Kryesia e Komunitetit Mysliman është organ ekzekutiv kolegjial dhe vendimet i merr me shumicë votash, 50+1% e pjesëmarrësve në mbledhje.
Mbledhja e kryesisë zhvillohet detyrimisht me pjesëmarrjen e mbi 2/3 të anëtarëve të saj.
Votimi në Kryesinë e KMSH bëhet i hapur.
Në qoftë se anëtaret nuk paraqiten pas dy lajmerimesh brenda 5 ditesh, kryesia e fillon mbledhjen me pjesemarrjen e më shumë se gjysmës së anëtarëve.
Kryesia e Komunitetit Mysliman përbëhet nga Kryetari, Nënkryetari, Kancelari, Myftiu i Tiranës dhe Drejtorët e Drejtorive.
Kryesia është organ kolegjial dhe vendimet i merr me shumicë votash, me votim të hapur, me praninë e 2/3 të anëtarëve të saj.
Anëtarët e Kryesisë:
1. Skender Bruçaj (Kryetar)
2. Bujar Spahiu (Nënkryetar)
3. Lauren Luli (Nënkryetar)
4. Ylli Cikalleshi (Kancelar)
5. Ylli Gurra (Myfti i Tiranës)
6. Agron Hoxha (Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun dhe Median)
7. Edvin Kuçi (Drejtor i Çështjeve Sociale)
8. Taulant Aruçi (Drejtor i Burimeve Njerëzore)
9. Edison Hoti (Drejtor Vakf-Investimeve dhe Financës)
10. Dorian Demetja (Drejtor i Kulturës dhe Arsimit)
11. Fejzi Shaholli (Drejtor i Marrëdhënieve me Jashtë)
12. Armand Shehu (Drejtori i Rinisë dhe Marrëdhënieve me Xhematin)
KOMPETENCAT E KRYESISË
Kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë mban marrëdhënie dhe bashkëpunon me organet e Shtetit shqiptar, me komunitetet fetare dhe shoqatat Islame, si dhe lidh marrëveshje bashkëpunimi e ndihme me këto organe e organizma shtetërore e fetare, brenda dhe jashtë vendit.
Kryesia e Komunitetit Mysliman ndjek në vazhdimësi çdo ditë punën dhe veprimtarinë e drejtorive, sektorëve dhe myftinive. Organizon ceremonitë fetare dhe pritjet në raste festash fetare dhe vizita të ndryshme që bëhen në Komunitetin Mysliman.
Kryesia i propozon Këshillit të Përgjithshëm për ndryshimin e Statutit, Aktit të Themelimit dhe Rregullores së Brendshme të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Kryesia i propozon Këshillit të Përgjithshëm jo më pak se dy kandidatura për Kryetar të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Përcakton strukturën organizative dhe numrin e punonjësve fetarë e civilë të Komunitetit Mysliman e të Myftinive dhe vendos për ndryshimet në strukturë, organikat, numrin e punonjësve dhe i kalon për miratim në Këshillin e Përgjithshëm në mbledhjen e parë të zakonshme.
Organizon administratën e Komunitetit Mysliman dhe ndjek e kontrollon veprimtarinë e përditshme të saj.
Emëron dhe shkarkon të gjithë nëpunësit fetarë e civilë sipas strukturës organizative dhe organikës në qendër dhe për çdo myftini.
Me propozim të Myftiut, emëron imamë, vaizë, hatibë dhe muezinë.
Cakton pagat për çdo vend pune sipas funksioneve dhe jep shpërblimet.
Vendos për ngritjen e shkollave parauniversitare të të gjitha niveleve, universitare dhe kurseve fetare Islame, në bazë të akteve ligjore e nënligjore në Republikën e Shqipërisë për sistemin arsimor parauniversitar dhe arsimin e lartë.
Vendos për botimin e librave shkollorë e jashtë shkollore fetarë, botimin e revistave fetare, sociale e letrare dhe botime te tjera në gjuhën shqipe dhe të huaj.
Vendos për dërgimin e nxënësve dhe studentëve për studime jashtë shtetit.
Merr në analizë treguesit ekonomik e financiar, problemet e pronave, dhe raportet e kontroll revizionimit, të paraqitura nga drejtoritë përkatëse dhe komisionet e përhershme të Këshillit të Përgjithshëm.
Me propozim të Myftinive të rretheve dhe të Drejtorisë së Vakf-Investimeve, Kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë vendos për ndërtimin e xhamive dhe objekteve të tjera të rëndësishme në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Kryesia për çdo material ose propozim të paraqitur merr vendimin përkatës.
Kryesia e KMSH organizon festa fetare të përbashkëta, takime, simpoziume dhe konferenca fetare me tarikatet e besimit Islam.