
“Me syrin e zemrës” vijon transmetimin e tij të përditshëm në Radio-televizionin “Ora News”, duke u bërë kështu një shoqërues i pandarë për myslimanët dhe qytetarët shqiptarë në këtë muaj begatie e mirësie.
Emisioni i dt. 16 gusht ka sjellë në studio nënkryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Gazmend Aga dhe z. Demirel Bojaxhiu. Tema “Zekati” ishte në fokusin e bashkëbisedimit të moderatorit Ramadan Çipuri me të ftuarit e radhës.
Z. Aga pasi bëri një përkufizim të zekatit si shtyllë e fesë, sqaroi se ky rit ka qenë i njohur edhe në kulturat e tjera religjioze. Ndër të tjera, ai theksoi se besimi plotësohet dhe merr formë nëpërmjet zbatimit të kësaj skeme tepër të rëndësishme sociale që siguron të mira për individin që e jep, por edhe për shoqërinë ku jepet.
Ndërsa z. Bojaxhiu, me gjuhën e specialistit të ekonomisë, shpjegoi se dhënia e zekatit krijon një çlirim të ekonomisë në treg, duke mbjellë optimizëm tek njerëzit. Krahas vlerave humane, sipas tij, zekati përbën edhe një plus të mirëqenies njerëzore.
Në vijim z. Aga përmendi se adhurimet në Islam janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Në Kur’an vërehet se namazi vjen gjithmonë i përmendur paralelisht me zekatin. Kjo do të thotë se të gjitha obligimet që Zoti vendosi për njeriun janë të ndërthurura me jetën e tij dhe sigurisht në dobi dhe në interes të së mirës së përgjithshme.
Gjatë bisedës është folur edhe për sadakanë e fitrit, e cila i paraprin festës së Bajramit. Edhe pse në sasi më të vogël sesa zekati, sipas të ftuarve, ajo ka efektet e saj. Kështu, edhe pse Zoti ka obliguar zekatin për të pasurit, ai u ka dhënë mundësinë edhe atyre me të ardhura mesatare që të ndihen të dobishëm në kontributin e tyre për shoqërinë.
Në fund, z. Gazmend Aga dhe z. Demirel Bojaxhiu u bënë thirrje myslimanëve që të japin në emër dhe për hir të Zotit, duke synuar bashkimin e zemrave dhe shkrirjen e akujve mes shtresave shoqërore.
Ditën vijuese, dy të ftuarit e moderatorit z. Ramadan Çipuri ishin z. Dorian Demetja dhe z. Nasuf Hoxha me temën “Morali dhe besimi”. Në pikëpamje teologjike ata trajtuan e shpjeguan me qartësi vlerat dhe rëndësinë e moralit islam, si cilësi e profetëve dhe njerëzve të ruajtur e të dashur të Zotit.

Duke i ilustruar fjalët e tyre me argumente nga Kur’ani dhe thëniet e Profetit Muhamed (a.s.), i cili përfaqëson gradën më të lartë të moralit, teologët theksuan se pikërisht besimi i shoqëruar me moral garanton lumturinë e njeriut në të dy jetët.
Në këtë kontekst, shpjegimet e tyre ishin një trupëzim i porosive plot urtësi të Kur’anit dhe përcaktimeve profetike me vlera mbi moralin.
“Drejtësia në shoqëri” ka qenë një temë tjetër e diskutuar në emisionin “Me syrin e zemrës”. Të ftuar në emisionin e radhës ishin Prof. Dr. Gjergj Sinani dhe Redin Quku, shef i departamentit të filozofisë në Universitetin e Tiranës, ndërsa i dyti myfti i Durrësit.

Prof. Sinani për drejtësinë u shpreh se ajo ka qenë dhe mbetet tema më e diskutuar. Duke u fokusuar në përkufizimin që filozofët e vjetër dhe korifenjtë e dijes kanë dhënë për drejtësinë, z. Sinani tha se drejtësia është harmonia e shpirtit, apo thënë ndryshe, balanca që vendoset mes trupit dhe shpirtit.
