
Këshilli i Ministrave me vendim qeverie VKM, dt. 06.04.2011, ka miratuar dhënien e licencës për hapjen e Universitetit BEDER, i njohur si institucion arsimor i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Në vendimin e marrë dje nga Këshilli i Ministrave thuhet:
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 2, 43, 44, 44/1 dhe 45, të ligjit nr. 9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
Vendosi:
1. Licencimin e shkollës së lartë private “Hëna e plotë” (Bedër), e cila ushtron veprimtarinë në qytetin e Tiranës.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe shkolla e lartë private “Hëna e plotë” (Bedër) për zbatimin e këtij vendimi.
Vendimi i Këshillit të Ministrave për legalizimin e këtij institucioni arsimor të rëndësishëm e shumë të mirëpritur nga myslimanët shqiptarë ka ardhur pas vendimit të Kryesisë së KMSH-së, dt. 15 shtator 2010, që u shoqërua me plotësimin e dokumentacionit përkatës dhe dorëzimin e tij në një kohë rekord në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
Universiteti BEDER, i themeluar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, plotëson kështu të gjithë ciklin e arsimit pas atij parauniversitar që ka filluar me rihapjen e medreseve në vitin 1991.

