
Një grup nxënësish të kurseve të Kur’anit nga Puka dhe Fushë-Arrëzi, vizituan sot selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Qëllimi i vizitës së tyre ishte takimi me krerët e lartë të KMSH-së, si dhe njohja nga afër me ambientet e punës të institucionit më të lartë fetar në vend.
Nxënësit e shoqëruar nga Myftiu i Pukës, H. Gëzim Kopani, zhvilluan një takim me kryetarin H. Selim Muça si dhe me drejtues të lartë të KMSH-së.
Kreu i KMSH-së, Haxhi Selim Muça, duke falënderuar nxënësit për vizitën, i njohu ata me strukturat dhe drejtuesit e institucionit. Mes të tjerash z. Muça i këshilloi të rinjtë që në jetën e tyre të kapen fort pas besimit dhe të orientohen nëpërmjet vlerave të moralit dhe edukatës islame.
“Ju falënderoj që keni hyrë në rrugën e drejtë në rrugën e islamit, pasi Islami është paqe, kulturë dhe moral i lartë. Ju duhet të ndiheni të privilegjuar që Zoti ju ka hapur një dritare për të parë botën në një këndvështrim tjetër dhe për t’ju pastruar shpirtërisht”, u shpreh z. Muça.

Më tej ai theksoi dhe i këshilloi nxënësit se detyra dhe përgjegjësia më e madhe dhe më e rëndësishme për ta, është që të mësojnë edhe nënat e tyre të cilat për një arsye a një tjetër nuk kanë patur mundësinë të njihen me madhështinë e fesë Islame.
Të thënët La ilahe il-Allah shtoi H. Selim Muça, është një gjë e madhe, pasi të pranosh dhe njohësh Zotin do të thotë të kuptosh qëllimin për të cilin jeton.
Kryetari gjithashtu kërkoi prej tyre që të shtojnë përpjekjet për të arritur rezultate të larta në mësime, duke shpresuar që në një të ardhme të afërt të arsimohen në medresetë e vendit dhe më pas në Universitetin Bedër, të themeluar para disa muajsh nga Komuniteti Mysliman.
Në përfundim të takimit, Haxhi Selim Muça i uroi nxënësit që të bëhen individë të aftë për veten dhe të dobishëm për familjen, komunitetin dhe shoqërinë.
“Zoti ju pajistë me moral të lartë islam”, përfundoi fjalën e tij kryetari z. Muça.
Në takim ishin të pranishëm edhe nënkryetari i Komunitetit Mysliman H. Bujar Spahiu, Drejtori i Kulturës, z. Genti Kruja, Drejtori i Arsimit, z. Altin Shima, etj.
Më pas nxënësit vizituan nga afër ambientet dhe drejtoritë kryesore në KMSH, për të vijuar më pas vizitën në xhaminë simbol të Et’hem Beut, në Medresenë e Tiranës H. Mahmud Dashi dhe në Universitetin Bedër. /Drita Islame/


