
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka ngushëlluar familjen e të ndjerit Sabri Godo duke shprehur ngushëllimet dhe keqardhjen për humbjen e njeriut dhe politikanit të urtë.
Përfaqësues të Komunitetit Mysliman morën pjesë në ceremoninë e lamtumirës, të zhvilluar në ambientet e parlamentit të Shqipërisë, për nder të politikanit, ku i shprehën ngushëllimet më të sinqerta familjarëve për humbjen e tyre të madhe, duke iu lutur që Zoti ta mëshirojë shpirtin e tij.
Në emër të KMSH-së ka qenë Myftiu i Zonës Tiranë H. Shaban Saliaj, Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm H. Ylli Gurra, drejtori i Burimeve Njerëzore z. Dorian Demetja dhe drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë z. Astrit Zharri.
Krahas familjarëve e të afërme në ceremoninë e lamtumirës, morën pjesë, krerët e shtetit, politikanë nga Shqipëria e Maqedonia, personalitete të letërsisë e medias dhe qytetarë të shumtë.
Politikani dhe themeluesi i Partisë Republikane Sabri Godo, ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare, pas vuajtjes për disa kohë nga një sëmundje në mushkëri. /Drita Islame/


