
Kështu edhe besimtarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë në qytete e në fshatra u përfshinë në gëzimin botëror islam. Ceremonia festive e ditës së Bajramit, që shënon mbylljen e muajit Ramazan, u organizua në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Morën pjesë dhjetëra mijëra besimtarë e besimtare të moshave e shtresave të ndryshme sociale, kulturore e arsimore.

Ceremonia filloi me këndimin e një pjese nga Kur’ani i shenjtë kënduar nga imami i xhamisë "Et’hem Bej", teologu Elton Karaj. Më pas, bisedën që i parapriu faljes së Bajramit e mbajti nënkryetari i Komunitetit Mysliman, z. Bujar Spahiu. Fillimisht z. Spahiu falënderoi Allahun e Madhëruar që bëri të mundur këtë atmosferë të lartë shpirtërore, në përkujtimin e kësaj dite të gëzueshme për të gjithë myslimanët e botës. Ai u ndal më tej në rëndësinë e kësaj feste në të cilën manifestohet dashuria dhe bindja ndaj Zotit dhe respekti e vlerësimi për krijesat e tij.

“Në këtë ditë të shënuar ne përcjellim Ramazanin, muajin e vlerave hyjnore dhe njerëzore, i cili vjen për t’i kujtuar të gjithëve dashurinë dhe respektin për njëri-tjetrin. Në këtë ditë afrohen zemrat, harrohen urrejtjet, njerëzit takohen pas ndarjeve, pajtohen pas mosmarrëveshjeve, shtrihet dora e pajtimit me dashuri dhe vëllazërim”, tha nënkryetari Spahiu.
Duke porositur myslimanët që në jetën e tyre të udhëhiqen nga mësimet e larta islame, z. Spahiu iu lut Allahut të Madhëruar për mbarësi, begati e paqe për ta dhe familjet e tyre.
Ceremonia vijoi me një program të pasur me tekbire, salavate, ilahi dhe recitime vargjesh të zgjedhura poetike.

Para faljes së bajramit, kryetari i Komunitetit Mysliman, Haxhi Selim Muça uroi edhe ai besimtarët në këtë ditë triumfi. Mes të tjerash ai u shpreh: “Fitër Bajrami apo Bajrami i Madh është triumf i individit ndaj tundimeve të së keqes, është ditë e harmonisë, respektit dhe vëllazërimit ndaj njëri-tjetrit. Kjo është ditë lutjesh e falënderimi për mundësitë që Zoti (xh.sh.) i dha agjëruesit për ta kurorëzuar me sukses. Në këtë ditë, myslimanët peshojnë veprat që kanë bërë gjatë Ramazanit dhe sa kanë përfituar nga mundësitë e panumërta të këtij muaji vlerashumë”.
Pas faljes së Bajramit drejtuar nga kryetari i KMSH-së H. Selim Muça, besimtarët kanë dëgjuar predikimin e kësaj dite të shënuar, të mbajtur nga Myftiu i Tiranës, Hafiz Shaban Saliaj.

Ai e nisi predikimin e kësaj dite të madhe me këto fjalë:
“Allahu Ekber, Zoti është më i Madhi dhe vetëm për Të janë lavdërimet.
Allahu Ekber, derisa të ketë zëra për t’u ngritur për madhërimin e Tij.
Allahu Ekber, që të hapen dyert e qiejve me mëshirën e Tij në këtë mëngjes të bekuar!
Allahu Ekber, derisa të jemi ne në këtë botë dhe zbresin bekimet e Tij mbi ne!
Allahu Ekber, derisa të vazhdojnë zemrat e besimtarëve të bashkuara në këtë ditë të bekuar!
Allahu Ekber, përderisa të vazhdojnë të bashkëpunojnë besimtarët, të mbahen premtimet dhe të zbuten zemrat!
Allahu Ekber, pa u ndërprerë, lëvduar qoftë gjithmonë i Madhi Zot, u përmendtë Emri i Tij mëngjes e mbrëmje!”
Më pas ai uroi myslimanët për arritjen e kësaj dite, të cilën e cilësoi si festën e fitoreve.
“Kjo ditë është një prej ditëve të bekuara nga i Madhi Zot. U mblodhët në këtë mëngjes të pastër, në shpirt e në trup, pasi falënderuar qoftë i Madhi Zot, kryet agjërimin gjatë muajit që kaloi. Tani në këtë mëngjes ngrini duart dhe prisni shpërblimin nga Zoti.

Urime pra, për ju, që kryet detyrën dhe për shpërblimin e madh që ju pret e për kënaqësinë e Zotit që fituat”.
Ndërsa më poshtë z. Saliaj tha: “Çdo njeri kur synon një qëllim dhe ia arrin atij celebron, po ashtu bën kur një njeri përfundon në rregull një vepër të vështirë që i është ngarkuar: kur mbarojmë studimet e larta ose marrim ndonjë vlerësim e kremtojmë këtë ditë për suksesin që korrëm. Kështu bëjmë pra, edhe në ditën e Bajramit. E kremtojmë që e përmbushëm urdhrin e Zotit, por këtë kremtim nuk e bëjmë vetëm, jemi të urdhëruar që në këtë festë t’u lehtësojmë vështirësitë atyre që kanë nevojë duke iu dhënë Sadaka-i Fitrin, që edhe ata të gëzojnë bashkë me ne Bajramin”.
Duke e mbyllur Myftiu i Tiranës iu drejtua besimtarëve me këto fjalë: “Ju drejtohem me urimet më të mira dhe lus Krijuesin e gjithësisë për lumturinë dhe begatinë tuaj në çdo hap të jetës”.
Pas këtyre fjalëve të ngrohta e vëllazërore besimtarët u shpërndanë të gëzuar duke marrë me vete kënaqësinë dhe me shpresë se kanë marrë me vete edhe bekimin e Zotit të Madhëruar. Lutja që dëgjohej më dendur në këtë mëngjes mëshire ishte: “Zoti ynë! Pranoje agjërimin dhe faljen tonë, na dhuro mirësi në këtë botë dhe në botën tjetër.”
Segmenti i bulevardit “Dëshmorët e Kombit” sot ishte mbushur shumë më tepër se vitin e kaluar. Ai bulevard nuk kishte njohur aq shumë mysafirë. Ai kishte njohur vetëm protestat, mitingjet politike, por ditën e fitoreve mijëra besimtarë të Tiranës, pa ftesa, me vullnetin e tyre erdhën për të dëshmuar para Allahut Fuqiplotë përkushtimin, përulësinë dhe bindjen e tyre. Pjesëmarrja e madhe e tyre tregoi edhe një herë se sa e nevojshme mbetet ndërtimi i një xhamie të re sipas nevojave të komunitetit dhe në përputhje me ambicien e Tiranës si kryeqendër e vendit.
Festa e Bajramit të Madh është kremtuar edhe në qytetet e tjera të vendit, ku në sheshet përkatëse është kryer dhe rituali i faljes. Gëzim dhe emocione të shumta me rastin e kësaj dite kanë përjetuar edhe shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi.


