
Emisioni “Me syrin e zemrës” vijon transmetimet e tij maratonë në radiotelevizionin Ora News me tema interesante dhe të ftuar të spikatur në pjesën e mbetur të muajit të adhurimit dhe amnistisë hyjnore.
Seria e emisioneve “Me syrin e zemrës” ka vijuar të mërkurën e dt. 12 gusht me temën “Intelektualët besimtarë dhe Shqipëria”. Të ftuar ishin historianët Agim Bardhi dhe Hasan Bello, të cilët u përpoqën të jepnin një panoramë përmbledhëse të kontributit të klerit mysliman në dobi të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Z. Agim Bardhi, njohës i mirës i kësaj periudhe, theksoi se kontributi i klerit mysliman është i gjithanshëm. Ai përfshin periudha të rëndësishme duke filluar që me Lidhjen e Prizrenit, mbledhja e së cilës u bë në xhaminë Bajrakli, për të vazhduar me Kongresin e Manastirit e deri tek përpjekjet e vazhdueshme që sollën si rezultat mëvetësinë e Shqipërisë në vitin 1912.
Ndër figurat e klerit mysliman z. Bardhi veçoi Haxhi Vehbi Dibrën, pjesëmarrës aktiv dhe nënshkrues i aktit të Pavarësisë. Si një figurë e plotësuar intelektuale ai do të zgjidhej kryetar i Senatit të qeverisë së formuar nga Ismail Qemali dhe më vonë do t’i besohej posti i Kryetarit të parë të Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Ndërsa studiuesi i pasionuar, doktorant në histori, Ma. Hasan Bello, konkludoi se kontributi i klerit mysliman për vetë situatën dhe rrethanat të cilat kalonte vendi, ishte me rëndësi jetike. Z. Bello përmendi Hafiz Ali Korçën, Hafiz Ibrahim Dalliun etj, dy figura qendrore të asaj periudhe, të cilët dhanë një ndihmesë të çmuar për zhvillimin e arsimit, kulturës dhe për çështjen kombëtare në tërësi.
Një pikë tjetër interesante e bisedës ishte periudha e komunizmit në Shqipëri. Të ftuarit kujtuan se i pari intelektual që i shpalli luftë komunizmit ishte Hafiz Ali Korça me librin e tij “Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit”, ku autori tregon thelbin e komunizmit duke argumentuar se ai godet jo vetëm trupin por dhe shpirtin e njerëzve.
Në vazhdim u theksua se qysh para çlirimit, komunistët ekzekutuan një numër të konsiderueshëm intelektualësh, ekzistencën e të cilëve e shihnin si rrezik permanent. Disa vite më pas ata dolën me parullën se feja është faktor denigrues për individin dhe shoqërinë dhe se shkaku i prapambetjes kombëtare janë fetë dhe faktorë kryesorë klerikët.
Sipas historianëve myslimanë, lufta ndaj klerit vazhdoi edhe në burgje. Edhe aty fanatikët e regjimit kërkonin t’i provokonin. Në një qeli fusnin hoxhën dhe priftin, duke dashur të krijojnë idenë e konfliktit midis përfaqësuesve të fesë. Por këtë nuk e arritën kurrë. Kjo sepse sikur klerikët të kishin qenë në konflikt me njëri-tjetrin kjo gjë do të ishte pasqyruar edhe më poshtë.
Gjatë emisionit u transmetua një insert i shkurtër, në të cilin z. Ali Basha, studiues i historisë së Islamit në Shqipëri, tregoi për përpjekjet e vazhdueshme të inteligjencës myslimane në dobi të çështjes kombëtare.
Mes të tjerash ai u shpreh se krahas klerikëve në atë kohë ekzistonte edhe një numër i madh figurash intelektuale që kontribuan në interes të çështjes shqiptare. Ata mbanin poste drejtuese në shtet dhe ishin anëtarë të këshillit të përgjithshëm të Komunitetit Mysliman, i cili në atë kohë numëronte disa ministra dhe deputetë të Parlamentit shqiptar.

