
Një përfaqësi e Komunitetit Mysliman e kryesuar nga Kryetari H. Selim Muça është pritur ditën e enjte me dt. 06.10.2011 në një takim nga Kryebashkiaku i Tiranës, z. Lulzim Basha. Pasi e falënderoi për pritjen dhe e uroi përzemërsisht për detyrën e tij fisnike në shërbim të komunitetit kryeqytetas, z. Muça e njohu z. Basha me vendimin e institucionit për shfrytëzimin e hapësirës së Namazgjasë për ndërtimin e xhamisë së re të Tiranës. Po ashtu, z. Muça i kërkoi z. Basha shpejtimin e procedurave me qëllim që ky objekt të realizohet sa më shpejt dhe të vihet në shërbim të besimtarëve.
Nga ana e tij, z. Basha falënderoi përzemërsisht z. Muça dhe stafin e tij dhe premtoi se do të bëjë të gjitha përpjekjet që kjo çështje të marrë zgjidhje sa më shpejt në plotësim të kërkesës së myslimanëve të Tiranës për një objekt kulti të dimensioneve bashkëkohore.
Z. Basha shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e institucionit që ai drejton në ndihmë të projektit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Mbështetjen e tij për projektin e xhamisë në zonën e Namazgjasë z. Basha e ka pohuar edhe në emisionin “Opinion” të po asaj dite, të gazetarit Blendi Fevziu, në të cilin u shpreh: “Sot kam pritur në zyrë një përfaqësi të Komunitetit Mysliman që më njohën me një vendim të Këshillit të Përgjithshëm të këtij komuniteti për të kërkuar hapësirën e Namazgjasë, që është rikthyer pas shumë kohësh në pronësi të Komunitetit Mysliman dhe për të kërkuar bashkëpunimin e bashkisë për të ndërtuar aty xhaminë e madhe të Tiranës. Personalisht mendoj se ky është një vendim i drejtë dhe unë e mbështes këtë vendim”.

