
Në praktikën njerëzore është bërë traditë pozitive përkujtimi i ngjarjeve të shënuara. Të gjitha këto zhvillohen brenda një shtrirje të caktuar gjeografike, në një afat të veçantë kohor e me një pjesëmarrje të kufizuar njerëzore. Krejt ndryshe ngjet me përkujtimin e lindjes së Profetit Muhamed, që është ngjarje me rëndësi botërore, që përfshin çdo kënd të rruzullit, që intereson masa kolosale popullore, që shkakton situata të përgjithshme gëzimi,shprehje dashurie e ndjenja kënaqësie.

Në kuadër të kësaj dite kujtese, më dt. 4 shkurt 2012, u mbajt në kryeqytet simpoziumi me temë: “Profeti Muhamed a.s. - Shembulli më i bukur”. Në aktivitetin e organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në Hotel Tirana International morën pjesë ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Aldo Bumçi, drejtues të komuniteteve fetare, përfaqësues të trupit diplomatik, emra të njohur jetës kulturore dhe shoqërore, si dhe besimtarë që kishin ardhur nga Tirana dhe nga rrethet për të përkujtuar ditën kur lindi ai, Profeti i Profetëve dhe krijesa më e dashur e Zotit të gjithësisë.

Pas këndimit të disa vargjeve kur’anore nga z. Gazment Teqja (ndihmësmyfti i Tiranës), fjalën e hapjes e mbajti Kryetari i Komunitetit Mysliman, Haxhi Selim Muça. Mes të tjerash z. Muça e cilësoi si të rëndësishme përkujtimin e kësaj dite të shënuar, duke theksuar se ky përkujtim i motivon myslimanët për të shtuar dashurinë, respektin dhe vlerësimin e tyre për të fundmin e profetëve, Muhamedin (a.s.).
“Jeta, fjala dhe vepra e asnjë njeriu tjetër nuk është hulumtuar sa ajo e Profetit Muhamed. Me shpalljen e tij si Profet ndjenjat fituan thellësi, fjalët fituan gjerësi, çdo gjë fitoi kuptim dhe një delikatesë të veçantë. Për këto dhe shumë arsye të tjera ne e përkujtojmë dhe vlerësojmë dhe ndihemi krenarë që e Zoti na krijoi dhe na bëri pasues dhe pjesëtarë të umetit të tij të nderuar.” tha kreu i KMSH-së.

Pas tij, përshëndetje bëri edhe ministri i Kulturës, z. Aldo Bumçi. Në mesazhin e tij për myslimanët z. Bumçi vuri në dukje se kjo ditë është një moment gëzimi e reflektimi për myslimanët e globit, pasi ata kujtojnë lindjen e njeriut jeta dhe shembulli i të cilit shërben si burim frymëzimi dhe udhëzimi për ta, për kalimin e një jete të pastër e të qetë dhe mbi të gjitha në pajtim me urdhëresat e Zotit që ata e duan dhe e adhurojnë.
“Besim do të thotë vlerë. Transmetimi i vlerave ishte në qendër të mesazhit që Profeti kumtoi dhe me të cilat ai deshi të pajiste bashkëqytetarët e tij dhe të gjitha brezat që do të vinin më pas. Jeta shembullore dhe cilësitë e larta morale e humane e kthyen Profetin Muhamed në heroin e mëshirës, humanizmit dhe tolerancës”, mbylli fjalën e tij z. Bumçi.

Në vazhdim nxënësja e Medresesë së Tiranës, Xhana Ahmetaj, recitoi poezinë “Trëndafili i Medinës”, përmes së cilës ajo fali emocion dhe la mbresa tek të pranishmit.
Simpoziumi vazhdoi me kumtesat e përgatitura nga Ali Zaimi (kancelar i KMSH-së), Elvis Naçi (drejtor i Thirrjes në KMSH), Nasuf Hoxha (ndihmësmyfti i Tiranës) dhe Elton Karaj (pedagog në Universitetin Bedër). Në fjalën e tyre, referuesit sollën në vëmendje tiparet dhe cilësitë që karakterizonin Muhamedin a.s. në rolin e tij si prind, bashkëshort, qytetar, drejtues dhe mbi të gjitha si profet i caktuar nga Zoti për orientimin e njeriut dhe për suksesin e shoqërisë njerëzore.
Pas kumtesave që u dëgjuan me interes për të pranishmit u shfaq një material filmik, ku u pasqyrua si një dëshmi e qartë, e gjallë, konkrete dhe e fuqishme jeta e atij njeriu të lartë tek i cili ishin gërshetuar të gjitha mirësitë.
Në mbyllje drejtori i Kulturës në KMSH z. Genti Kruja, moderator i simpoziumit, theksoi se jeta, veprimtari dhe përvoja e Muhamed Mustafasë na shpërbleftë si model e si burim frymëzimi për të kryer detyrat tona si besimtarë e si qytetarë për bashkim e vëllazërim, për tolerancë e mirëkuptim për të mirën e Shqipërisë e të kombit shqiptar .
Një koktej dhe surpriza të shumta të përgatitura për pjesëmarrësit, shoqëruan fundin e këtij organizimi të bukur dhe shumë të dobishëm, për të kaluar më pas në xhaminë Et’hem Beu aty ku u mbajt edhe ceremonia e përvitshme e Mevludit Sherif.