Nata vijuese solli para teleshikuesve shqiptarë Myftiun e Shkodrës, z. Muhamed Sytari dhe ndihmësmyftiun e Tiranës, z. Gazmend Teqja. Moderatori Ramadan Çipuri diskutoi me ta temën e Haxhit.
Në lidhje me vlerat dhe rëndësinë e këtij adhurimi që plotëson godinën e fesë, z. Sytari u shpreh se: “Haxhi është tablo e gjallë e vëllazërisë dhe barazisë mes njerëzve. Arsyeja e obligimit të tij është demonstrimi i besimit dhe ndjenjës së dashurisë për Zotin e Lartë.”
Sipas myftiut, Zoti e obligoi haxhin një herë në jetën e personit pa vendosur për kohën. E veçanta e këtij adhurimi është se Zoti e obligoi por nuk e llogarit nëse nuk kryhet.
Ndërsa teologu Teqja, duke u fokusuar në përjetimin që sjell për njeriun ky ritual i rëndësishëm, pohoi se ai që shkon në haxh jeton me shpirt dhe jo me trup. Pikërisht në vizitën që i bën atyre vendeve, njeriu kujton sakrificën e Profetit (a.s.) dhe shokëve të tij në përpjekjet e tyre për udhëzimin dhe orientimin e njerëzve në rrugën e besimit dhe virtytit.
Teologu Teqja përmendi gjithashtu lidhjen që ekziston mes adhurimeve islame. Duke qenë në muajin e agjërimit, z. Teqja foli për lidhjen organike që agjërimi ka me haxhin.
Sipas tij, lidhja mes tyre qëndron në faktin se të dy kanë si qëllim final devotshmërinë e njeriut dhe forcimin e karakterit dhe moralit. Element tjetër unifikues është se që të dy Zoti i bekon me dy festa, që janë: Bajrami i Ramazanit dhe Bajrami i Kurbanit.
Duke dashur ta bëjnë më të prekshëm këtë rit me vlera të shumta morale, sociale shpirtërore, të ftuarit kanë ndarë me teleshikuesin eksperiencën e tyre të haxhit.
Imam Sytari theksoi se besimtari, i gjendur nën një veshje me ata miliona njerëz, ndjen se është në kufirin e një lidhjeje që nuk këputet me Allahun (xh.sh.).
Duke kujtuar me nostalgji eksperiencën e tij si vizitor i vendeve të shenjta, z. Sytari solli në vëmendje edhe një fakt tjetër. Sipas tij, në qytetin ku ai shërben, por edhe në mbarë vendin, ka qenë traditë përcjellja e grupit të haxhinjve me një ceremoni të veçantë. Kjo ceremoni merrte ngjyrat e një feste duke ditur se udhëtimi për në haxh ishte i vështirë dhe mund të zgjaste disa muaj. Myftiu me vete kishte sjellë një foto të vitit 1936, në të cilën paraqiteshin familjarë dhe besimtarë të qytetit duke përcjellë haxhinjtë e atij viti.
Një surprizë e këndshme ishte sjellja në studio e disa guralecëve, të ruajtur nga haxhi i vitit 2001. Me ta në duar, z. Sytari u bëri thirrje të rinjve shqiptarë që të godasin shejtanin dhe të mundin të keqen brenda vetes, duke i ftuar t’i kthehen besimit dhe njohjes së Zotit, sepse duke njohur Zotin do të mund të njohin qëllimin e ekzistencës së tyre.
Në fjalët e tyre përmbyllëse, teologët njoftuan se haxhi për vitin 2011 do të organizohet nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Një vendim i tillë sipas tyre, është marrë me qëllimin e vetëm që besimtarëve të interesuar t’u krijohen të gjitha mundësitë dhe lehtësirat e nevojshme për kryerjen e këtij adhurimi të shumëdëshiruar.

“Komunikimi dhe besimi” ishte një tjetër temë e trajtuar gjatë kësaj jave. Në studio së bashku me moderatorin Ramadan Çipuri ishin gazetarët Roland Zili dhe Alban Tartari, si dhe teologu Elton Karaj.
Me gjuhën e specialistit, z. Zili dhe z. Tartari janë përpjekur të hedhin dritë mbi rëndësinë e komunikimit duke e parë atë si element të rëndësishëm e tepër të domosdoshëm në ndërveprimin e njerëzve me njëri-tjetrin.
Gjatë bisedës, ata theksuan se për fatin e keq në shoqërinë shqiptare vërehet një mungesë e theksuar komunikimi. Edhe pse ekziston, ai është nën limitet e tij.
Mungesa e komunikimit, sipas tyre, ka prodhuar një mori fenomenesh dhe ngjarjesh të cilat kanë rezultuar me pasoja të rënda për individin dhe shoqërinë shqiptare.
Ndërsa teologu Karaj, në dritën e argumenteve të fesë, ka sqaruar se komunikimi ka vendin e tij të veçantë në çdo shoqëri. Në ato shoqëri ku ai mungon apo është i vakët, gjendja e tyre paraqitet e pashpresë.

Një emision tjetër ishte “Arti Islam”. Për të folur mbi këtë temë ishin ftuar dy emra të njohur të botës së artit, z. Pëllumb Vorpsi dhe z. Edison Çeraj, të dy pedagogë në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.
Në fjalët e tyre, dy të ftuarit kanë qartësuar lidhjen e besimit me artin, duke pohuar se ata jo vetëm që kanë një lidhje organike, por përbëjnë një unitet të pandarë.
Sipas tyre, Islami nuk është thjesht një religjion por një sistem jete që ka ekzistuar dhe ekziston. Duke qenë i tillë në të patjetër gjen vendin e tij dhe arti. Kur arti i shërben adhurimit ai merr një dimension të veçantë dhe një fuqi të madhe shpirtërore.
Gjatë bisedës z. Vorpsi është ndalur tek mirësia e këndimit të Kur’anit të shenjtë. Ai ka argumentuar se arti islam përbën kryefjalën e muzikës me përmbajtje, e cila kulmon me fjalën e paarritshme të këndimit të Kuranit Famëlartë.
“Këndimi i Kur’anit – u shpreh z. Vorpsi - përmban një kompleksitet emocional. Ai të përthith e të mbërthen si një valë deti. Manifestimi i tij realizohet përmes leximit që bashkon tingullin me fjalën”.

Cikli i emisioneve “Me syrin e zemrës” do të vazhdojë trasmetimet e tij përgjatë Ramazanit me të tjera tema interesante. Për të përjetuar dhe marrë sa më shumë kënaqësi nga ky muaj i begatë, na ndiqni çdo ditë në lidhjen tonë të drejtpërdrejtë në radiotelevizionin Ora News nga ora 19.00 deri në 19.50 dhe në ritransmetimet e tjera në orën 04.00 në Ora News dhe në Channel 1 në orën 20.00 dhe 03.00, si dhe në faqen e internetit www.ora-news.com në orën 19.00 drejtpërsëdrejti çdo ditë.

