj vendosen duart mbi gjunjë duke mbajtur gishtat të hapur.
3. Thuhet tre herë “Subhane Rabbije’l Adhim” (Lavdia i takon Zotit Tim, më të Madhit).
4. Pastaj ngrihemi nga rukuja duke thënë “Semi Allahu limen hamideh” (Allahu e dëgjon atë që e falenderon) gjatë ngritjes; duart vihen anash trupit dhe thuhet “Rabbena ve lekel hamd” (Zoti ynë, falenderimi të qoftë Ty).
5. Thuhet “Allahu ekber” dhe pastaj bihet në sexhde. Vendoset koka midis duarve dhe sigurohemi nëse si balli ashtu edhe hunda të kenë prekur tokën. Gishtat e këmbëve duhet të jenë të përthyer në mënyrë që pjesa e poshtme e tyre të jetë e takuar me tokën.
Burrat: Vendosen bërrylat në mënyrë të tillë që ato të mos jenë në kontakt me tokën ose me pjesët e trupit tuaj. Duhet të sigurohemi që thembrat t’i kemi të bashkuara.
Gratë: Vendosen bërrylat në mënyrë të tillë që ato të jenë në kontakt me tokën. Barku duhet të takojë gjunjët.
6. Thuhet “Subhane Rabbije’l A’la” (Lavdia është për Zotin Tim, më të Lartin) tri herë kur vendosim ballin në tokë.
7. Thuhet “Allahu ekber,” ngrihemi nga sexhdja në pozicionin e uljes në gjunjë, presim për një moment dhe themi përsëri “Allahu ekber” dhe bëjmë një sexhde tjetër.
8. Themi “Allahu ekber” dhe ngrihemi për rekatin e dytë.
9. Recitohet “Bismil’lahi Rrahmani Rrahim” dhe Fatihaja, të pasuara nga një pjesë nga Kur’ani dhe përsëriten rukuja dhe sexhdja.
10. Pas sexhdes së dytë qëndrohet në gjunjë. Në varësi të numrit të rekateve në një namaz të caktuar ulja bëhet pas rekatit të dytë, të tretë apo të katërt.
11. Vendosen gishtat e pëllëmbëve mbi gjunjë. Pastaj thuhen lutjet: “Ettehijati,” “Allahumme Sal’li-Barik” dhe “Rabbena”, ndërsa jemi të ulur mbi gjunjë.
Burrat: Këmba e djathtë vendoset vertikalisht, me gishtat e saj të drejtuara nga Kibla.
Gratë: Të dy këmbët kthehen nga e djathta. Kofsha e majtë duhet të prekë tokën.
12. Namazi përfundon duke dhënë një urim paqeje. Kthehet fytyra nga ana e djathtë dhe thuhet “esselamu alejkum ve rahmetullah” (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ju). Pastaj kthehet fytyra nga ana e majtë dhe thuhet e njëjta gjë.