Ndërsa teologu Quku erdhi me konkluzionin se drejtësia konsiston në atë që atë t’i japësh gjithkujt atë që meriton. Myftiu në këtë kontekst citoi ajetin e Kur’anit ku Zoti urdhëron për drejtësi, mirësi dhe ndërtim të raporteve të drejta me njerëzit, dhe ndalon nga ato që arsyeja e shëndoshë i gjykon si veprime të padrejta e të pamoralshme.
Gjatë bisedës së gjallë në studio, të ftuarit dhanë shpjegime të qarta dhe për mënyrën se si ndikon besimi në raport me drejtësinë. Prof. Sinani theksoi se besimi ndihmon në vendosjen e drejtësisë nga njerëzit, sepse ai ka ngarkesë të madhe emocionale dhe ndikon në lartësinë e madhe të ndërgjegjes. Por kjo, sipas tij, varet direkt nga aktorët që realizojnë besimin, njerëzit e fesë, pasi ata janë që ndikojnë në harmoninë e shoqërisë.
Ndërkaq, z. Quku për të njëjtën pikë sqaroi se njeriu me besim është në luftë të përhershme me padrejtësinë. Limitet e kësaj lufte i ka përcaktuar Profeti i Islamit, Muhamedi (a.s.), i cili na porosit që ndaj të keqes të reagojmë me të gjitha mënyrat me qëllim që ajo të largohet e të neutralizohet.
Një pikë diskutimi me interes ishte se, është më lehtë të jesh i mirë apo i drejtë. Për këtë pikë dy specialistët kanë ndarë të njëjtin mendim duke pohuar se “drejtësia dhe mirësia janë në një marrëdhënie të ngushtë. Kur ato harmonizohen shoqëria ndërton institucione të drejta që ndihmojnë që njeriu të ngritet moralisht dhe shpirtërisht”.
Temë tjetër e diskutuar gjatë javës së tretë të Ramazanit ishte “Arkitektura Islame në Shqipëri”. Për të folur mbi këtë fushë ishte ftuar specialisti i monumenteve të kulturës, Dr. Sulejman Dashi.

Në një bashkëbisedim të këndshëm me moderatorin e programit, z. Dashi ka treguar se në shek. XV-XVIII, në territorin e Shqipërisë u zhvilluan gjini të ndryshme të arkitekturës, duke filluar që nga ndërtimet me karakter mbrojtës, ndërtimet shoqërore dhe ato të kultit islam.
Xhamitë e para, në vlerësimin e z. Dashi, ishin të thjeshta si ndërtesa dhe mbuloheshin me çati druri. Por duke filluar që nga vitet e fundit të shek. XV kristalizohet një arkitekturë e mirëfilltë në ndërtimin e xhamive.
Mes të tjerash, z. Dashi theksoi se për vlerat e tyre arkitektonike dhe dekorative dallohen xhamia e Mirahorit 1496 (Korçë), Xhamia e Plumbit 1553-1554 (Berat), xhamia e Muradijes, shek. XVI (Vlorë), xhamia e Ethem Beut 1794 (Tiranë), Xhamia e Plumbit 1773-1774 (Shkodër), xhamia e Daut Pashës 1605 (Prizren), Xhamia Mbret fundi i shek XV (Elbasan), xhamia e Nazireshtës 1600 (Elbasan), xhamia e Gjin Aleksit shek. XV (Delvinë), xhamia e Allajbegisë shek. XVI (Peshkopi), Xhamia e Beqarëve shek. XVIII (Berat), kompleksi i Xhamisë dhe i Sahatit në Peqin 1820 etj.
Faltorja më e hershme islame, bazuar në dëshmitë e kohës, e diktuar deri më tani i takon të jetë pikërisht në qytetin e Beratit, pranë akropolit të kalasë, e quajtur Xhamia e Kuqe.
