
Një grup nxënësish të medresesë së Cërrikut, vizituan Komunitetin Mysliman të Shqipërisë ditën e martë, dt. 13.12.2011. Qëllimi i kësaj vizite të organizuar nga drejtori i medresesë z. Tolga Kazan në bashkëpunim me drejtorin e Arsimit pranë KMSH-së, z. Altin Shima, ishte njohja e tyre me institucionin më të lartë drejtues mysliman në vend.
Nxënësit zhvilluan një takim me kryetarin e Komunitetit Mysliman, Haxhi Selim Muça, si dhe me drejtues të tjerë ta lartë të KMSH-së. Kreu Muça falënderoi nxënësit si dhe drejtorin e medresesë për punën e tyre të lartë arsimore, duke përfaqësuar denjësisht medresenë e tyre por edhe myslimanët në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare si në lëndët fetare, ashtu edhe në disiplina të tjera shkencore e shoqërore.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë vlerësoi kontributin dhe gatishmërinë e këtyre nxënësve që krahas mësimeve kanë ndihmuar xhamitë e qarkut të Elbasanit duke kryer rolin e imamit.
Më pas zoti Muça foli për rëndësinë që ka namazi në fenë Islame duke u thënë nxënësve se myslimani i vërtetë dhe i devotshëm kudo që të jetë asnjëherë nuk e lë namazin.
“Zoti i ka krijuar lehtësira njeriut, ndaj edhe namazi nuk është pengesë për askënd, përkundrazi, ai është një ushqim shpirtëror i cili mban gjallë vlerat njerëzore”, theksoi z. Muça, duke shtuar më tej se “kudo që të jeni mos e braktisni namazin. Pavarësisht profesioneve tuaja që do të merrni në të ardhmen, kjo nuk është arsye apo shkak për të lënë pas dore adhurimin ndaj Zotit. Çdo njeri e ka për detyrë të falë namaz dhe të adhurojë Krijuesin e Gjithësisë.”
Më pas drejtori i medresesë z. Kazan, falënderoi kreun Muça për mikpritjen dhe për këshillat e vlefshme që u dha nxënësve, duke shtuar se medreseja do të vazhdojë me këmbëngulje, përpjekjet për të përmbushur sa më mirë misionin e saj.
Nxënësit vizituan gjithashtu edhe ambientet e punës së këtij institucioni. /Drita Islame/

