Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça priti me rastin e Kurban Bajramit krerët e lartë të shtetit, liderët e komuniteteve fetare, përfaqësues të Trupit Diplomatik, të spektrit politik, si dhe njerëz të shquar të shoqërisë shqiptare.

Presidenti Topi i shoqëruar nga zonja e parë, ka uruar thellësisht kryetarin H. Selim Muça dhe përmes tij të gjithë besimtarët në këtë ditë gëzimi e humanizmi. Në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve, Presidenti Topi theksoi se, “Mesazhi im për të gjithë besimet, të kenë harmoni dhe dialog dhe të ndërtojnë vetëm vepra të mira.”
"Uroj të gjithë besimtarët myslimanë dhe të gjithë popullit shqiptar gëzuar festën e Kurban Bajramit. Ashtu siç i thashë edhe kreut të Komuniteti Mysliman Selim Muça për këtë festë kemi edhe këtë ditë të bukur, bashkë me bekimin e Zotit pasi e ka bërë këtë ditë nëntori si verë për të demonstruar atë që simbolizon këtë ditë”, theksoi Topi.
Nga selia e KMSH-së Presidenti Topi deklaroi: “Besimi dhe ndjenja e mirëkuptimit, tolerancës dhe harmonisë njerëzore janë mesazhet e shpresës që të gjithë besimtarët mund të përcjellim në këtë ditë të shënuar në kalendarin islam.”

Në selinë e Komunitetit Mysliman erdhi për të uruar edhe Kryeministri Sali Berisha bashkë me bashkëshorten e tij Liri Berisha. Në fjalën e tij z. Berisha uroi besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.
“Në këtë ditë të shenjtë u dërgoj të gjithë besimtarëve myslimanë dhe gjithë besimtarëve të Zotit, urimet e mia më të përzemërta. Uroj që sakrifica e çdo shqiptari këtë ditë të sakrificës, sakrifica e çdo shqiptari dhe shqiptareje për vete, familjen, shoqërinë dhe Zotin t’i bëhet dritë në rrugë në ndërtimit e të mirës, paqes e të shpresës, të harmonisë dhe të ardhmes. Uroj që kjo ditë t’i gjejë shqiptarët vitin e ardhshëm, më të begatë, më të lirë më të sigurtë, le të lutemi bashkë te Zoti që bajrami që vjen të na gjejë edhe më mirë”, theksoi Berisha, duke shtuar se “sot është dita e hyjnëzimit, e sakrificës nuk është dita e politikës ndaj dhe komentet, lutjet, mendimet e mia shkojnë për Zotin dhe për të gjithë ata që sakrifikojnë për një jetë më të mirë”.
Z. Berisha ka shprehur mirënjohjen për liderët e besimeve në Shqipëri, veçanërisht për z. Muça dhe bashkëpunëtorët e tij, për punën e tyre të madhe në edukimin dhe formimin e njerëzve në përputhje me të vërtetat e besimit dhe për mesazhet e shkëlqyera që përcjellin në emër të paqes dhe harmonisë ndërmjet besimeve dhe në masat e gjera.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli, Ministri i Kulturës, z. Aldo Bumçi, morën pjesë në gëzimin e kësaj feste duke shprehur urimet e tyre më të përzemërta për institucionin dhe besimtarët.
Kryeparlamentarja Topalli ka uruar edhe të gjithë besimtarët me rastin e festës së Kurban Bajramit. “Gëzuar për shumë vjet Kurban Bajramin. Kjo është një festë e bukur, ashtu si edhe dita e sotme dhe bazohet tek sakrifica dhe qëndrimi ndaj sakrificës na bën që ta shohim me optimizëm të ardhmen”, ka shtuar Topalli.
Gjithashtu në KMSH ishin të pranishëm edhe Ministri i Arsimit dhe i Shkencës z. Myqerem Tafaj, i cili pasi uroi Kurban Bajramin ka vlerësuar rolin dhe kontributin e lartë të medreseve në arsimin shqiptar.

Kisha Orthodhokse Autoqefale nëpërmjet At Andonit transmetoi urimet e festës së Bajramit të Madh. Përfaqësuesi i saj shprehu vlerësim për institucionin dhe konsideratë të lartë për sakrificën e besimtarëve në muajin e sinqeritetit dhe devotshmërisë.

Ndërsa nga Kisha Katolike ka ardhur për të uruar festën e Bajramit edhe kreu i saj Rrok Mirdita, i cili i ka transmetuar kryetarit H. Selim Muça urimet e tij, duke i thënë se e ka përcjellë faljen e Bajramit e zhvilluar në Tiranë.

Mesazhe të sinqerta e vëllazërore në kremtimin e kësaj dite përcollën edhe Kryegjyshi Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, si dhe drejtuesit e tarikateve Halvetij, Kaderij dhe Rifaij.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha në mesazhin e tij të urimit drejtuar kryetarit vlerësoi kontributin e myslimanëve në shoqërinë shqiptare, si dhe dha sihariqin që në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak do të caktohet komisioni për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë.

Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, në emër të qeverisë dhe popullit amerikan transmetoi urimet e festës dhe u lut për sukses e mbarësi për myslimanët dhe të gjithë shqiptarët. Ndër të tjera Arvizu u interesua për haxhinjtë shqiptarë e kosovarë, si dhe për historikun haxhit në Shqipëri. Kreu i Myslimanëve z. Muça i shpjegoi sesi kishte nisur haxhi për herë të parë pas komunizmit në vitin 1991, si edhe për zhvillimin e haxhit plot sakrifica në kohën përpara së në Shqipëri të vendosej regjimi diktatorial.

Gjithashtu ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth, si dhe ambasadori i Bashkimit Europian Etore Sequi, kanë uruar z. Muça dhe gjithë shqiptarët për këtë festë të paqes dhe unitetit.
Përfaqësuesit e opozitës, Valentina Leskaj dhe Blendi Klosi i kanë uruar myslimanët në këtë ditë të madhe, në emër të Partisë Socialiste.

Urime të përzemërta përcollën edhe përfaqësitë diplomatike të huaja dhe ato të vendeve myslimane të akredituara në Tiranë.
Në selinë e KMSH gjatë gjithë ditës kanë ardhur për të uruar grupe të shumtë besimtarësh, të cilët kanë dashur të gëzojnë dhe festojnë me drejtuesit e KMSH-së për arritjet e përbashkëta në shërbim të Zotit dhe me frymë të thellë vëllazërore ta falënderojnë Atë për ndihmën e Tij.