Me aftësinë e tij bindëse dhe fjalët tërheqëse, z. Dashi bëri të qartë se arkitektura islame luajti një rol të rëndësishëm në urbanizimin e vendit. Vetë ai u shpreh se “xhamitë ishin qendrat kryesore të qyteteve dhe shquheshin për bukurinë dhe stilin e tyre arkitektonik. Për fat të keq, shumë prej tyre u prishën, ndërsa ato që mbetën i shpëtuan barbarisë komuniste vetëm se përfaqësonin vlera unike të kompozimit monumental”.
Z. Dashi ka përmendur disa nga emrat më të njohur të arkitekturës islame. Në mesin e tyre ai veçoi arkitekt Sinanin dhe Imam Kasemin, të dy me origjinë shqiptare, të cilët përbënin elitën e shkollës së arkitekturës së krijuar në Stamboll dhe që u dalluan për ndërthurjen e klasikes dhe modernes në veprat e tyre monumentale.
Sipas studiuesit Dashi, edhe pse kanë mbetur fare pak nga ato pasuri monumentale, xhamitë e vjetra, si përfaqësuese të arkitekturës islame në Shqipëri, gjithsesi, mbeten ende tërheqëse për vizitorët e shumtë të huaj e shqiptarë.
Një tjetër bisedë interesante ishte ajo e zhvilluar me 20 gusht, me temë “Profetët, shembuj të njerëzimit”.
Në bashkëbisedimin e tyre me drejtuesin e emisionit, teologët Ferid Piku dhe Ahmed Kalaja, nënvizuan se Profetët janë të dërguarit e Zotit. E vërteta është se ata ishin krijesa njerëzore, por të veçuar me shpallje hyjnore nga Zoti i Gjithëfuqishëm. Ata ishin nga njerëzit dhe misioni i tyre ishte i qartë për t’i udhëzuar dhe afruar njerëzit me Zotin e tyre.

Në vijim të komenteve të tyre, zotërinjtë e nderuar, qartësuan se Zoti zgjodhi si profetë njerëzit më të edukuar dhe më të moralshëm. Gjatë gjithë jetës së tyre ata i ftuan njerëzit në moralin e bukur dhe në edukatën njerëzore, por ishin edhe vetë në gradën më të lartë të edukatës dhe moralit.
Në këtë kontekst teologët përmendën shembullin e disa profetëve të njohur duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek shembulli i Hz. Muhamedit (a.s.), i cili u dërgua si përmbyllës i të gjitha shpalljeve dhe të cilit iu besua udhëzimi i njerëzimit mbarë.
Duke shfrytëzuar këtë mundësi teologët theksuan me forcë se sot, në kohën kur njerëzit po humbin shumë nga vlerat e dikurshme dhe po e shikojnë njëri-tjetrin vetëm në këndvështrimin e interesit dhe përfitimit, po sillen ndaj njëri-tjetrit me të gjitha llojet e padrejtësive dhe mashtrimeve, për të arritur në këto vlera njerëzore shembulli më i mirë janë të dërguarit e Zotit dhe ndjekja e mësimeve të tyre.
“Sa nevojë kemi sot për të qenë larg padrejtësive, larg të bërit keq ndaj të tjerëve, sa nevojë kemi gjithsecili prej nesh për të jetuar me paqen dhe kënaqësinë që jetuan profetët e Zotit të madhërishëm”, ishte mesazhi i të ftuarve për qytetarët shqiptarë.
Pothuajse çdo emision ka pasur në brendësi inserte në lidhje me temën, poezi dhe ilahi, të cilat, padyshim, i kanë dhënë programit më tepër ngjyra dhe e kanë bërë më atraktiv në sytë e publikut.
Cikli i emisioneve “Me syrin e zemrës” do të vazhdojë me trajtimin e temave të tjera çdo ditë deri në përfundim të Ramazanit. Deri atëherë surpriza të tjera ju presin. Prandaj na ndiqni çdo ditë (drejtpërsëdrejti) në RTV Ora News në orën 19.00, si dhe në faqen e internetit www.ora-news.com në kohë reale.

