
Ambasadori i ri i Hungarisë në Shqipëri z. Janos Huszar, vizitoi sot me dt. 19.01.2012 Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça.
Fillimisht kryetari Muça e njohu ambasadorin hungarez me Komunitetin Mysliman dhe funksionin e tij. Ndërkohë që ambasadori Huszar u interesua të njohë Komunitetin Mysliman, si dhe myslimanët në Shqipëri. Ai tha se, “Nëse nuk njeh vendin nuk mund të punosh. Myslimanët janë forca kryesore në Shqipëri dhe pjesa më e madhe e popullsisë kështu që, nëse nuk kupton apo nuk njeh myslimanët, nuk mund të kuptosh Shqipërinë.”
Gjatë bisedës me diplomatin hungarez z. Muça u shpreh se: “Islami është feja e Zotit, feja e paqes, e bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe afrimit. Formula e tij është e thjeshtë: T’i besosh Zotit, të besosh në profetësinë e Hz. Muhamedit (a.s.) dhe të gjithë profetët e tjerë, t’i përulesh Zotit dhe ta adhurosh.”
Më pas ambasadori hungarez u interesua për marrëdhëniet e Komunitetit Mysliman me qeverinë, si dhe komunitetet e tjera fetare. Në këtë kontekst z. Muça u shpreh se “Në Shqipëri feja është e lirë, sepse ky është edhe thelbi i demokracisë, liria”. Ndërsa në lidhje me marrëdhëniet me komunitetet fetare kryetari Muça nënvizoi se, kurdoherë Shqipëria ka qenë shembulli i paqes, mirëkuptimit dhe tolerancës mes feve dhe komuniteteve fetare, ku KMSH ka luajtur dha vazhdon të luajë një rol vendimtar.
Ambasadori Janos Huszar, i cili shoqërohej nga këshilltari i tij Zoltan Solyom, pasi e falënderoi kreun e KMSH-së për mikpritjen dhe fjalët e ngrohta, i uroi suksese e mbarësi në përmbushjen e misionit të tij fisnik. Ai gjithashtu shprehu dëshirën dhe kënaqësinë për të vizituar institucionet arsimore islame në Shqipëri.
/Drita Islame/

