
Në një atmosferë të ngrohtë e vëllazërore me dt. 21 shtator 2011 u zhvillua ceremonia e inaugurimit të xhamisë së re në Dukagjin të Kukësit. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë Kryetari i KMSH-së H. Selim Muça, nënkryetari Bujar Spahiu, kancelari Ali Zaimi, kryetari i Bashkisë Kukës, z. Hasan Halilaj, myftiu i Kukësit Islam Hoxha, banorë dhe besimtarë të shumtë.
Pas prerjes së shiritit të inaugurimit nga Kryetari Muça dhe financuesi Kadri Morina, u bënë përshëndetjet e rastit për të pranishmit.
Kryetari i Komunitetit të Mysliman, duke përmendur thënien e njohur profetike “Atij që ndërton një xhami, Zoti i ndërton një shtëpi në Xhenet”, shprehu vlerësimin personal dhe mirënjohjen institucionit për z. Kadri Morina, i cili, i shtyrë nga dashuria për Zotin dhe respekti për besimtarët, sakrifikoi një pjesë të pasurisë së tij për ngritjen e këtij institucioni të rëndësishëm, i cili do të shërbejë si vatër adhurimi e edukimi.
Nënkryetari i KMSH-së, z. Bujar Spahiu, i cili e mori fjalën më pas, tha se ngritja e një xhamie është një investim me rëndësi jo vetëm për besimtarët, por edhe për komunitetin e zonës. “Xhamia në gjithë historikun e saj ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën e besimtarit dhe komunitetit. Ajo ka shërbyer jo vetëm si vend adhurimi, por edhe si institucion ku janë kultivuar vlerat më të mira morale e njerëzore”, u shpreh z. Spahiu.

Ceremoninë e përshëndeti edhe kryebashkiaku i Kukësit, z. Hasan Halilaj. Në cilësinë e drejtuesit vendor, z. Halilaj falënderoi Komunitetin Mysliman, donatorin si dhe të gjithë ata që kontribuan në ngritjen e kësaj godine të këndshme dhe aq të nevojshme për besimtarët. Sipas tij, kjo godinë e hijshme, ndërtuar në përshtatje me standardet e kohës, merr vlera të jashtëzakonshme për faktin se ngrihet në të njëjtën hapësirë ku dikur shtrihej xhamia e vjetër e fshatit.
Më pas, besimtarët, të gëzuar e të emocionuar për arritjen e kësaj dite të bardhë, falën namazin e drekës nën drejtimin e Kryetarit H. Selim Muça. Të bashkuar në adhurim ata iu drejtuan Zotit me lavde dhe falënderime për kujdesin dhe begatitë e Tij të panumërta.


